Vdes Stephen Hawking
Fizikani i shquar britanik dhe kozmologu Stephen Hawking vdiq të mërkurën në moshën 76 vjeç në shtëpinë e tij në Kembrixh."Ndiejmë keqardhje të madhe për vdekjen e babait tonë të dashur, i cili ishte njeri i rrallë dhe një shkencëtar i madh, puna e të cilit do të jetojë për shumë vite”-thuhet në një deklaratë të familjes.
Sipas njoftimit, fizikanti kishte një vdekje të qetë. Ai ishte i njohur për teorinë e vrimave të zeza dhe relativitetit. Në moshën 22 iu tha se kishte pak vite jetë pas diagnozës së tij me një formë të rrallë të sëmundjes (skleroza laterale amiotrofike), e cila e la përfundimisht të paralizuar dhe në gjendje të flasë vetëm me një pajisje të veçantë.
Vrimat e zeza
Në terma shkencore, Hawking ndoshta do të qëndrojë në analet e shkencës, sepse ngriti një pyetje të pazakontë: Kur një vrimë e zezë nuk është e zezë? Në vitin 1974 ai përdori teorinë kuantike për të treguar se vrimat e zeza lëshojnë nxehtësi dhe prandaj humbasin energji dhe përfundimisht të "vdesin", me një proces shumë të ngadalshëm që mund të marrë më shumë kohë se e gjithë mosha e universit.
Sugjerimi i tij se vrimat e zeza lëshojnë rrezatim në formën e nxehtësisë shkaktoi një polemikë të gjatë në kozmologji. Sipas Hawking, kjo do të thoshte se të gjitha informacionet që binin në vrimat e zeza, humbisnin përgjithmonë, çka binte në kundërshtim me një nga ligjet e teorisë kuantike. Hawking pastaj ndryshoi mendim dhe deklaroi se informacioni i ruajtur në horizontin e vrimave të zezë bëhej sërish dritë dhe emetohej po nga vrimat e zeza. "E pranoj se ndoshta humbja e informacionit nuk po ndodh"-bërtiti një ditë me zërin e tij elektrik për studentët e tij në një pijetore.
Kur ishte 32 vjeç ai u zgjodh anëtar nderi i Akademisë Mbretërore Britanike dhe pesë vjet më vonë profesor i matematikës në Universitetin e Kembrixhit, universiteti më prestigjioz në Mbretërinë e Bashkuar. Ai qëndroi në këtë pozitë për 30 vjet dhe pastaj u bë drejtor hulumtimi në Qendrën kozmologjike teorike të Universitetit Historik.
Add new comment