Akuzë letërsisë për "shpirtin e një kombi"

Postuar në 08 Janar, 2025 23:37
Skerdilajd Zaimi

 

Në një intervistë për “Kyiv Indipendent” shahisti i mirënjohur Gary Kasparov përpiqet të japë disa përgjigje rreth ideve bazë ruse për shtetin, territorin dhe mesianizmin. Duke cilësuar se në Rusi nuk ka një opozitë morale ndaj luftës së Putin në Ukrainë, Kasparov ndër të tjera flet për një mishelë konsistente nacionalizmi, imperializmi, mesianizmi në identitetin rus që nuk mundëson asgjë krijuese.

Më kujtohet, kohë më parë kur isha i ri, shoku im, Yury Afanasyev, një historian i shkëlqyer thoshte se letersia ruse është një ndër burimet më pjellore të nacionalizmit rus. Në atë kohë, instinktivisht e kundërshtoja, por tani e shoh që kishte të drejtë…

Veçanësia amerikane është e rrënjosur në koncepte të prekshme si standardet e jetesës, respekti për të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit. Nga ana tjetër, veçanësia ruse  anon më tepër nga mistikja. Është e lidhur me nocionin se të qenit rus do të thotë të kesh një lidhje të veçantë me një fuqi më të lartë. Ne duhet të zhytemi thellë dhe të kuptojmë në një nivel themelor se pse ideja e “shpirtit rus” mbetet kaq rezistente ndaj ndikimeve të jashtme

shprehet ndër të tjera Kasparov. Është një kritikë paradigmatike jo vetëm ndaj një shkaku të supozuar të problemit rus në botë, por edhe të kërkesës për ta modifikuar atë në suazë të një rendi të integruar kulturalisht. E thënë ndryshe, kritika ndaj ngasjes imperiale ruse duke sugjeruar operacion kulturor e shpirtëror, merr vetiu atribute subversive dhe imperiale nga një identitet tjetër, ai perëndimor që nuk është më këtu demokratik, pra me zgjedhje, por normativ.

Kur lexon këtë sintaksim të identitetit rus të vjen ndërmend filmi “Andrei Rublev” i Tarkovsky-t, ku sytë e artistit mesjetar shndërrohen në dëshmitarë të shpirtit të Rusisë mesjetare – e madhe, anarkike, e lirë deri në çmenduri natyrale, fshatare deri në palcë, brutale, e ftohtë, e varfër, e pakuptueshme. Kristiane, pagane, besimtare, kriminale…Rusia.

Është shumë e vështirë që të gjesh aty diçka strikt nacionaliste, të organizuar, ku narracioni mobilizon ndonjë trup shoqëror koheziv. Ngjashëm romani “Ringjallja” i Tolstoit, e njëjta shije te Gogoli, Çehovi i madh apo Dostojevski.

Ka një skizofreni të ndryshme, një mënyrë ruse të të kuptuarit që duket se nyjëton ciklikisht identitet politik sa herë ka zjarr nga Jashtë e ku kjo Jashtë nuk dihet se ku nis për t’u derdhur në formën e dyndjes më tepër sesa luftës së një njësie me agjendë apo projekt të mirëfilltë.

Rusia ngjan se kupton veten dhe botën përmes vetes, ashtu sikundër Ballkani kupton dobësinë e vet endemike me terapinë e delireve apo instinkteve rapsodo-etnike.

Nëse do ta shtronim drejt konstatimin e bërë më sipër, është e padiskutueshme se i vetmi rajon ndoshta ku ka vetëm letërsi nacionaliste, është Ballkani(pa Greqinë).

Jo burim nacionalizmi, por Nacionaliste. Heronjtë apo protagonistët e kësaj letërsie tallen apo poshtërojnë Fqinjin, që mund të jetë i një etnie tjëtër, apo feje. Dalldia serbe me Fushë Kosovën nuk është unike edhe pse është një poemë toksike pa të dytë për nga vetëmanipulimi: vepra e Kadaresë është obelisk për unikalitetin e supozuar heroik dhe civilizues të shqiptarit. Që edhe gjuhën e ka po aq unike.

Ne duhet ta shohim nën këtë ndikim edhe degradimin e plotë moral dhe etik, të rremë kryekëput shkencërisht dhe shpirtërisht të mjerë, të albanomanisë së tezave pellazgjike dhe autoktonisë pre-gjitarike të shqiptarit. Absurdi ka mbërritur deri aty sa të arsyetosh në mënyrë kritike akuzohesh se je i manipuluar nga shkenca antishqiptare e Albanologjisë konvencionale.

Dallimi megjithatë është i madh: i ashtuquajturi shpirt rus, i pacenuar nga ndikimet e jashtme, ngjan të ketë burimin e vet tek ideja arkaike sllave e komunitetit të pakorruptuar nga pabarazia tipikisht e importuar nga Perëndimi, me një stacion të natyrshëm në kristianizmin asketo-monastik, e që këtej edhe paaftësia fiziologjike për inovacion dhe krijim, ndërkohë që në rastin ballkanik e më poshtë shqiptar, burim është sugjerimi intelektual për adaptim dhe një ndryshim kostumi.

Ideja ruse fortifikon identitetin ku edhe beson e ushqehet, identiteti ballkanik epitomizon tranzicionin e përjetshëm, madje mishëron një histori ndryshimesh ku pa prekur ka mbetur vetëm gjuha e vatrës. Që prodhon identitet tribal, por asgjë më tej.

Është kjo strukturë që e bën kaq të thjeshtë penetrimin e pellazgomanisë dhe marrëzive me monopolin etimologjik gjuhësor, pse aty kjo rrëfenjë institucionalizohet, kuptohet në mënyrë më pak elegante sesa te heroikja e shqiptarit të vetmuar dhe histori të pangjashme të Kadaresë.

Që këtu ne kuptojmë si bashkëkohës se ky kërcu që digjet prej shekujsh është e vetmja meshë që duam të dëgjojmë, që dimë e riprodhojmë, i vetmi mësim që në fund të fundit i përgjigjet raportit tonë me hapësirën e memories dhe imagjinatës. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.