Dështim frustrues i presidencës gjermane të BE-së

Postuar në 21 Dhjetor, 2020 11:53
Augustin Palokaj

 

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pasi dëgjoi fjalimet e kolegëve, u ngrit dhe tha me zë të fortë: Kosova i ka përmbushur kushtet. Komisioni Evropian e ka konfirmuar këtë. Edhe ekspertët tanë nga Gjermania, pas hetimeve shtesë, kanë ardhur në përfundim se vizat duhet të liberalizohen edhe për kosovarët. Ne kemi më së shumti kosovarë në tokën tonë nga të gjitha shtetet e BE-së. Prandaj, duam që të gjithë të pajtoheni që Këshilli të marrë vendimin që edhe për qytetarët e Kosovës të hiqen vizat, ashtu siç ka propozuar Komisioni Evropian dhe siç ka kërkuar Parlamenti Evropian. Dhe pas kësaj u kërkua nga ministrat e Brendshëm që ta formalizojnë këtë vendim”.

Kështu ndoshta dikush e kupton mënyrën se si funksionojnë gjërat në Bashkimin Evropian. Por nuk ndodh ashtu. Së paku nuk ndodh ashtu nëse në pyetje është një vendim, i cili për Gjermaninë nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është ngritur në nivelin e shefave të shteteve. Nuk është ngritur as në atë të ministrave. E madje, edhe në grupet punuese, në nivel të diplomatëve më të ulët, nuk është vërejtur ndonjë angazhim i Gjermanisë që të liberalizohen vizat për Kosovën. Gjermania nuk ka dhënë asnjë arsyetim. Nuk ndien as nevojë të japë arsyetim. Sepse Gjermania nuk ka premtuar asgjë. Vetëm ka thënë se ajo vetë është në favor të një vendimi të tillë, porse ka shtete që nuk pajtohen. Më datën 30 qershor, një ditë para se Gjermania ta marrë kryesimin e BE-së, një diplomat i lartë gjerman kështu i ishte përgjigjur pyetjes së “Kohës Ditore” rreth mundësive për liberalizim vizash gjatë kryesimit të tyre:

Ne do të shikojmë nëse ekziston një mbështetje e tillë nga vendet anëtare. Nëse po, atëherë do ta vendosim në rend të ditës liberalizimin e vizave. Nëse jo atëherë do të vazhdojmë të punojmë prapa skenës”, ka thënë diplomati i lartë gjerman.

Prej atëherë nga Presidenca gjermane as që janë lodhur të përgjigjen në pyetjet e gazetarëve rreth kësaj teme. Është shumë e pazakonshme, dhe as vetë nuk do ta kisha besuar sikur të mos e kisha provuar edhe vetë, që në pyetje të dërguara përmes postës elektronike nga Presidenca gjermane të mos përgjigjen fare. Pos që është joprofesionale është edhe kundër traditës gjermane për precizitet dhe korrektësi, çfarëdo të kishte qenë përgjigja.

Në mungesë të sqarimeve mund vetëm të spekulojmë se pse Gjermania e harroi çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Dikush do të thoshte për shkak se merrej me pandeminë. Dikush tjetër se ishte e zënë me çështjen e Brexit-it. I treti se Gjermania e kishte fokusin te miratimi i Kornizës shumëvjeçare financiare dhe fondit për rimëkëmbje. Por, Gjermania është shtet i organizuar. Diplomacia e tyre në Bruksel dhe Qeveria në Berlin, kanë aq shumë kapacitete njerëzore saqë mund të merren me shumë tema në të njëjtën kohë. Përfshirë edhe me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në vend të ndonjë kërkese serioze, të argumentuar dhe duke u thirrur në rekomandime të Komisionit Evropian dhe mbështetje të Parlamentit Evropian, duket se përpjekja gjermane, nëse ka pasur një të tillë, ka qenë më shumë në stilin:

Ju lutem, nëse ka mundësi. A mund të na thoni se çfarë mendoni ju për propozimin për liberalizimin e vizave për Kosovën?”- Përgjigja në këtë, nga ndonjë shtet, ka mundur të jetë “mendojmë se do të ishte një hap tepër i nxituar”. “Atëherë na falni ju lutem për shqetësim. Vazhdojmë me temat e tjera!” ka mundur të ketë qenë reagimi i Gjermanisë si kryesuese e radhës në grupe punuese në Këshill, aty ku ka ngelur peng tash e dy vjet vendimi për liberalizimin e vizave e që nuk e lëvizi as Gjermania e fuqishme.

