Shkeljet e përsëritura të Presidentit Meta, në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

Postuar në 28 Dhjetor, 2020 20:57

Sot në faqen zyrtare të institucionit të Presidenit të Republikës u publikua njoftimi (link) se Presidenti emëroi si anëtare të Gjykatës Kushtetuese znj.Sonila Bejtja në pozicion e mbetur vakant për shkak se gjyqtari i mëparshëm, i zgjedhur po nga Presidenti i Republikës nuk arriti të kalonte procesin e rivlerësimit kalimtar.

Ky njoftim pason publikimin e dekretit për emërimin e z.Përparim Kalo si anëtar i Gjykatës Kushtetuese me datë 23.12.2020 (link). Në të dyja rastet emërimi është bërë brenda ditës që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka dërguar propozimet përkatëse. Në këtë pikë nga shpejtësia Presidenti i Republikës ka “harruar” që të zbatojë Ligjin nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, ku në nenin 7/b, pika 4 të tij ndër të tjera parashikohet se:

Dekreti i emërimit shpallet i shoqëruar me arsyet e përzgjedhjes së kandidatit.

Në rastin e emërimit të datës 23.12.2020 në faqen zyrtare të internetit të institucionit të Presidentit të Republikës, është publikuar vetëm “Dekreti i emërimit”, por jo arsyet e përzgjedhjes së kandidaturës përkatëse në raport me kandidaturën tjetër. Pra, Presidenti i Republikës ende nuk na i ka njoftuar arsyet se përse përzgjodhi një kandidat në raport me një kandidat tjetër.

Në rastin e dytë, atë të sotmin, nuk u publikua ndonjë dekret por një njoftim, i cili normalisht nga ana juridike nuk ka vlerën e dekretit. Por edhe në këtë rast nuk u publikua asnjë arsye se përse Presidenti Meta vendosi ta pranojë të vetmen kandidaturë të paraqitur nga KED. Ai ndoshta në këtë rast, duke mos pasur mundësi zgjedhjeje dhe duke refuzuar që “t’i lidhen duart” siç ka pretenduar gjithmonë, kishte të drejtë që ta refuzonte këtë procedurë pasi ligji organik i Gjykatës Kushtetuese kërkon që lista të jetë me tre anëtarë. Pra në këtë rast vetë Presidenti nuk kishte realisht mundësi të zgjidhte. Gjithashtu edhe nëse kandidatura është e përkryer kjo duhej të sqarohej në arsyet që duhet të shoqëronin dekretin e emërimit.

Pra, sjellja e Presidentit Meta, në dy emërimet e fundit paraqet këtë situatë: Emërimi bëhet brenda ditës dhe i pa shoqëruar me arsyet përkatëse. Nga kjo situatë lindin normalisht këto pyetje:

1. Si pati mundësi Presidenti i Republikës që të verifikonte dosjen e kandidatëve brenda disa orëve ndërkohë që KED iu dëshën muaj të tërë?

2. Pse dekretet nuk shoqërohen me arsyet përkatëse siç e kërkon ligji? Mos ndoshta Presidenti është mbi ligjin? Apo mos ndoshta zbatoi parimin e përzgjedhjes në fillim të emrit dhe pastaj le të mendojmë për arsyen pse e emëruam?

Nuk mund të pretendohet se Presidenti i besoi gjykimit të KED pasi sjellja e tij tregoi se në vitin 2019 nuk përzgjodhi kandidaturën e parë por gjithmonë kandidaturat e fundit. Pa dashur të vejmë në diskutim integritetin e personave te emëruar, i cili do të tregohet nga menyra si do të veprojnë në institucion më të rëndësishëm kushtetues në vend, Presidenti Meta me sjelljen e tij në kundërshtim me normën ligjore duhet të sqarojë se mos përzgjedhja e kandidaturave ka qenë apo jo paracaktuar? Në këtë pikë, nisur nga kjo sjellje mbiligjore e Presidentit të Republikës duhet të shtrohet për diskutim nevoja për miratimin e një ligji organik për institucionin e kreut të shtetit.

e.m.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.