SHBA, drejt një sistemi të ri politik
Çfarë po ndodh në Amerikë? Është një pyetje që pikërisht pse shtrohet e ka përgjigjen brenda. Po ndodh ajo që ndodh në çdo vend që perverton sistemin që deklaron se mbron. Ndaj edhe zhurma globale e një njeriu si Donald Trump jehon si një mesazh që i jep shtysë ankthit se Amerika nuk ekziston më si garante e demokracisë, e sigurisë siç e kemi njohur.
Ndryshim, tjetërsim apo korrigjim i sistemit dhe vlerave që i asocohen. Duket se kjo është lufta e tanishme në SHBA, që drejtohet prej dy partive tradicionale. Që sipas studiuesit Ernest Nasto, njohës edhe i historisë politike dhe lëvizjeve civile në SHBA, janë shndërruar në organizime rreth individësh.
Në intervistën për ResPublica, Nasto evidenton ndër të tjera si problem akut të sistemit politik amerikan, mungesën e alternativës dhe mendimit për të ardhmen. Vërejtja e Nastos se Partia Demokratike amerikane dominohet nga një homogjenizim absolut i të menduarit, sinjalizon se problemi është shumë i thellë dhe realisht po dëshmojmë atë që studiuesi e cilëson si një fazë tranzitore të sistemit partiak në SHBA.
***
Z. Nasto, krahasuar me zgjedhjet e kaluara dhe presidencën Trump ngjan se moria e problemeve politike në SHBA është shtuar aq sa Trumpizmi po duket si një ndër problemet aq edhe një nga zgjidhjet. Çfarë e solli këtë relativizim kaq të madh?
Do të thoja se problemet e katër viteve të fundit s’kanë qenë veçse përshpejtimi, në njëfare mënyre, i një procesi zhvillimesh negative të filluar qysh në vitet ‘80 me luftrat kulturore moderne. Qysh prej atëherë ai proces ka pasur uljet e ngritjet e veta, madje edhe u duk sikur u ndërpre për disa kohë, pas fitores së Luftës së Ftohtë, kur instanca të ndryshme shpallën se ishte arritur “fundi i historisë”. Mirëpo fillimi i “luftës kundër terrorizmit”, me ndërhyrjet fatkeqe në Afganistan dhe Irak, më vonë në Libi e gjetkë në Lindjen e Mesme, shënuan momente krizash të rënda që e rifilluan me forcë procesin në fjalë, i cili s’është ndalur më. Kohezioni social në Shtetet e Bashkuara është dobësuar në mënyrë të vazhdueshme nën ndikimin jo vetëm të faktorëve të tillë, të lidhur me politikën e jashtme, por kryesisht nga zhvillimet teknologjike ku do të veçoja rolin absolutisht minues të mediave sociale të paktën prej vitit 2010.
Pikërisht në këtë hulli futen edhe vitet e administratës Biden, qoftë nga ashpërsimi i vazhdueshëm dhe arritja e niveleve të papara të polarizimit social, qoftë nga zhvillimet brenda të dy partive kryesore. Roli i trumpizmit në këtë mes mund të kuptohet më mirë nëse konsiderojmë se zgjedhjet e vitit 2016, sipas shumë studiuesve, shënuan fundin e sistemit partiak në ekzistencë që prej vitit 1972, i gjashti syresh në historinë politike të SHBA. Periudha prej atëherë duhet parë si diçka e ndërmjetme, kur të dy partitë janë në kërkim të identiteteve të reja, në një botë pa armik ekzistencial të përbashkët, në një botë jo më njëpolare, në një botë me pabarazi të thellë, me globalizëm, e veçanërisht siç thashë, me media sociale.
