Kombit tonë i kërkohet të dalë nga lëkura e vet

Postuar në 13 Tetor, 2018 12:12
Milazim Krasniqi

Nëse bën të thuhet fjala e fundit si e para, atëherë mund të thuhet se shqiptarët si komb nuk kanë të ardhme të mirë. Natyrisht, duke shtuar menjëherë edhe këtë pjesë të mendimit: me këto mend që i kanë! Pra, me këto mend, me të cilat udhëhiqemi sot, ne shqiptarët të ardhmen nuk e kemi aspak të sigurt. (Meqë çdo hipotezë kërkon argumentim, që të shndërrohet në tezë, në vazhdim do të bëj përpjekje që të sjellë disa argumente për këtë hipotezë realiste, por që tingëllon si skepticiste e pesimiste.)

Fillimisht një digresion, për një fakt, të cilin mund ta kenë në majë të gjuhës demagogët e papërmirësueshëm: kombi shqiptar në këto dy deceniet e fundit i ka zgjeruar hapësirat e veta, me pavarësimin e Kosovës. Shumica e shqiptarëve jetojnë në demokraci dhe janë pjesë e familjes së madhe euro-atlantike. Pra, ky është një fakt. Por, kjo është kornizë e realitetit, e jo realiteti i plotë. Pse?

Fuqia e pamjaftueshme dhe kriza e mendimit

Sepse Kosova nuk është çliruar nga fuqia e shqiptarëve, po nga NATO-ja  dhe, për këtë shkak, vazhdon të jetë e papranuar si shtet nga OKB-ja, nga BE-ja, nga OSBE-ja e, madje, edhe nga vetë NATO-ja. Bile, tashmë janë hapur edhe projeksione ogurzeza për të ardhmen e saj, që mund të shkojnë edhe në drejtim të zhbërjes së saj si shtet. E dyta, edhe demokracia është imponuar nga zhvillimet gjeopolitike në Europën Lindore, e jo si një proces i brendshëm i shoqërive shqiptare a i kombit shqiptar. Bile, dekontaminimi i elitave nga ideologjia marksiste dhe adresimi ligjor i krimeve të komunizmit, nuk kanë ndodhur ende, siç ka ndodhur në shtetet e tjera të ish bllokut komunist. Pra, kombi shqiptar nuk i ka realizuar me fuqinë e vet projektet për të cilat krekosemi. Meqë nuk i ka realizuar me fuqinë e vet, ka mbetur ne pozitë neokoloniale, veçmas Kosova, po edhe në pozitë inferiore si komb në përmasat europiane. Nga një pozicion dhe konfuzion i tillë, kombi ynë as nuk ka arritur që të formojë një mendim të përpunuar për atë që ka ndodhur. Prandaj, edhe mund të thuhet se kriza më e madhe aktuale e neve shqiptarëve si komb është kriza e mendimit. Rrallë bën vaki të gjendet edhe një komb i dytë në faqe të tokës, që krahas ndryshimeve që i kanë ndodhur, falë ndihmave të huaja dhe koniukturave të ndryshuara gjeopolitike e gjeokulturore, të mos i ketë shoqëruar ato ndryshime me ndryshimin e mendimit për veten, për realitetin dhe për botën, kjo në pajtim me kohën në të cilën jeton. Për dallim nga koha e Rilindjes Kombëtare, kur mendimi kulturore politik u parapriu projekteve të kombformimit e të shtetndërtimit, në kohën tonë ka një ngurtësim në mënyrat e deplasuara të mendimit, ashtu që shumica e çështjeve me të cilat përballemi ne shqiptarët e sotëm nuk marrin fare përgjigje adekuate. Me gjithë këto universitete, kolegje, institute dhe medie, kjo krizë e mendimit kulturor, akademik e politik është paradoks më vete.

Narracionet e mëdha që i fshehin dështimet e mëdha

Besoj se kjo krizë e rëndë e thellë e mendimit i ka dy burime: i pari është modernizmi dhe i dyti është marksizmi, që realisht është derivat i modernizmit, por që ka prodhuar një shkallë shumë më të lartë të deformimit të të menduarit ndër ne shqiptarët. Pra, ai mendim që ekziston, sigurisht i deplasuar dhe i deformuar, mbështetet në shtyllat ideologjike te modernizmit dhe marksizmit dhe, si i tillë, nuk është adekuat as me realitetin dhe as me kohën. Fjala vjen, konceptimi modernist mbi kombin dhe shtetin ende shkon në atë drejtim që e glorifikon kombin dhe shtetin, si autoritet suprem, mbi çdo vlerë tjetër. Që këndej e kanë burimin edhe idetë aventuriste irredentiste për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si edhe ideja e çoroditur për “korrigjimin” e kufijve të Kosovës në drejtim të Luginës së Preshevës. Pra, në fokus të mendimit e të ideve dominuese nuk janë njerëzit, nuk janë shoqëritë, por është ideja autoritetit suprem të kombit.

