Krekosja e kallauzit

Postuar në 05 Shkurt, 2022 17:57

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka dalë sot paradite në një konferencë për shtyp me ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, përmes së cilës ka njoftuar se vendi ynë është zgjedhur të jetë bashkëhartues nismash në Këshillin e Sigurisë për çështjen e Ukrainës.

Kemi marrë përgjigje përfundimtare nga DASH se SHBA-të dhe Shqipëria do të jenë bashkëpenëmbajtëse në këshillin e Sigurimit të Kombeve të OKB lidhur me çështjen e Ukrainës. Flasim për një Shqipëri që vlerësohet për qëndrueshmërinë, aftësinë dhe luajtjen e rolit që i takon si një vend që promovon paqen. Anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit si anëtar jo i përhershëm dhe dimensioni që ky fakt i jep marrëdhënieve tona me SHBA-të, pasurohet me këtë fakt të ri

ka thënë ndër të tjera z. Rama.

Pozicioni i vendit tonë ka rëndësi sepse në një krizë si kjo, mund të luajë rolin e zëdhënësit në një plate të nivelit të lartë. Por ajo që nuk shkon te kjo që thotë z. Rama, i cili del në konferenca sa herë gjykon se ka ndonjë lajm të mirë është fakti se Shqipëria merr këtë vlerësim, jo për ndonjë politikë të re, apo ide në politikë që lidhet me qeverinë, por me një qëndrim të konsoliduar në 30 vjet e cili është: ne bëjmë çfarë në thotë SHBA. Nuk ka ndonjë gjë për t’u turpëruar në këtë qasje, pavarësisht je apo jo dakord me të. Sepse Shqipëria është një vend i vogël, i cili duhet të lundrojë me kujdes në ujërat e botës së sotme. Në këtë kuadër një vend i vogël mund të kuptohet, edhe pa humbur dinjitetin, për sjelljen konformuese të vet, por një vend i vogël nuk e mbështet dot delirin e një drejtuesi.

Zoti Rama na tha se Shqipëria ka një politikë të jashtme që thotë atë që mendon. Në fakt ne kemi parë qëndrime koniunkturale për rezoluta të caktuara, apo politika personale për ndarje territori. Kjo nuk është të thuash fjalën tënde, ndonëse për konsum të brendshëm shitet për politikë të madhe dhe me mbështetje ndërkombëtare. Me delirin e portretit të vet luajti z. Rama edhe në krye të OSBE-së kur tentoi negociimin në Ukrainë, apo kur u përpoq të bënte ndërmjetësin mes Turqisë dhe Greqisë, të gjitha nisma të injoruara.

Padyshim, Shqipëria e sotme, kështu si është katandisur, e ka të pamundur të mos bëjë atë që i thotë SHBA. Ky është realiteti, por brenda tij ne nuk kemi mundësi as të flasim. P.sh nëse kryeministri i Shqipërisë po del hapur me politikë antiruse në Ukrainë, thjesht si pendë në kapelen e SHBA, homologu i tij gjerman, Olaf Scholz është në mëdyshje aq sa në Gjermani ka nisur debati se çfarë po bën Berlini për këtë situatë. Patjetër që z. Rama e ka më të lehtë, sepse drejton një vend që nuk ka interesa reale në botën tonë, ekonomike, apo politike, pse siguria dhe stabiliteti i tij varen krejtësisht nga të tjerët, por rendje të tilla nuk kanë shumë sens. Dhe vetëm reputacionin nuk duket se rrisin. Ishte po ky kryeministër që deklaroi se Donald Trump ishte rrezik për qytetërimin, deklaratë të cilën asksush nuk e kupton edhe sot nëse ka lidhje me Shqipërinë.

Nga ana tjetër, qartësia për gjëra të tilla krijon klimë paradoksale kur p.sh kryeministri refuzon të përgjigjet për burgosjen e ish-ministrit të tij të Brendshëm, nën alibinë e plogësht: nuk komentoj vendimet e gjykatave.

Për të shtuar mandej se ai ka udhëhequr reformën në drejtësi dhe e ka ditur se çfarë do të vinte. Si mundet që ky udhëheqës të mos ketë dy fjalë për të thënë për një ish-ministër të vetin, të zgjedhur personalisht prej tij që burgoset për afera trafiqesh?  Aq më tepër, kur ambasada e SHBA-në në Tiranë reagoi menjëherë duke përshëndetur vendimin e gjykatës? Apo ndoshta SHBA ishin thjesht penëmbajtëse në reformën në drejtësi që udhëhiqte Edi Rama?! Çdo gjë po bën vaki në këtë botë, por brenda suazës së realitetit ne dimë se nisma të tilla pompoze nuk përfundojnë me asgjë, sepse ato thjesht nuk janë timoni ynë.

Janë si ato thërrimet e Stavrit në filmin “Lulëkuqe mbi mure”, luajtur nga i ndjeri Anastas Kristofori, të cilat kalojnë në Tiranë për lëvizje tektonike ku Shqipëria ka vërtet diçka për të thënë. Dhe të mendosh se jemi një vend me një Ministri të Jashtme që edhe një dosje për çështje që kanë të bëjnë me fqinjët mezi e përpilon.

s.zaimi

Comments

Submitted by Fillestari (not verified) on

Shume me vend. Cudija eshte vetem perse nuk degjohen shume te tjere te ndihen per kete teme. Shqiperia e vogel ka nxjerre kaq shume udheheqes globale sa te tere duhet ta kishim te qarte qe dicka nuk shkon historikisht ne psiqiken tone nacionale. Enver Hoxha "figuere poliedrike, yll i botes ne breg te Adriatikut", Saliu "kampion i demorkacise ne Europen Lindore dhe miku me i madh i SHBA" apo ky i fundit, Rama, ky i multitalentuari sportist, artist i madh, politikan global - qe ka dore e i jepet te shkruaje dhe libra...

Submitted by Anonymous (not verified) on

I gjati thote: "Flasim për një Shqipëri që vlerësohet për qëndrueshmërinë, aftësinë dhe luajtjen e rolit që i takon si një vend që promovon paqen. Anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit si anëtar jo i përhershëm dhe dimensioni që ky fakt i jep marrëdhënieve tona me SHBA-të, pasurohet me këtë fakt të ri."
Te jepet pershtypja sikur Shqiperia eshte zgjedhur posacerisht si antare (jo e perhershme) e Kesh. te Sig. ne OKB, nga fakti se ajo ka plotesuar me devotshmeri dhe zgjuarsi disa detyra, -kjo fale liderit tone te madh!!! Ne fakt, zgjedhja ne Kesh. e Sig. te OKB si anetare jo e perhershme, (vetem dy vjet ne mes 20 antarve gjithsej), eshte nje procedure e caktuar periodike, qe perfshin thuajse te gjitha shtetet anetare te OKB-s! Pra, Shqiperia do te zgjidhet serish pas 30 a 40 vjetesh, sepse i ka ardhur radha periodike e zgjedhjes! Perse ky idiot i gjate e shet kete si nje merite te vecante te Shq.? Perse e shet si nje perzgjedhje te vecante nga miku yne ShBA per Shq.?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.