Kjo është arsyeja që lëvizja MAGA paraqet doemos edhe tipare negative (prej ku problemet), edhe pozitive (prej ku zgjidhjet), në krahasim me rolin tradicional të partive politike amerikane. Do të shihet kësisoj në zgjedhjet dhe në vitet e ardhshme se sa tiparet e saj pozitive do të arrijnë të përqafohen nga një elektorat i qendrueshëm, si kusht kryesor për konsolidimin dhe jetëgjatësinë e çdo partie politike e të krejt sistemit partiak në përgjithësi.
A mund të themi se aktualisht dhe për paradoks, Trump është kërcënimi perfekt për të mobilizuar ato pak energji demokratike që kanë vullnet të luftojnë për vlerat e asaj SHBA të dikurshme?
Mendoj se e gjithë çështja “Trump si kërcënim” duhet parë në një kontekst më të gjerë, sepse dukuria Trump është në fund të fundit një dukuri sociale, e cila ka arsyet dhe veçoritë e veta. Siç e kam theksuar edhe më parë, nga çdo aspekt që ta shohësh, është praktikisht e pamundur që dukuri të tilla të ndodhin tërësisht për faj të njërit krah politik, aq më pak për faj të një individi të vetëm. Donald Trump është vërtet një personalitet krejt i veçantë, megjithatë paniku që pasoi futjen e tij në politikë në qershor të 2015 ishte totalisht i pajustifikuar. Ai i theksoi në kulm anët negative të procesit politik, për të cilat s’duhet të ketë vend në një demokraci të suksesshme, por ato ishin konstatuar e zhvilluar tashmë prej shumë vitesh.
Kështu p.sh. ai ka pasur rol të dorës së parë në humbjen e besimit tek institucionet, tek konsiderimi i palës përballë jo si kundërshtar politik, por si armik ekzistencial, si edhe në ashpërsimin e diskursit politik si rrjedhim i drejtpërdrejtë i dy të parave. Por s’duhet harruar se ato procese kishin filluar qysh me betejat kulturore të viteve ‘70 – ‘80 që përmenda aty përpara, dhe me daljen e së Djathtës Fetare si faktor politik, sidomos në çështjen e abortit. Revolucioni republikan i 1994-ës u dha atyre prirjeve një shtysë të re, me rolin absolutisht vendimtar të Newt Gingrich, ish-kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve në vitet 1995-1999. Duke shtuar këtu edhe polarizimin e skajshëm ekonomik si pasojë e globalizimit, erdhëm më në fund tek përzjerja plasëse e vitit 2016, por shkëndija e ndezjes mendoj se s’ishte aq Donald Trump në vetvete, se sa paniku i lartpërmendur që përfshiu Partinë Demokratike dhe pjesën dërrmuese të mediave tradicionale. Ai reagim i ethshëm dhe krejt i pajustifikuar s’bëri tjetër veçse thelloi paranojat e Trump, me reagimet e tepruara prej tij e kështu me rradhë, duke rezultuar në rrethin vicioz që shohim sot.
Sa për vullnetin që thoni, në kushtet e këtij “kërcënimi” kaq serioz e jetik sa paraqitet prej demokratëve, ai duhej të vinte logjikisht prej tyre, apo jo? Por si vepruan ata?
Së pari, zgjodhën si flamurtar të “betejës finale” një 81 vjeçar të konsumuar e të lodhur, i cili mund të kishte shumë cilësi të mira, por kurrsesi atë të frymëzimit e të ngjalljes së besimit tek zgjedhësit për një mision të tillë “historik”. Dhe së dyti, ata u përpoqën me çdo mënyrë të justifikonin shenjat e dukshme të lodhjes, të konsumimit e të humbjes së kontrollit nga ana e Joe Biden, duke i kërkuar publikut amerikan të mos u besonte syve, por asaj çka servirej nga propaganda e partisë dhe nga mediat. Kjo ishte besoj kontradikta më e madhe e krahut demokrat të politikës amerikane, dhe qasje të tilla s’mund të kontribuojnë kurrë në rivendosjen e besimit tek partitë dhe përgjithësisht tek sistemi.
