Pa një strategji për të frenuar radikalizmin

Postuar në 02 Janar, 2016 21:33

La Stampa, një prej gazetave prestigjoze italiane përcolli shqetësimin e shërbimeve sekrete perëndimore për kthimin e Shqipërisë në një nyje të rekrutimeve xhihadiste për llogari të Shtetit Islamik, bazuar  në informacionet e marra nga Lorenzo Vidino, korrespondent i kësaj gazete në Washington.Ndonëse Shqipëria duket më e mobilizuar se Kosova e Maqedonia në luftën kundër këtij fenomeni, nuk ka treguar një strategji të qartë për të parandaluar përhapjen e islamit radikal dhe penguar xhihadizimin e një pjese të popullsisë.

Vullneti politik në dukje nuk ka munguar për të shprehur gatishmërinë se Shqipëria mbështet luftën kundër terrorizmit dhe se rreshtohet krah Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim, por në aspektin e brendshëm raporti i krijuar mes shtetit dhe këtyre prirjeve mbetet i paqartë.Siguria e vetme duket se është Shërbimi Informativ Shtetëror që kontrollohet kokë e këmbë nga amerikanët, me objektiv monitorimin e të gjitha influencave ekstremiste apo politike që vijnë nga Lindja.

Aksesi i plotë që shteti shqiptar u ka dhënë amerikanëve në këtë drejtim shihet edhe si një lloj garancie nga politika që vetë nuk ka një strategji të qartë për të parandaluar flukset radikale, duke e lënë sigurinë e vendit praktikisht në dorën e të huajve.

Asistenca e SHBA-ve është e vyer në këtë drejtim, por mungesa e vizionit të politikës dhe shtetit për të frenuar dhe luftuar radikalizimin është një valvul që të huajt nuk arrijnë ta kontrollojnë aq sa duhet, përderisa nuk është e lidhur me akte të drejtëpërdrejta terroriste.

Me nxitje të SHISH u arrestuan 9 imamët e vetëshpallur që aktualisht po gjykohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda për nxitje të terrorizmit dhe deri më tani ky mund të konsiderohet si operacioni më i suksesshëm i shtetit shqiptar dhe SHSIH në luftën kundër terrorizmit.Por njëkohësisht edhe dështimi i radhës përballë influencave dhe financimeve të dyshimta që që kanë gëluar në Shqipëri këtu e 25 vjet në formën e OJQ-ve apo shoqatave të bamirësisë.

Dhe strategjia  që diskutohet në komisionet parlamentare të Shqipërisë është a do t’i shtohet buxheti SHISH ose jo, ndërkohë që vendet fqinje si Italia dhe Greqia janë në alarm për shndërrimin e Shqipërisë në një vatër nga ku mund të kërcënohen edhe vendet e tjera europiane.

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.