Kur e mori kryesimin e BE-së Gjermania, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë në Ballkan, u rrit optimizmi se do të bëjë diçka për liberalizimin e vizave dhe zgjerimin e BE-së. Vërtet gjermanët tërhiqnin vërejtjen që të mos ketë “pritje të mëdha”. Por, dështimi gjerman ishte aq frustrues saqë parashtrohet pyetja se a ka bërë vërtet Gjermania përpjekje për ta arritur ndonjë sukses. Nuk mbahet mend që ndonjë Presidencë e BE-së të ketë dështuar kaq shumë. Kjo nuk është frustruese vetëm për Gjermaninë, pa dyshim shtetin më të fuqishëm të BE-së, por më shumë për vendet e Ballkanit e sidomos për Kosovën.

Pos frustrimit pse liberalizimi i vizave dështoi, kosovarët mund të jenë të zhgënjyer edhe për frikën se kjo nuk do të ndodhë fare në një të ardhme të afërt. “Kush nëse jo Gjermania mund ta shtyjë këtë?” - është pyetje e drejtë që mund ta bëjnë.

Në përgjithësi, në procesin e zgjerimit, Presidenca gjermane ishte një ZERO e madhe. Asnjë vendim. Nuk u miratua as Korniza negociuese për Maqedoninë e Veriut e as për Shqipërinë. Mali i Zi dhe Serbia nuk hapen e as nuk mbyllën asnjë kapitull negociues. Kosova nuk mori liberalizimin e vizave. Gjermania nuk qe në gjendje të arrijë as konsensusin në Këshill për miratimin e konkluzioneve për zgjerim, ani pse me to BE-ja nuk do të merrte asnjë detyrim formal.

Dialogu i lehtësuar nga Miroslav Lajçaku, të cilin Gjermania aq fuqishëm e mbështet, vetënumëroi, më shumë ktheu procesin prapa sesa e avancoi dhe shërbeu vetëm për të kërkuar tash një mandat të ri për Lajçakun, pasi për tre muaj i skadon i pari njëvjeçar.

Faji është edhe te kosovarët. U rrëzua qeveria midis pandemisë. Këtu u injoruan edhe kërkesat e Gjermanisë dhe Francës që kjo të mos bëhet. U shua Task-forca kundër korrupsionit në Ministrinë e Brendshme. Nuk pati vendime të prera për rastet e korrupsionit në nivelin e lartë e as konfiskime të pasurisë. Por, për fajin e kosovarëve një herë tjetër. Edhe ashtu ata që janë fajtorë nuk e kanë problem t’i marrin vizat, për vete dhe familje, apo të pajisen me pasaporta të Shqipërisë. Peng mbeten qytetarët.

Gjermania i kishte të gjitha argumentet për të punuar pak në favor të Kosovës. Nuk e bëri këtë. Ose provoi, por dështoi. Por mund të bëjë përpjekje edhe tash kur nuk e ka presidencën e radhës. Sepse, fuqia e Gjermanisë në BE është më e madhe, sesa mundohen të na bindin diplomatët nga ky shtet. Kur Gjermania vërtet të argumentojë fuqishëm, atëherë gjasat janë më të mëdha që të ketë sukses sesa kur i thuhet Kosovës që vetë të punojë për ta bindur Francën. Ndoshta, kur nuk e ka presidencën, Gjermania do ta ketë edhe më të lehtë, sepse nuk e ka obligim të mbajë qëndrim neutral. E në Kosovë edhe tash duhet ta dinë se, nëse nuk angazhohet Gjermania, sinqerisht dhe seriozisht, liberalizim nuk do të ketë.

Burimi: Koha Ditore

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.