Frymë alarmi për fitoren e Donald Trump. Mediat “zëvendësojnë” SHBA me Gjermaninë si lidere të botës së lirë

Postuar në 14 Nëntor, 2016 18:41

Donald Trump i ka shqetësuar të gjithë. Një individ i vetëm ka zhbërë besimin tek sistemi amerikan, i konsideruar si garanti i demokracisë e ca më tej i botës së lirë. Analistë dhe opinionistë të ndryshëm, media të tëra janë në radhën e gjatë të vajtimit dhe histerisë postelektorale amerikane duke i dorëzuar kodin e qytetërimit perëndimor një njeriu: Donald Trump. Po ecet më tej duke sugjeruar edhe një alternativë ndaj SHBA-së si shtëpia kryesore e lirisë. Gjermania po del në skenë si vendi që mund t’i besohet demokracia, zhvillimi dhe ruajtja e saj. Mbetet për t’u parë sesa do t’i qëndrojnë kohës këto vajtime dhe sa i përgjigjen ato realitetit, por tërheq vëmendjen se vetëm sot, dy revista të njohura kanë publikuar në faqen online të tyre shkrime që trajtojnë këtë temë: “Foreign Policy” dhe “Der Spiegel” shkruajnë për rolin që mund të marrë Gjermania në vakuumin demokratik që pretendohet se krijon presidenca e Donald Trump.

Një ditë pas fitores së Trump, europianët, veçanërisht gjermanët po e shohin botën me të tjerë sy...Bota mund të ndryshojë për Gjermaninë shumë më tepër sesa ndryshoi kur ra Muri. Çfarë po duket se po vjen, është se Gjermania, pra edhe Merkel, duan apo jo, do të jenë në qendër të çështjeve ndërkombëtare dhe Europës vetë si mbroktësi dhe propozuesi kryesor i normave, vlerave dhe institucioneve që përbëjnë aleancën e cila ka qenë në bazë të rendit botëror për shtatë dekadat e shkuara”, shkruan autori  Paul Hockenos në revistën FP(http://foreignpolicy.com/2016/11/14/the-dawn-of-pax-germanica-angela-merkel-donald-trump/?utm_content=buffer6f834&utm_medium=social&utm_source=facebook.com&utm_campaign=buffer).

Amerika abdikoi nga lidershipi i Perëndimit”, titullohet shkrimi i  Dirk Kurbjuweit, në “Der Spiegel”. Sipas këtij autori, pas 100 vjetësh në krye të idealit të lirisë dhe drejtimit të botës së lirë, Amerika po lë pozitën e vet për të kaluar nën drejtimin e një tjetër politike. Ai flet për funeralin e SHBA-së siç e njohim deri më sot, tone apokaliptike për një president që do të duhet të japë llogari para votës sërish pas katër vjetësh.

Liderët e Perëndimit pa Amerikën përballen me sfida monumentale. Atom janë detyra dhe sfida për kancelaren gjermane, Angela Merkel që përfaqëson një vend të fortë dhe ka ajo personalisht një fondament moral të fortë, siç e dëshmoi gjatë krizës së refugjatëve. Nuk ka pse të jetë Wodrow Wilson, por ajo mund të bëhet një lidere përcaktuese e Europës. Nëse ajo nuk ja arrin, kjo do të thotë se ajo nuk i ka kuptuar shenjat e kohës sonë”, shkruan autori(http://www.spiegel.de/international/world/trump-election-means-europe-mu...ë-lead-west-a-1120929.html).

Edhe njëherë: mbetet për t’u parë sa i përgjigjet realitetit ky alarm me të cilin mediat po ngarkojnë emocionalisht opinionin në Perëndim, duke minuar besimin ndëratlantik, pa parë paraprakisht se cilat do të jenë aktet e Donald Trump. Europa e ka parë Gjermaninë në krye dhe e di mirë mësimin e historisë. Jo se historia do të përsërisë veten, por një peshë e rëndë si kjo mbi shpatullat e një Gjermanie si kjo që njohim do të kërkojë transformime strukturore, të cilat kanë si rezultat një Gjermani tjetër nga ajo që njohim sot. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.