Norvegji/ Tre të vaksinuar me AstraZeneca, në spital me simptoma “të pazakonta”
Tre punonjës të sistemit shëndetësor në Norvegji, të vaksinuar kohët e fundit me AstraZeneca, po trajtohen në spital për hemorragji, mpiksje të gjakut dhe rënie të nivelit të trombociteve.
Norvegjia ndaloi të enjten shpërndarjen e vaksinës AstraZeneca, pasi të njëjtën gjë bëri edhe Danimarka. Islanda u bë vendi i tretë që ndoqi shembullin e tyre.
"Ne nuk e dimë nëse rastet janë të lidhura me vaksinën", tha Sigurd Hortemo, një mjek i vjetër në Agjencinë Norvegjeze të Barnave në një konferencë për shtyp.
Të tre individët që patën efekte anësore janë nën 50 vjeç.
Rregullatori evropian i mjekësisë EMA do të kryejë hetime mbi këto tre raste.
"Ata kanë simptoma shumë të pazakonta: gjakderdhje, mpiksje gjaku dhe një numër të ulët trombocitesh në gjak", tha Steinar Madsen, drejtor në Agjencinë Norvegjeze të Barnave.
Kërkesës për informacion të drejtuar nga Reuters, AstraZeneca nuk iu përgjigj.
Para Danimarkës dhe Norvegjisë, Austria ndaloi së përdoruri një seri dozash të vaksinës AstraZeneca, ndërsa po hetonte një vdekje nga çrregullimet e mpiksjes dhe një rast të embolisë pulmonare.
Megjithatë, të enjten e kësaj jave, Agjencia Europiane e Ilaçve, EMA, tha se benefitet e vaksinës i tejkalojnë rreziqet e saj dhe njerëzit nuk duhet të heqin dorë.
Add new comment