Padrejtësi që detyron të kafshosh gjuhën!
Ka publikuar sot një shkrim të gjatë Bekim Çollaku, ish-ministër i Integrimit të Kosovës. Në shkrimin në fjalë, Çollaku vë në dukje një problem të thellë siç e quan ai të drejtësisë ndërkombëtare në rastin e gjykimit të luftës së UÇK-së dhe burgosjes së përfaqësuesve të saj, kryesisht ish-presidentit Hashim Thaçi.
Argumentet e prezantuara, në formën siç janë prezantuar qëndrojnë: gjykata e posaçme vendos një kriter barazues mes krimeve serbe dhe luftës së UÇK-së, raporti I Dick Marty që mbështeti krijimin e gjykatës është i diskutueshëm, ndërkohë që Thaçi me të tjerë mbahen prej 4 vjetësh në paraburgim dhe janë shtuar akuza të reja.
Duke u fokusuar ekskluzivisht në krimet e supozuara të të shtypurve, gjykata jo vetëm që minon luftën çlirimtare të Kosovës, por gjithashtu fuqizon narrativat revizioniste që përpiqen të barazojnë çlirimtarët me shtypësit. Kjo nuk është drejtësi; kjo është padrejtësi e institucionalizuar
shkruan Çollaku. Që vazhdon se ishte burgosja e këtyre njerëzve që hapi rrugën për ngjitjen në pushtet të kryeministrit Albin Kurti.
Siç mund të kuptohet akuza këtu shkon tek aktorët ndërkombëtarë që teksa e noterizuan si të ligjshme me ligjin ndërkombëtar pavarësinë e Kosovës, e lanë Thaçi me shokë të bredhin burgjeve si një dëm kolateral në diplomacinë e vështirë të Ballkanit.
Dhe akuza ndaj ndërkombëtarëve bëhet këtu për një arsye apo nga një perspektivë subjektive, e një rasti të posaçëm duke mos guxuar të ngrihet në një apel të përgjithshëm për drejtësi të vërtetë. Çollaku nuk shkon më tutje sesa parashtrimi kritik ndaj qëndrimeve dhe procedimit të një gjykate, duke shmangur qëndrime politike që duam nuk duam e vënë një subjekt politik përballë një padrejtësie në pozitën e reagimit institucional.
Për krahasim: kur Kurti konteston qasje të caktuara të Perëndimit në Kosovë nga një pozitë politike, ai tentohet të izolohet, të stigmatizohet dhe të karakterizohet si një marksist I vonuar. Ndonëse askush nuk flet dot për saktësinë e qëndrimeve të tij. Debati ngec tek metoda.
Kur Çollaku dhe të tjerë kontestojnë drejtësinë e Perëndimit nga një casus konkret, askush nuk i karakterizon ata për diçka, edhe pse duket qartë se kjo qasje herët apo vonë do ketë implikime politike për Kosovën.
Të lexosh rotacionin me dënimin e Thaçit në fakt pohon se në Kosovë demokracia ishte subjekt i bando-kracisë të prodhuar nga hierarkitë e luftës. Mund të tingëllojë cinike por nëse Hashim Thaçin e nxorën nga skena me gjykatë e prokurori ata që e futën, Kurtin do ta heqë vota. Do apo nuk do ai. Dhe kjo është një hap përpara për një vend që shtetësinë e ka jetike.
Modeli shqiptar që kur jam unë keq e gjithë bota duhet ta shohë nuk funksionon. Shqipëria është shembull për këtë.
s.zaimi
Comments
Tashme Kosova e ka humbur
Tashme Kosova e ka humbur rastin e favorshem qe pati menjehere pas luftes ku u perkrah fuqishem. Kjo erdhi edhe per faj te Thacit me shoke qe vune interesat dhe perfitimet personale mbi interesin e Kosoves. Akoma sot insistohet te vihet shenja e barazimit midis interesit te Thacit me ate te Kosoves. Sikur te mos mjaftonte kjo kemi edhe kete karafilin tone qe fut hundet duke bere pazare me territoret e Kosoves ne marreveshje me Thacin e Vucicin.
Kjo qasja e Collakut i ngjet shume asaj te qasjes me krimet qe u bene gjate dhe pas LANC ne Shqiperi.
Kosova duhet te dije te luaje mire karta diplomatike e te perfitoje nga momentet e konjukturat e volitshme per te perfituar me te miren e mundshme me nderkombetaret por kjo do te ishte e mundshme nese te gjithe shqiptaret te punonin per kete qellim e jo qe njeri ti bie gozhdes e tjetri patkoit. Ne nje arene nderkombetare ku mbizoterojne sovranistet kjo ceshtje nderlikohet se tepermi e kerkon maturi e mencuri! Le te shpresojme me te miren e mundshme per Shqiperine dhe Kosoven se potencialet nuk mungojne packa se jemi udhehequr nga politikane sharlatane te cilet jane bere pengese per prosperitetin e venmdeve tona!
Add new comment