A ka më mure në Europë?*

Postuar në 12 Tetor, 2020 18:44
Jordan Jorgji - Pedagog i Studimeve Ndërkombëtare, Evropiane dhe Rajonale në Universitetin Fan S. Noli, Korçë

 

3 Tetori i këtij viti shënoi 30 vjetorin e ribashkimit të Gjermanisë, i paraprirë nga 30 vjetori i rënies së murit të Berlinit në 9 Nëntor të vitit të kaluar. Më poshtë vijojnë disa mendime mbi simbolikën e murit, si dhe ekzistencën e mureve të tjera që ndajnë shtetet sot, tre dhjetëvjeçarë më vonë nga ngjarjet e viteve 1989-1990.

  1. Simbolika e Murit të Berlinit

Ndërtimi i murit të Berlinit përbën produkt të Luftës së Ftohtë, ashtu si rënia e tij simbolizoi përfundimin e kësaj lufte. Ndërtimi dhe ekzistenca e murit ishte diçka normale për atë periudhë, ku kriza mes dy superfuqive u vu në sprovë disa herë gjatë viteve 1948, 1952, dhe më në fund në vitin 1961 kur muri u ngrit brenda pak ditësh. Një mur që ndante dy shtete gjysmë independente, Gjermaninë perëndimore pro-amerikane dhe atë lindore pro-sovjetike.

Rënia e murit ishte dhe vazhdon të mbetet një stacion i rëndësishëm historik dhe simbolik se popujt nuk mund të rrinë dot pa liri, veçanërisht pa lirinë për të lëvizur lirshëm. Përveç Gjermanisë, muri ekzistonte - edhe pse nuk dukej me sy të lirë - në pjesët e tjera të bllokut komunist, përfshirë vendin tonë, ku njerëzit që tentonin të kalonin kufijtë, pra të lëviznin lirshëm, përndiqeshin apo ekzekutoheshin. Mure të tilla shkelin lirinë, dinjitetin dhe të drejtat njeriut. Megjithatë, këto ngjarje janë të turbullta në memorien e pjesës më të madhe të të rinjve të viteve 1980, sot afër moshës së tretë, për të mos folur më pas për rininë e sotme, ku nuk ekziston një ide e qartë mbi historinë dhe simbolikën e murit të Berlinit.

  1. Aspekti gjeopolitik i murit

Bashkimi i Gjermanisë dhe rënia e regjimeve sovjetike janë mbase ndryshimi më i madh në arenën globale gjatë shekullit të 20-të. Në fund të vitit 1990, Evropa dhe bota u zgjuan tërësisht ndryshe nga ajo çfarë ato ishin një vit më parë.

Gjatë Luftës së Ftohtë, dhe duke folur gjeopolitikisht, ndarja e Gjermanisë i krijonte hapësirë të madhe veprimi Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar në Evropë. Nga ana tjetër, SHBA pati një rol të madh në mbrojtjen e Berlinit perëndimor, qoftë me furnizime materiale, por edhe për sa i përket zhvillimit ekonomik dhe demokratizimit të Gjermanisë perëndimore. Nëse deri diku heqim rastin e Rumanisë, rënia e murit dhe e sistemeve pro-sovjetike ishin revolucione paqësore ku nuk u derdh gjak, ngjarje të cilat i paraprinë reformave demokratike në të gjithë Evropën lindore dhe juglindore. Problemet nisën më vonë, gjatë tranzicionit demokratik.

  1. Gjermania pas Luftës së Ftohtë

Bashkimi i kombit gjerman i dha hov procesit të zgjerimit, thellimit dhe integrimit të Bashkimit Evropian. Gjermania u lidh fort me idenë dhe rrugëtimin e BE-së, duke zbutur në këtë mënyrë nacionalizmin e së kaluarës dhe tendencat hegjemoniste.

Sot Gjermania është një vend sovran, me një prezencë të fuqishme në Evropë, duke fituar personalitetin e vet brenda kontekstit të Bashkimit Evropian. Një rrugëtim që gjithashtu qetësoi shtetet e tjera të BE-së, kryesisht Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilat nuk patën nguruar të shfaqin shqetësimin e tyre për bashkimin e Gjermanisë. Bashkimi monetar i BE-së në Traktatin e Maastrihtit i dedikohet deri diku si rezultat ribashkimit të Gjermanisë. Sot, Gjermania është prodhues i sigurisë ndërkombëtare dhe jo më konsumues i saj, siç ndodhte në periudhën e Luftës së Ftohtë. Kjo përkthehet në një rol më të madh për Gjermaninë, deri në deçisiv do të thoshim, brenda Bashkimit Evropian (përmendim këtu krizën greke dhe çështjen e zgjerimit), si dhe angazhim e saj në misionet ushtarake ndërkombëtare, Afganistan, Irak dhe Mali. Kujtojmë që angazhimi i Gjermanisë në Kosovë dhe Afganistan, përbën herën e parë që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore që Gjermania merr pjesë aktivisht në çështjet e sigurisë. Kjo do të ishte e paperceptueshme të ndodhte gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. E thënë me fjalë të tjera, militarizimi i Gjermanisë sot po ndodh në kuadrin e NATO-s, ashtu si aktivizimi politik i saj vazhdon të zhvillohet brenda kuadrit të BE-së. Diplomacia gjermane është e angazhuar në marrëdhëniet e saj me Rusinë, Turqinë dhe Ballkanin perëndimor, në çështje si stabiliteti i Ukrainës, politika e jashtme problematike e Turqisë në Egje, Mesdheun Lindor dhe Lindjen e Mesme, si dhe procesi ‘Berlin plus’ për integrimin evropian të Ballkanit.

