Radha e Putin, Rusia nis drejt Sirisë sisteme antiraketore S-400
Rusia do të zhvendosë drejt bazave të saj në Siri sistemet antiraketore S -400 pas incidentit ushtarak me Turqinë. Presidenti Putin u bëri thirrje rusëve të mos udhëtojnë drejt vendit aziatik për shkaqe sigurie, ndërsa në planin diplomatik janë shtuar përpjekjet për uljen e tensioneve mes Kremlinit dhe Ankarasë. Gjithsesi Rusia do të kundërpërgjigjet me një mënyrë apo një tjetër për rrëzimin e avionit të saj, incident që presidenti Putin e quajti thikë pas shpine. Në përpjekje për të ulur tensionet presidenti turk Erdogan tha se avioni rus ishte paralajmëruar 10 herë brenda pak sekondave për të mos shkelur hapësirën ajrore turke. New York Times thotë se avioni rus shkeli vetëm për 17 sekonda hapësirën ajrore turke dhe se rrëzimi ndodhi në territorin sirian. Reagimi i ushtrisë turke është justifikuar nga Uashingtoni që përmes presidentit Obama e ka quajtur si veprim në mbrojtje të sigurisë kombëtare të Turqisë rrëzimin e avionit. Thirrje për ulje të tensioneve ka bërë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel.
Add new comment