Ditmir Bushati i ankohet Trump: Po na destabilizon Rusia
Ministria e Jashtme përcolli sot një njoftim mbi vizitën e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati në Shtetete e Bashkuara dhe takimin me zëvendës-Këshilltaren e Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, K.T. McFarland. Përmbajtja e takimit reflekton veç të tjerash një shqetësim të qeverisë shqiptare se faktorë të jashtëm po destabilizojnë situatën në Ballkanin Perëndimor, në një kontekst që nuk ka si të përjashtojë edhe zhvillimet në Shqipëri.
Në njoftim thuhet se ministri Bushati u ndal mbi “nevojën për të bashkërenduar përpjekjet për të konsoliduar orientimin euroatlantik dhe për të përmirësuar mjedisin e sigurisë në rajon, në përgjigje të faktorëve që synojnë të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor duke penguar kursin e reformave transformuese”. Në Shqipëri akuzat për pengimin e reformave i janë faturuar Partisë Demokratike si nga qeveria ashtu edhe nga faktori europian, por nuk është artikuluar të paktën publikisht se interesat e opozitës përputhen me faktorë të jashtëm që nënkuptojnë Rusinë, siç ka deklaruar ministri i Jashtëm në SHBA,
Ministria e Jashtme përpiqet të përcjellë edhe garanci se ka mbështetjen e faktorit amerikan dhe Presidentit Trump në këtë drejtim. “Në këtë kontekst, McFarland rikonfirmoi mbështetjen e fortë të SHBA-së për jetësimin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës dhe në veçanti përpjekjet tona për jetësimin e reformës në drejtësi reforma të cilat ajo i cilësoi si jetike.”-thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Add new comment