BE-Qeverisë: S'ka negociata me zullume si Teatri
Shuplaka që BE i dha qeverisë për çështjen e Teatrit Kombëtar ishte pak të thuash e pritshme dhe e merituar.
Ligji "Fusha" për shembjen e Teatrit ishte flagrant dhe nuk qëndronte në asnjë kandar të asaj që mund të quhet demokraci Kushtetuese. Jo se qeveria nuk e dinte këtë fakt, por me shpresën se marifete të tilla që gatuhen nga zanatçinjtë e betonit në Tiranë nuk do mbërrinin deri në Bruksel.
Sado dashamirës të jenë treguar burokratët e Brukselit me qeverinë e Edi Ramës çorba që u është servirur shqiptarëve si projekt zhvillimi është hajdutëri e noterizuar me një ligj që nuk mund të çertifikohet nga asnjë ekspertizë.
Sinjalet për qeverinë kanë ardhur edhe më herët, por tashmë burime nga ekzekutivi thanë për Respublica se qeverisë i është bërë e qartë se nëse ky projekt do të avancohet, Shqipëria nuk do të ketë asnjë shans të hapë negociatat vitin e ardhshëm.
Arbitratriteti me të cilin kërkohet t'i vihet rruspa një ndërtese publike si Teatri Kombëtar, duke kthyer shtetin në sekser të truallit publik në favor të një investitori privat dhe pa marrë parasysh asnjë shqetësim publik ekspozon qeverinë përballë aktorëve europianë që monitorojnë Shqipërinë në këtë fazë të procesit të përafrimit me BE-në.
Për interesa të një kompanie private Shqipërisë i rrezikohet hapja e negociatave me Bashkimin Europian dhe kjo penalizon vetëm të ardhmen e vendit. Dhe kjo me firmën e dy njerëzve si Edi Rama dhe Erion Veliaj. Të gjitha këto nën dritën e publikimeve që zbuluan përpjekjet e qeverisë për të lobuar pezullimin e vendimeve të pronësisë pranë Gjykatës së Strasburgut.
Të njëjtët që akuzonin qeverinë Berisha se përmes vendimeve arbitrare i kishte rritur faturën shtetit në çështjet e pronësië, nuk ngurojnë ta ngarkojë vendin me zullume që nesër mund të përkthehen jo vetëm në fatura financiare, por edhe politike.
Add new comment