Europa mbetet pa kokë, as Gjermania dhe as Franca nuk po sillen si liderë të besueshëm
A po e humbet Gjermania rolin e vet të lidershipit në Europë?
Kjo është një pyetje që shtron agjencia gjermane e lajmeve, Deutsche Welle, nisur nga disa shqetësime përherë e më të mëdha mbi sjelljen e Berlinit në raport me krizën ukrainase. Lufta në Ukrainë ka zbuluar për disa një politikë të Gjermanisë në këto dekada, politikë e cila ka krijuar lidhje të forta me Rusinë dhe ka parë nga tregtia me të. Përtej kësaj, politikanë gjermanë kanë patur miqësi dhe lidhje të forta personale me zyrtarë të Kremlinit. Agjencia vëren se në Ukrainë, Poloni, vendet balltike ka një rritje të sentimentit antigjerman për ato që i quan politika tregtare me Rusinë. Në këto vende kanë kuptuar tashmë se edhe kancelari aktual Olaf Scholz nuk do të ndërmarrë veprime ndaj Rusisë, veprime që do të çonin në zhbërjen e nëj politike të ndërtuar në dekada.
Kur shpërtheu lufta, kancelari Scholz shpalli Zeitenwende – një zhvendosje paradigmatike për të theksuar se qeveria gjermane kishte dëshirë të mbështeste Ukrainën. Por Scholz paralajmëroi po ashtu një luftë të tretë botërore dhe hezitoi të dorëzonte armë dhe të pranonte një bojkot të thellë energjetik kundër Rusisë. Kryeministri polak Mateusz Morawiecki e akuzoi madje Scholz se për bllokon sanksione përcaktuese të BE-së
shkruan agjencia.
Natyrshëm lind pyetja se kush mund të drejtojë? Franca? Politikat e Macron kanë përherë diçka si të përzierë brenda, ndonëse lideri francez mëton ta kompensojë këtë me karizmën e vet dhe zgjedhjen e fjalëve kumbuese. Ajo që tashmë po aktualizohet është fakti se Europa nuk mund të bashkëjetojë me dy narrativa: Gjermania dhe Franca, apo edhe vendet e Perëndimit, nuk nxitojnë në postulimin e një rreziku rus, ndërkohë që vendet e Europës Lindore dhe Qendrore e kanë shumë më të ndjeshme këtë pikë. SHBA nga ana e vet po i rikthehet politikës së George W. Bush që shpalli dikur dallimin e Europa e Vjetër, Europa e Re. As Gjermania dhe as Franca nuk po dinë sesi të sillen për t’u konsideruar liderë të vërtetë. As në Europë.
Në përgjithësi politika ndaj Rusisë nuk mund t’i lihet as Gjermanisë dhe as Francës. Vendet e Europës Qendror dhe Lindore duhet të kenë zërin e tyre, sidomos vendet balltike dhe Polonia
shprehet Henning Hoff, studiues në Këshillin Gjerman mbi Marrëdhëniet me Jashtë
Add new comment