Në vazhdën e kësaj janë edhe narracionet e mëdha për heroizmat e paparë të shqiptarëve përgjatë historisë. Mendimi hileqar modernist tenton të fabrikojë skenderbegizimin e mjerimit të sotëm politik, nënëterezizimin e mjerimit të sotëm social, UÇK-izimin e imoralitetin të sotëm politik, alibinë e kanabisizimi dhe kriminalizimit të Shqipërisë, etj. Fjala vjen, shënimin e 500-vjetorit të Skenderbeut e pompojnë pseudointelektualë hipokritë me prejardhje marksiste dhe politikanë të korruptuar e të kriminalizuar. Natyrisht, mesazhet e tyre nuk ngjisin, për shkak të imoralitetit të tyre.

Faktikisht, këto narracione të shpifura përdoren për të fshehur dështimet e sotme të elitave, për të amnistuar krimin dhe për të propaganduar gjërat që nuk janë. Këta propagandues modernistë, të dalë jashtë boje, flasin për kombin shqiptar si kombin më të vjetër të Europës, i cili gjoja na e paskësh mbrojtur Europën (kur nuk ka mundur ta mbrojë veten!), flasin për pastërtinë eternale të kombit e lloj-lloj budallallëqesh të kësaj natyre, me çka i afrohen goxha fort edhe konceptit racist për kombin, të periudhës mes dy luftërave botërore.

Brenda sfondit të këtyre narracioneve moderniste, tërësisht të deplasuara, është edhe antifetarizmi, me theks te islamofobia, si një epidemi më kutërbuese sesa kolera. Mizëri profesorësh universitarë, shkrimtarësh, gazetarësh, filozofësh, piktorësh e politikanësh, vazhdojnë ofensivat tipike moderniste kundër fesë, duke dëshmuar se janë jashtë realitetit, jashtë kohës në të cilën jetojnë. Disa kanë mbetur peng të doktrinës hoxhiste për shndërrimin e Shqipërisë e të shqiptarëve në shtet-komb ateist e disa kujtojnë se Vatikani ka qejf të dëgjojë idiotësitë e tyre, pa ua kërkuar fare.

Antimendimi i këtyre elitave moderniste-marksiste po ashtu afirmon verbërisht materializmin, si gjoja të vetëmjaftueshëm për të na çuar sigurt në ardhmëri. Bile, ka ndër ta edhe teveqelë, që ende flasin për nevojën e industrializimit dhe për fuqizimin e kombit në konfrontim me shtete si Turqia dhe shtetet arabe, që në realitet janë shtete aleate të shqiptarëve.

Ne thjesht jetojmë në një kohë tjetër

Përderisa elitat shqiptare dërdëllisin këso narracionesh moderniste/marksiste, ne jetojmë thellë në kohën e postmdernizmit, ku narracionet e tilla për kombin, për  shtetin, për besimet fetare dhe për aleancat, janë dekonsruktuar. Koha postmoderne dhe mendimi që e reflekton realitetin postmodern mbështeten në një vistër tjetër vlerash, që nga skepticizmi ndaj të kaluarës, ku bën pjesë edhe modernizmi, e deri te liria e individit dhe raporti i tij me shtetin e me identitetet e shumta. Fatkeqësisht, ne shqiptarët ende nuk kemi përgjigje për dilemat dhe sprovat e kësaj kohe, as në fushën e mendimit intelektual, as të vlerave artistike, as të mendimit filozofik, as të arkitekturës, as të mendimit politik. Me mendim ne jetojmë më shumë në të kaluarën sesa në të sotmen. Ndërkaq, e sotmja e kombit shqiptar dhe e entiteteve, që quhen “shtete shqiptare”, ka nevojë për mendim të përpunuar lidhur me këtë gjendje (Lyotari e pati quajtur “gjendje postmoderne”.)

Minimalisht do të duhej të përpunohej mendimi lidhur me lirinë dhe përgjegjësinë e individit shqiptar në kohën e lirisë dhe të internetit. Meqë identitetet e brishta në këto realitete zvetënohen, duhet të analizohet se si mund të mbrohen e të kultivohen ato. Këta të rinj shqiptarë, që po duan të ikin nga sytë këmbët, kanë ardhur në këtë gjendje tjetërsimi kombëtar e fetar mu nga mungesa e mendimit dhe frymëzimit. Ndryshe nuk do të kishin kaq pasion që të ikin nga identiteti i vet, nga vetvetja. Pra, në këtë aspekt është e qartë se mungesa e mendimit adekuat politik, shkencor, artistik e intelektual, i ka shtyrë ata drejt zhgënjimit, më tutje drejt dealbanizimit kulturor e fetar. Si duhet t’i qasemi këtij realiteti të hidhur? Me dogma për pastërtinë e kombit, për figurat e mëdha, për heroizmat ndër shekuj? Jo.