Degradimi i elitës “liberale” të themi, me lojërat e pushtetit në prapaskenë të Obamës dhe Klintonëve me rotacionin e kandidaturave, janë një shenjë se amalgama ideologjike e PD ka ezauruar kuadrin e saj mobilizues në një koniunkturë pushteti, pa një vizion për të ardhmen?
Rasti i Partisë Demokratike amerikane është mjaft interesant për të kuptuar dinamikën e korruptimit të sistemit në fjalë, pavarësisht se ajo është lënë disi në heshtje krahasuar me analizat, opinionet e komentet e shumta lidhur me shkarjen e republikanëve në autoritarizëm. Pa dashur të përsëris analizat e mia të mëparshme(1) rreth lëvizjes “woke”, po theksoj se problemi absolutisht kryesor i demokratëve sot është fakti që e gjithë partia, aparati i saj, veprimtarët e mbështetësit, janë të përfshirë në një uniformitet mendimi të cilin do ta cilësoja të frikshëm.
Ky uniformitet, ose me saktë, absolutizëm, është ndoshta i vështirë të kuptohet nga të rinjtë, por i qartë për këdo që ka jetuar të kaluarën totalitariste në Shqipëri e gjetkë. Kështu, për të qenë në rregull me partinë, për të qenë demokrat i mirë, duhet të jesh dakord edhe me detajet më të imta, me politika dytësore apo tretësore të programit, përndryshe akuzohesh si racist, fashist, homofob, i shitur etj., pra krejt i padenjë e i përbuzshëm. Nuk mjafton të jesh p.sh. dakord me drejtësinë ekonomike, duhet doemos të perqafosh edhe koncepte të saposhpikura si “drejtësia klimatike” apo “drejtësia transgjinore”. Kjo të kujton automatikisht kohën e diktaturës në Shqipëri, kur s’mund të kritikoje sadopak as të ashtuquajturin “ligj të kursimit”, le pastaj ligje e aspekte më themelore të doktrinës së “socializmit shkencor”. Kemi të bëjmë me një kult të qartë ideologjik: purizmi imponohet nga fryma e përgjithshme e partisë dhe nga veprimtarët në mediat sociale.
Përpjekjet për ndryshimin e gjuhës janë një tjetër ngjashmëri shqetësuese e politikave demokrate me ato të regjimeve totalitare të së kaluarës, apo të mbeturinave të tyre që gjallojnë ende sot, si mbretëria komuniste absolute e Koresë së Veriut. Në diskursin politik demokrat një numri fjalësh e termash u është ndryshuar kuptimi, krahasuar me përdorimin e tyre tradicional, e po ashtu janë futur e vazhdojnë të futen fjalë të reja, kryekëput të sajuara sipas kërkesave të purizmit woke. Kështu fjalët grua dhe burrë po zëvendesohen me terma si “person që menstruon” dhe “person që nuk menstruon”, ndërsa nëna dhe babai me “prindi lindës” (apo “prindi 1”) dhe “prindi tjetër” (apo “prindi 2”).
Po futen edhe terma të reja si barazimtaria (equity) e cila tingëllon e ngjashme me barazinë (equality) dhe ashtu ka me shumë gjasa t’u shpëtojë kritikave, sepse në fund të fundit kush mund të jetë kundër barazisë, e nënkuptuar si barazi shansesh? Por në të vërtetë në fjalorin demokrat kuptimi i barazimtarisë shkon shumë më tej se barazia e shanseve, për t’u shtrirë deri tek barazia e rezultateve ndërmjet grupeve të ndryshme identitare, këto të fundit gjithmonë të përcaktuara mbi bazën e ngjyrës se lëkurës, seksit, orientimit seksual dhe atij gjinor
S’është pra çudi që për masa të mëdha njerëzish në Amerikën e thellë, d.m.th. që s’banojnë në New York, San Francisco apo Los Angeles, këto janë thjesht marrëzira. Ata vrasin natyrisht mendjen se çfarë ka ndodhur me të majtën, dikur gjoja kampione e paepur e interesave të punëtorëve. Apo përse u dashka të blejnë patjetër vetura elektrike, e përse imigracioni i paligjshëm s’figuron kurrkund në listën e përparësive të partisë së tyre? Përse kjo nuk flet pothuaj fare për krimin dhe pandëshkueshmërinë masive, sidomos në qytetet e mëdha? Dhe me e habitshmja për ta është se përse vallë problemet e mësipërme figurojnë në listën e partisë tjetër, republikanëve, e cila u paraqitet vazhdimisht si djalli vetë?
