Debate për tekstet e reja të historisë në Serbi. Parimi tematik zëvendëson parimin kronologjik
Në Serbi ka një debat të ri në lidhje me reformën në kurrikulat shkollore. Debati është përqendruar në lëndën e historisë, reformimi i të cilës po kundërshtohet me anë të një peticioni të firmosur deri tani nga 1500 persona. Ajo që po kundërshtohet nga grupet e interesit është braktisja e parimit kronologjik të të mësuarit, duke kaluar në parimin tematik.
Duke cituar oponentë të reformës së kurrikulave, Sputnik shkruan se mësimdhënia sipas metodës së re sjell rrezikun që ndërgjegjja historike e brezit të ri të mos formohet më nga shkolla, por nga rruga, shtypi, politika, grupet e interesit ose faktorët ndërkombëtarë. Peticioni në fjalë kërkon anulimin urgjent të programit të reformuar të mësimit të historisë në shkollat e mesme të përgjithshme dhe ato profesionale.
Sipas programit të ri, përmbysja kronologjike në tekstet e historisë bën që, le të themi, në klasën e tretë të shkollës së mesme, nxënësit të mësojnë fillimisht mbi luftën e Serbisë dhe Malit të Zi në luftërat ballkanike ose Luftën e Parë Botërore, dhe vetëm pas kësaj të mësojnë për çlirimin nga sundimi osman dhe themelimin e shtetit serb.
"Jepen njohuritë për Kishën e Krishterë deri në skizmën e vitit 1054, kthehen më pas në Mesjetën e hershme dhe periudhën e skizmës së Kishës. Mësimi tjetër është roli i Kishës Serbe nga shekulli XII deri në XV. Pra, mësohet roli i Kishës Serbe pa mësuar më parë origjinën serbe dhe si u krijua shteti serb. A erdhën nga Marsi këta serbë?", thotë historiania Ljiljana Rakovic.
Një tjetër kritikë e reformës së re ka të bëjë me faktin se tkurret historia kombëtare, në favor të historisë së përgjithshme.
Parimi tematik shtrihet edhe në epokat e historisë së përgjithshme. Kështu, Luftërat Napoleonike mësohen para Revolucionit Francez, dhe idetë e Iluminizmit në fund të kurrikulës së reformuar, në temën e fundit mësimore.
"Gjëja e parë është se luftërat e viteve 1990 dhe shpërbërja e RSFJ -së mësohen në tetor, nëntor. Së pari do të mësoni për shpërbërjen e Jugosllavisë, dhe pastaj në maj, nëse mbetet kohë lejon, do të mësoni se çfarë është nazizmi dhe çfarë është fashizmi, të cilin ju nuk e mësuat para Luftës së Dytë Botërore, por e mësoni në fund të vitit shkollor. Ajo për të cilën po flas është arsyeja kryesore pse u bë e gjithë kjo. Po përpiqen të na japin materiale mësimore që janë përgatitur kryesisht nga OJQ-të”, paralajmëron Ljiljana Rakovic.
Add new comment