Koha në të cilën jetojmë kërkon mendim të përpunuar edhe lidhur me familjen shqiptare, e cila ka filluar të luhatet nga shprishja morale, nga egoizmi, hedonizmi e konsumerizmi. Studimi i traditave tona dhe i përvojave pozitive në botë do të ndihmonte në ruajtjen e këtij institucioni vendimtar për identitetin tonë. Gjithsesi në këtë sfond duhet të studiohet dhe të pranohet roli i besimeve fetare në forcimin e kohezionit dhe stabilitetit kolektiv, si edhe të stabilitetit emocional e shpirtëror individual. Toleranca është njëra nga vlerat themelore të kohës në të cilën jetojmë, prandaj ajo duhet të afirmohet e të bëhet pjesë e diskursit dominues në arsimin publik, në medie, në komunikimin politik e fetar. Përfundimisht, duhet të kuptohet se intoleranca dhe fushatat denigruese, veçmas ndaj fesë islame, vetëm sa e rrënojnë kombin shqiptar, i cili në fillimet e veta dhe në gjithë historinë si është komb, është identifikuar si komb me shumicë muslimane. Ky komb nuk mund të dalë nga historia e vet, nga lëkura e vet! Nëse ky fakt nuk respektohet e nuk kultivohet, në të ardhmen kombi shqiptar jo vetëm që do të zvetënohet edhe më shumë moralisht, por do të mund të rrallohet në mënyrë të pariparueshme edhe demografikisht. Rasti i shqiptarëve të Sanxhakut është i dhimbshëm  dhe shumë ilustrues, ndonëse historianët tanë markistë nuk e kanë studiuar fare. Thjesht, nuk ka të ardhme të ndritur për kombin shqiptar pa fenë islame si pjesë përbërëse e identitetit te tij, meqë kjo është feja e shumicës së shqiptarëve.

Për çfarë të ardhmeje mund të shpresojmë?!

E sigurt është që në të ardhmen e kombit tonë ndikojnë edhe faktorët të jashtëm gjeopolitikë e gjeokulturorë. Perspektiva europiane dhe atlantike ka ndikim direkt dhe, realisht, brenda kësaj ombrelle e ardhmja e kombit tonë është më e sigurt sesa jashtë saj. Meqë dinamika e ndryshimeve në botë është e madhe, duhet të studiohen të gjitha zhvillimet që të parandalohen rreziqet dhe që të përfitohen favoret e një bote që po ndryshon. Po qe se do të studiohen me kujdes e me saktësi krizat dhe projektet, mund të menaxhohen më mirë ose të amortizohen efektet e dëmshme ose armiqësore të tyre. Pra, nëse nuk ndryshon qëndrimi ynë ndaj dijes, nëse ajo nuk vihet në shërbim të nevojave dhe projekteve aktuale, ne nuk kemi të ardhme të sigurt e aq më pak të ndritur. Kjo është fusha e betejës për të ardhmen, e jo narracionet bajate e idiotike nacional-romantike për, gjoja, të kaluarën e ndritur, përderisa zhgërryemi në moçalin e mjerimit të së tashmes dhe faktikisht pa të ardhme. Thënë edhe më thjesht: nëse këta 60 për qind të të rinjve shqiptarë të Kosovës, që janë shprehur se dëshirojnë ta braktisin vendin, ikin me të vërtetë, atëherë ku është e ardhmja e Kosovës?! Te pleqtë gjysmë të matufosur, që ende kanë nostalgji për komunizmin jugosllav? Jo fort më mirë është gjendja edhe në Shqipëri, ku nostalgjikët enveristë luten të rrojë e kaluara, ndërsa të rinjtë jetojnë pa shpresa reale për të ardhmen, kjo në një vend ku prodhimi më rentabil është kanabisi.

Për çfarë të ardhmeje mund të shpresojmë nëse nuk e zëvendësojmë ideologjinë arrogante të modernizmit e marksizmit me njohjen kritike dhe me menaxhimin adekuat të realitetit në të cilin jetojmë?

Burimi: Revista "Shenja"

Comments

Submitted by 1.2.3.4. (not verified) on

"Bile, ka ndër ta edhe teveqelë, që ende flasin për nevojën e industrializimit dhe për fuqizimin e kombit në konfrontim me shtete si Turqia dhe shtetet arabe, që në realitet janë shtete aleate të shqiptarëve."

Erdogani mire eshte? Te fala jepi!

Haxhiu (Qamili)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.