Sa më sipër janë kësisoj shkaqet e ezaurimit të fuqisë mobilizuese të amalgamës për të cilën pyetët. Dhe kjo shihet qartë nga rezultatet në kutitë e votimit:
nëse Obama arriti të merrte 67 përqind të votave të punëtorëve me ngjyrë më 2012, kjo shifër ra në 48 përqind për Biden më 2020, ndërsa prej atëherë përkrahja e këtij grupi për demokratët ka rënë edhe me 20 përqind të tjera
Kuptohet që shifrat e sakta do të dalin pas zgjedhjeve të 5 nëntorit, por prirja është e qartë. Mungesa e vizionit luan padyshim rol kryesor në këtë bjerrje, sepse deri më sot demokratët dhe kandidatja e tyre Kamala Harris s’kanë paraqitur asnjë të tillë, gjë që s’mund të kalojë pa u vënë re.
I rreshtova të gjitha këto për të treguar se elitat liberale, përkatësisht Partia Demokratike, kanë sot një problem të madh besueshmërie me zgjedhësit, sepse motivacionet e tyre po shihen thjesht si dëshirë për mbajtje pushteti, e asgjë më tepër. Ky problem vetëm sa u përkeqësua së fundi nga mënyra se si u detyrua Biden të largohet nga gara e se si u kurorëzua sakaq Harris, aty përpara e trumbetuar kjo si jopopullore nga të njëjtat qarqe. Nëse ata vazhdojnë të vënë në plan të parë ideologjinë dhe të kundërshtojnë vendosmërisht realitetin dhe logjikën e shëndoshë, kuptohet që s’mund të flitet fare për rikthim të besimit tek ta. Dhe kjo s’mund të mos ketë pasoja për besimin tek institucionet në kuptimin e gjerë të fjalës.
Sa përfaqëson aktualisht ndryshimin – në planin e pasionit politik – Donald Trump dhe reaksionin ndaj kësaj politike të status quosë dhe sa është ky tashmë një proces anti-elitarist?
Siç e dimë Donald Trump është një tip politikani që s’është parë prej disa brezash, ndoshta kurrë, ndër drejtuesit e lartë amerikanë. Mirëpo ai ishte sigurisht shprehës i ndryshimeve të thella e mjaft graduale, paçka se jo fort të dukshme deri më 2016 kur ato shpërthyen me forcë. Ai mishëronte dhe vazhdon të mishërojë aspiratat e një grupi të madh zgjedhësish që kanë kuptuar prej kohësh se sistemi ka pushur së qeni në favor të njerëzve të thjeshtë. Dhe zgjidhja që u përqafua prej tyre në atë vit zulmëmadh ishte kundërvënia e hapur ndaj këtij sistemi, duke përkrahur kandidatët si Trump dhe Sanders. Fitoi Trump pra kandidati që premtoi shembje të sistemit, jo thjesht reformim të thellë si Sanders. Kandidati republikan, në sajë të personalitetit të tij tërësisht narcisist e autoritar, mundi ta mposhtë establishmentin përkatës, dhe sot GOP(Grand Old Party – Partia Republikane. shën.red.) është një parti populiste, e cila dominohet krejtësisht nga trumpizmi, siç u dëshmua së fundi nga vënia në krye të saj e së resë së liderit, Lara Trump.
