Të gjithë janë si Saliu!

Postuar në 16 Shtator, 2024 09:31
Skerdilajd Zaimi

 

Ka nje entuziazëm të madh në media pranë qeverisë për të ashtuquajturën dosje e SPAK të Berishës dhe dhëndrit të tij, Malltezi. Flitet për përfitime tokash, kalime parash, ndikim politik e kështu me radhë. E besueshme është. Ndonëse pushteti i Sali Berishës nuk u identifikua as me kullat dhe as me ndërtimin. 

Është e kuptueshme që rrjedhja e dosjes është edhe një mjet për të çmobilizuar deri në fund detashmentin protestues të PD-së, ndoshta edhe për efekt elektoral, por edhe sepse pushtetit i pëlqen qetësia. Nuk ka më nevojë për opozitën si diversion. 

Mirëpo, me daljen e dosjes së SPAK, në media po shpërthejnë përditë afera me troje dhe ndërtine që kanë çuar në burg zyrtarë të zgjedhur.

Këto ditë po qarkullon një material qe flet për ndikimin e resortit në Gjirin e Manastirit në Sarandë, ndërkohë që ligji për zonat e mbrojtura, me amendimet  e reja, i hap rrugë betonizimit ngado. 
Për cilin skandal po flasim atëherë në rastin Berisha?

Pyetja shtrohet pasi këtu verifikohet e njëjta metodë dhe sjellje ndaj pasurisë publik dhe përdorimit të pushtetit. 
Sjellja e shumicës me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e mandatit të Olta Xhaçkës nuk dallon thuajse fare nga replika e Berishës kur i drejtoheshin me ultimatumin: Hap kutitë, ose Largohu
Drejtojuni gjykatës,- thoshte Berisha. Po cilës gjykatë? Asaj që vendos pas darkës me Ilir Metën në shtëpinë e këtij të fundit? 
Kemi pra në të dyja rastet një alibi që synon të mbulojë diçka. 

Sjellja me pronën, me median ka të njëjtat vijëzime, në mos ka rënie. E duke i mbledhur të gjitha këto ajo që nuk shpëton është fakti: çfarë sjell për Shqipërinë dhe demokracinë demonizimi i vazhdueshëm i Berishës që është identikit i njëjtë pushteti?

Shqipëria nuk është sot më demokratike, madje edhe armiku i rremë i demokracisë, Berishizmi, është një karikaturë ditore që kërcënon vetëm psikologjinë e atyre që nuk dalin dot nga kuadri i militantit. 
Gjithë fajin e ka Saliu? Jo. Të gjithë janë si Saliu, edhe nëse flasim për mbërritjen në dyert e prokurorisë. Kështu bënte edhe Saliu dikur, vetëshpallej i paprekshëm. 

Por kohët ikin shpejt dhe relativizimi është kaq i zakonshëm saqë ne mund të pyesim: kush e ka me të vërtetë pushtetin? Do na kujtohet kjo pyetje kur tjetërkush të merret me dosjet e veta penale. 

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Pushtetin ne Shqiperi dhe Serbi e ka Tony Blair. Dhe mbas ketij te fundit qendron Lobi Zionist.
Rama dhe Vucic e paguajne miliona euro nga buxheti i shtetit ne vit vetem sepse ky I mbron dhe i ekspozon ne qarqet Perendimore si Gentlemena.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.