Kush e sponsorizoi KPK për aktivitetin në resortin luksoz në Vlorë?
Një kompani private ka sponsorizuar një aktivitet të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në një resort luksoz në Vlorë. Aktiviteti është mbajtur kohë më parë në « Marina Bay Resort ».
Gazetari i “Birn”, Edmond Hoxhaj, thotë se në të kanë marrë pjesë edhe vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët nuk kanë pranuar të akomodohen në hotelin luksoz, në bazë të rregullores që kanë.
Hoxhaj thotë se një sponsor privat për një institucion të drejtësisë ngjall dyshime. Dyshimet shtohen për faktin se KPK nuk ka pranuar të japë informacion, pavarësisht se për këtë ka një vendim të Gjykatës Administrative të Apelit.
Kemi pyetur KPK se sa ka kushtuar dhe sa janë shpenzuar nga buxheti i KPK. Aty na kanë informuar se kanë pasur sponsor privatë dhe kjo ishte më problematikja.
Një institucion kushtetues që bën vetingun e magjistratëve, të sponsorizohet nga privatët, ngjall dyshime.
Pasi Komisioneri për të Drejtën e Informimit dha urdhrin për të dhënë emrin e sponsorit, Apeli i urdhëroi KPK që të vërë në dispozicion dokumentin zyrtar.
Vetë fakti që kemi një sponsor të fshehur nga vjeshta e 2021, ka pasur dhe betejë ligjore sa i takon të drejtës së informimit.
KPK që vendos për fatin profesional të gjyqtarëve mban të fshehtë një sponsor privat dhe shprehet kundër për të drejtën e informimit.
Edhe pas vendimit të Apelit, kërkoi pezullimin e ekzekutimit në Gjykatën e Lartë dhe sërish nuk e ka vënë në dispozicion.
Ngrihen hije dyshimi se kemi një sponsor privat të një institucioni kushtetues.
Kemi një institucion të mirë financuar dhe nuk ka qenë e nevojshme të akomodohen në një resort luksoz nga një sponsor privat për të kryer një mbledhje vjetore për punën e kryer.
Nxjerrin si justifikim se nxjerrja e sponsorit do cenonte punën e komisionit.
Por sponsori ka akomoduar vetëm dietat e tyre dhe akomodimin në hotel dhe nuk ka lidhje me punën e tyre.
Tregon se aty fshihet diçka. Nuk mund të flas pa pasur prova konkrete edhe po ta dija se do ishte jo etike ta thoja, jo profesionale.
Në dokumentacionin që na ka vendosur në dispozicion vetë institucioni, bëhet fjalë për një shoqëri sigurimesh.
Duhet të kemi emrin e sponsorit dhe më pas të verifikojmë nëse ky sponsor ka lidhje me diçka tjetër me komisionin.
Kemi pyetur KPK si është ofruar ky sponsor, si ka mësuar për nevojën e këtij institucioni për financim.
Kur të zbulohet emri i sponsorit, do të zbulohet diçka për arsyet e financimit.
Add new comment