Ndërkaq, ky i fundit s’ka qenë në gjendje, gjatë gjithë këtyre viteve, të fitojë betejën me armikun e tij kryesor: Donald Trump. E theksoj këtë sepse është personaliteti i vetë atij që ja minon pareshtur apelin politik, simpatinë e përkushtimin që ai shpreh ndaj problemeve të vendit, dhe zgjidhjeve që ai propozon sidomos në fushat e imigracionit, rendit e ligjit, kundërshtimit të axhendës majtiste woke, si edhe të paqes në botë. Këto ngjallin padyshim mbështetje në masat e zgjedhësve, por dëmtohen keqazi nga nevoja e tij e pakontrollueshme për të mbushur fjalimet me egzagjerime e pohime krejt të pabaza, me fyerje personale ndaj kundërshtarëve, jo vetëm demokratë, por ndaj çdo republikani që s’pranon pa kushte gjithshka që del nga goja e udhëheqësit, me përsëritje pa fund të të njëjtave gjëra tashmë të tejkalura si “m’i vodhën zgjedhjet”, etj.
Fokusimi i tij në gjepura të tilla, dhe jo në politika konkrete për të ardhmen, bën që karizma e tij të zërë vend vetëm tek ata që i ka tashmë përkrahës të bindur, pa u shtrirë më tutje në elektoratin gri, aq kritik për fatin e zgjedhjeve. Prandaj opinioni i mjaft analistëve është se çdo kandidat tjetër, përveç Trump, do të kishte avantazh të dukshëm në fushatën e tanishme, e do të mund të fitonte me lehtësi.
Identifikimi i së djathtës amerikane me një lider të tillë shënon largimin e saj përfundimtar nga konservatorizmi i epokës Reagan&Bush(1). Nëse ai konservatorizëm, në vazhdën e traditës klasike, vinte në plan të parë përgjegjësinë personale, në krye të së djathtës së sotme është një person që s’ka pranuar e s’pranon kurrë as përgjegjësinë më të vogël. E po ashtu fakti që një parti e cila mban ende për hero presidentin e 40-të Ronald Reagan, ndjek sot një person që flet vetëm për rënie, katastrofë amerikane, humnerë, etj (krahaso “kërdinë amerikane” të Trump me “është përsëri mëngjes në Amerikë” të Reagan). Kjo kontradiktë për republikanët është po aq absurde dhe e pakapërcyeshme sa ajo e “Biden si flamurtar” për demokratët.
E gjitha kjo do të thotë se vërtet dalja e Trump ishte një reaksion i fuqishëm anti-elitar, por personaliteti i tij rrezikon fort ta dëmtojë kauzën dhe ta kthejë përfundimisht partinë në një kult individi, ku purizmi imponohet nga lideri, dhe jo në një lëvizje konservatore me bazë të gjerë që do të ishte e aftë t’i kundërvihej me sukses axhendës woke të demokratëve
Edhe në betejën e sapofilluar me Harris ai ka preferuar ta sulmojë atë me fyerje të pareshtura personale, që ishte sigurisht metoda e tij e suksesit në zgjedhjet e 2016. Ajo përputhej asokohe me ndjenjat e një pjese të madhe të bazës republikane, të motivuar nga dëshira për shkatërrimin e sistemit, por duket sot e tejkaluar pas tetë vitesh përdorimi të pandërprerë. Kjo metodë po i bie ndesh realitetit tani kur Trump ka përballë një kandidate shumë më të re e energjike, krahasuar me rivalin e mëparshëm Biden. Duke vazhduar me të njëjtën metodë Trump vetëm se e ka rritur vëmendjen e publikut ndaj politikave të Harris, që mund të duken tërheqëse për momentin, si p.sh. kontrolli i çmimeve për të frenuar inflacionin, por që janë padyshim me pasoja tepër të dëmshme afatgjata.