  1.  Ekzistojnë ndarje në Gjermani sot?

Një pyetje që me të drejtë ngrihet është nëse ekzistojnë ndarje mes pjesës perëndimore dhe lindore të Gjermanisë? Përgjigjja është po. Pas bashkimit të një kombi vihen re diferenca ekonomike, social-kulturore dhe politike, diferenca që simbolizojnë edhe vetë heterogjenitetin që ekziston mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, dhe veçanërisht mes vendeve të pasura nga njëra anë dhe më pak të pasura nga ana tjetër. Vlen të theksohet se me gjithë transferimet e mëdha të resurseve nga pjesa perëndimore e Gjermanisë drejt asaj lindore qysh prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, të ardhurat për frymë në pjesën lindore janë afërsisht sa 70% e të ardhurave të pjesës perëndimore, ku edhe papunësia është më e lartë në lindje. Pra, edhe pse të ardhurat në lindje janë katërfishuar në krahasim me periudhën e Luftës së Ftohtë, mbetet akoma shumë punë për tu bërë në menaxhimin e pabarazive.

Ky lloj hendeku funksionon edhe në fushën kulturore dhe politike, ku partitë ekstremiste gjejnë përkrahje më të madhe në Gjermaninë lindore, edhe pse ekstremiteti politik nuk është ekskluzivisht fenomen lindor, pasi prurjet e mëdha të imigrantëve kanë krijuar vatra pakënaqësie përtej Lindjes, kryesisht në rajonin e Bavarisë. Diferencat midis perëndimit dhe lindjes pasqyrojnë në një farë mënyre problemin e kulturës politike në vendet e ish bllokut komunist, përfshirë edhe Shqipërinë, ku regjimet post-socialiste patën dhe vazhdojnë të kenë tendenca të autoritarizmit politik. Kjo, kombinuar edhe me sindromën e ksenofobisë dhe nacionalizmit, të cilat vazhdojnë të mbeten të konsoliduar si rrjedhojë e izolimit të këtyre shoqërive për shumë dhjetëvjeçarë me radhë.   

  1. Po mure (të tjera) të padukshme a ka?

Mure të padukshme sot janë ekstremizmi dhe populizmi nativist në vende si Hungaria, Polonia, Gjermania, si dhe nacionalizmi dhe autoritarizmi në shtete që aspirojnë të hyjnë në Evropë. Vëmë re se forcimi i autoritarizmit dhe ekstremiteteve politike janë lehtësuar edhe nga kriza që ka pësuar socialdemokracia në Evropë, duke përfshirë partinë socialdemokrate në Gjermani. Kujtojmë fuqinë e kësaj partie në të kaluarën, në drejtimin e kancelarëve si Helmut Schmidt, Willy Brandt dhe Gerhard Schröder.

Muri që duhet shembur është intoleranca dhe ekstremizmi në botën perëndimore, pra radikalizimi i dhunshëm që i ndodh vijës imagjinare mes ‘ne’ dhe ‘të huajve’, ‘armiqve’, mes tyre dhe kryesisht imigrantëve. Intoleranca dhe urrejtja pasqyrohet përmes forcave politike me karakter ekstremist dhe të dhunshëm, siç është e djathta ekstreme AfD dhe Pegida. Përmendim këtu rëndësinë kombëtare dhe evropiane që ka gjyqi i zhvilluar kohët e fundit në Greqi, ku partia e ekstremit të djathtë ‘Agimi i Artë’ u shpall organizatë kriminale dhe u ndalua si e tillë.

Gjithashtu, një mur akoma më i madh është ai që ndan sot botën e zhvilluar nga ajo e prapambetur ekonomikisht. Duhet pranuar se ndarjet e mëdha qëndrojnë të tilla për shkak të getoizimit ekonomik të hapësirave të tëra, të njohura në literaturën e shkencës politike me termin ‘jugu global’. 

Edhe pse sot simbolizmi i lirisë në shembjen e murit nuk ka më vlerën e dikurshme, mesazhi mbetet i ngjashëm: ‘Liri-Demokraci’, si dhe dhënie fund për ndarje artificiale në shoqëri që konsiderohen të zhvilluara. Muret që duhen shembur janë, mes të tjerash, rreziqe konkrete për demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

*Titulli i autorit: 30 vite nga rënia e Murit të Berlinit dhe bashkimit të Gjermanisë: a ka mure të tjera ndarës?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.