Zhgënjimi i maturantëve që konkurrojnë për shkollë të lartë

Postuar në 18 Tetor, 2022 22:50
Jak Simoni

 

Ndonëse procesi i konkurimit dhe i regjistrimit në programet e studimit të nivelit i të shkollave të larta është mjaft i gjatë dhe të lë përshtypjen e një serie sitash që ndajnë një herë e mirë  “miellin” sipas cilësisë, në të vërtete tek maturantët, një pjesë e mirë e tyre tashmë studentë dhe aspirantë që vijojnë konkurimin, nuk mungon zhgënjimi. Ky zhgënjim ka të bëjë me dyshimin e arsyeshëm se kjo seri sitash nuk bën shpërndarjen e maturantëve sipas meritave reale në programe studimi dhe lë jashtë një herë e përgjithmonë (përjashto arsimin profesional tashmë të shumëkërkuar, sepse shndërron qenien “e padobishme” njerëzore në një qenie të automatizuar mjaft të dobishme) ata nxënës që nuk kanë mesataren e vendosur me Vendim të Këshillit të Ministrave. 

Me këtë vendim qeveritar përcaktuese në këtë proces konkurrimi është mesatarja e shkollës së  mesme, ku dhe mënyra se si llogaritet është parashikuar në  këtë vendim: 50% të vlerës e përben nota mesatare e provimeve të maturës.  

A është tregues real i aftësive të maturantëve kjo mesatare? - Përgjigja është jo, sepse ka nota që janë marrë me kurse të jashtëligjshme, me mik, apo dhe duke kopjuar; ky i fundit është përhapur në masë kudo.

Shikohet dhe një pasojë tjetër e kriterit të mesatares si prag për të vijuar studimet e larta si më poshtë: duke iu referuar statistikave, vihet re se nga viti në vit ka më pak studentë që regjistrohen, kryesisht në disa degë të mësuesisë dhe në degë të tjera të rëndësishme të drejtimit agrar, veterinar etj.

Për të qenë korrekt, ky zvogëlim i numrit të studentëve ka dhe arsye të tjera si tkurrja demografike, emigrimi etj.

Meqenëse u përmend emigrimi, shtoj se pengesa për të studiuar në vendin e tyre përbën një argument më shumë për të  rinjtë që kanë të rrënjosur në mendje idenë e largimit nga vendi. Para se të vendosin për te ikur le të kenë dhe një mundësi të rivendosin veten në provën e zgjerimit të njohjeve shkencore në veçanti, të dijeve në përgjithësi dhe të integrimit shoqëror dhe në vendin e tyre, ku trashëgojnë dhe kanë akumuluar eksperiencat e para të jetës që kushedi mund t’u vlejnë në ndonjë rast gjatë jetës.

Për sa i përket të drejtës për të studiuar, paradoksalisht, disa prej tyre e kanë më të lehtë, së paku për të filluar studimet e kushedi ndoshta dhe për t’i mbaruar, në universitetet perëndimore. Le të shkojnë kush ka dëshirë dhe aftësi, por mos të jenë të detyruar.

Nisur nga të gjitha këto nuk me mbetet gjë tjetër vetëm të bëj thirrje: hiqeni këtë  kriter përjashtues të notës mesatare për të vijuar studimet dhe lëreni të studiojnë ato që kanë apo u lind dëshira për të studiuar.

Në Itali diplomohen tetëdhjetëvjeçarët, këtu universitetet nuk pranojnë tetëmbëdhjetëvjeçarët dhe se kuotat janë.

Ministria le të kontrollojë rregullsinë e procesit të konkurrimit dhe shpërndarjen e studentëve në shkallë vendi me anë të kuotave.

Në ato programe ku numri i konkurrentëve është i madh le të bëhet test pranimi si në shumë vende perëndimore, por serioz jo si këtu. Siç është thënë shpesh, universitetet le të funksionojnë si një hinkë me bazë të gjerë dhe të kontrollohet më shumë dalja dhe fati i tyre në shoqëri sesa hyrja.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.