Realiteti është se partia e sotme Republikane pak lidhje ka me Reagan e aq me pak me Lincoln. Prandaj po e theksoj përsëri se dëshira e mirë e disa komentatorëve në Amerikë, apo edhe në Shqipëri e në diasporën shqiptare për të paraqitur një vijë të drejtë vazhdimësie nga Lincoln, tek Reagan e tek Trump mbetet thjesht dëshirë, pa ndonjë bazë objektive.
Si shpjegohet megjithatë që lëvizjet kryesore reaktive në ShBA tematizohen pas çështjeve ideologjike apo korigjimit historik sesa ekonomisë?
Kjo është e vërtetë në njëfarë mase, dhe lidhet përsëri me luftën kulturore që përmbledh çka ju përmendët e që ka qenë shtytëse kryesore e zhvillimeve në shoqërinë e politikën amerikane prej krijimit të Shteteve te Bashkuara, në mungesë të një identiteti kombëtar etnik, si shumica e organizimeve politike të vendeve të zhvilluara. Vetë revolucioni amerikan ishte në fund të fundit një kryengritje për “çështje kulturore” dhe jo ekonomike, nëse me kulturë kuptojmë kuadrin e përgjithshëm brenda të cilit njerëzit orientohen e gjejnë kuptim, e që po ashtu çon në ngritjen dhe zhvillimin gradual të institucioneve.
Premtimi i etërve themelues ishte “një bashkim më i përsosur”, mbi premisën e natyrshme se çdo formë qeverisjeje mbështetet në një lloj solidariteti që lidh të gjithë pjestarët e që mban shoqërinë në këmbë. Ai solidaritet është njëkohësisht edhe individual, edhe kolektiv, dhe themeluesit s’e shihnin aspak projektin të përfunduar (prej ku piramida e pambaruar në anën e pasme të kartmonedhës një dollarëshe), por si diçka në proces, me ngritje e ulje të njëpasnjëshme. Në këtë kuptim mund të themi se edhe beteja kundër skllavërisë në fund të fundit e tillë ishte, pra për çështje kulturore. Prej atëherë kultura, pra mënyra se si e përkufizojmë solidaritetin që na bashkon, kë cilësojmë si “tanët” dhe kë si “të tjerët”, ka pësuar ndryshime të vrullshme dhe ka dominuar kundërshtitë e politikës amerikane.
Faza moderne mund të themi se filloi në vitet ‘70 kur të dy partitë s’kishin më ndryshime të ndjeshme në qasjet ekonomike, dhe ashtu aborti u bë shtytësi kryesor i betejave politike. Erdhëm kështu tek situata e sotme, d.m.th. që prej vitit 2016, kur rivaliteti kulturor është tepër i dukshëm, dhe nxitje e fortë e atmosferës së përndezur shoqërore.
Impakti i çështjeve kulturore duket në riorientimin e partive politike drejt grupeve të ndryshuara të zgjedhësve, ku dukuria më kryesore është kalimi i punëtorëve të bardhë të padiplomuar në radhët e republikanëve, ndërsa demokratët mbështeten gjithmonë e më tepër tek një shtresë e arsimuar teknikësh, administratorësh e profesionesh liberale. Kjo është në kundërshtim me rreshtimin tradicional, ku të padiplomuarit ishin gati automatikisht demokratë e pastaj me rritjen e nivelit të arsimimit kalonin në republikanë. Përmbysja e vitit 2016 që përmenda ndodhi, përveç globalizimit, edhe për shkak të ndjenjës së humbjes së identitetit nga Amerika e thellë, sepse 2/3 e punëtorëve të bardhë shpreheshin se zgjedhjet e atij viti ishin “shansi i fundit për të ndaluar rënien e Amerikës”, apo se ata ndjeheshin “të diskriminuar në vendin e tyre” për shkak të ideve politike apo besimit fetar. Pikërisht ky tëhuajzim, me një përbërës të fortë kulturor, ka qenë në bazë të polarizimit të shpejtë të shoqërisë prej atëherë.
Rezultati i zgjedhjeve në ShBA po pritet në botë vetëm nën optikën e konsideratave të sigurisë, dhe jo më edhe demokracisë. A po jetojmë fundin e nocioneve të Ëndrrës Amerikane, Kombit të Veçantë, të Domosdoshën?
Do të thosha se shoqëria amerikane ka ende rezerva për t’i ruajtur e përforcuar institucionet drejt një “bashkimi më të përsosur”, por ajo po i afrohet shpejt pikës së moskthimit. Rreziku më i madh është fakti që të dy partitë e shohin kundërshtarin politik jo si të tillë, por si armik ekzistencial, dhe kjo është absolutisht shumë më kërcënuese se sa pasojat e politikave të veçanta të cilat sigurisht mund të korrigjohen. Ose, e thënë ndryshe, perceptimi se “sistemi po merr fund” është shumë më i fortë se sa rreziqet konkrete ndaj lirisë së amerikanëve, ndaj ekonomisë së vendit dhe ndaj mirëqenies së familjeve të tyre. Kësisoj është frika për të gjitha këto që ka dalë tashti në pah, dhe vetë ajo frikë bëhet pengesa kryesore për zgjidhjen e problemeve, përndryshe jo të vogla.
Asnjë rrezik i jashtëm s’mundet ta minojë demokracinë më tepër se humbja e besimit tek vetë ajo, pra se rreziku i brendshëm. Për këtë arsye kam theksuar vazhdimisht që faktori kryesor i mbizotërimit amerikan duhet të jetë politika e brendshme, e jo forca e projektuar në arenën ndërkombëtare, sepse ngritja e fuqive rivale po e bën këtë çdo ditë e më të pamundur. Vetëm ashtu Amerika do të mund t’i ripërtërijë ato nocione që kanë shenjuar tërë historinë e saj, e veçanërisht nocionin e ëndrrës amerikane.
Si po ripërkufizohet shoqëria amerikane në këtë kontekst dhe sa po ndikon këtu edhe përmbysja demografike?
Mendoj se faktori kryesor, ose ndoshta ndër më kryesorët, në themel të të gjitha problemeve të mësipërme është pikërisht demografia, sepse Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një lloj tranzicioni të pa provuar kurrë më parë nga një demokraci e pasur e tipit perëndimor. Grupi historikisht mbizotërues i popullsisë, të bardhët me prejardhje anglo-saksone dhe besim protestant (të njohur me siglën WASP), po zvogëlohet me shpejtësi, e si rrjedhim po humbet edhe ndikimin politik të deritanishëm. Popullsia e bardhë pritet të kalojë numerikisht në pakicë brenda 25-30 viteve të ardhshme, ndërsa pakicat e deritanishme po kërkojnë intensivisht të drejta dhe barazi praktike në të gjitha fushat. Nga kjo rrjedh sigurisht edhe tëhuajzimi dhe tensionet përkatëse që përmenda pak më lart.
Në këto kushte elitat e vendit, përkatësisht dy partitë kryesore, duhet të ofrojnë vizione të qarta shpresëdhënëse, paçka se të ndryshme, për reformimin e vetvetes e të krejt sistemit demokratik. S’mund të vazhdohet më me atë që pikat kryesore të programeve të secilës të jenë “s’jam Trump” e “s’jam Harris”. Asnjëra parti s’ka justifikim të fajësojë tjetrën, kur vetë s’është në gjendje të veprojë ndryshe. Mbetet të shihet pra se cila prej tyre do ta marrë e para nismën për t’u larguar nga qasja e deritanishme e rrethit vicioz, e për të lejuar forcat e moderuara të gjejnë më në fund rrugën drejt një rrethi virtuoz, si tipar bazë i sistemit të ri partiak në krijim e sipër, e si garanci për ripërtëritjen e demokracisë amerikane.
(1) https://www.respublica.al/2023/09/26/n-n-mors-n-e-fondamentalizmit-dhe-pa-nj-objektiv-komb-tar
Add new comment