Sejko nis luftën me euron
Banka e Shqipërisë synon uljen e përdorimt të euros në nivele të pranueshme për ekonominë. Pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës, guvernatori Gent Sejko tha se procesi i deeuroizimit është i nevojshëm dhe dobiprurës si për përmirësimin e efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare ashtu edhe për uljen e rreziqeve të stabilitetit financiar. Në këtë kuadër do të merren disa masa që lidhen me kufizimin e përdorimit të euros nga bankat e nivelit të dytë, sidomos sa i përket kredidhënies.
“Studimet dhe analizat tona evidentojnë se përdorimi i valutave të huaja në sferën e aktivitetit të brendshëm ekonomik financiar është në një shkallë relativisht të lartë. Ky fenomen lidhet si me përdorimin e lartë të valutave në transaksionet tregtare, ashtu edhe me përdorimin e lartë të tyre si mjet kursimi, në formën e depozitave bankare, apo edhe si mjet financimi, në trajtën e kredimarrjes në valutë”- deklaroi Sejko në konferencën pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës
Një pjesë e madhe e monedhës europiane dyshohet se është reflektim i aktivitetit të madh që lidhet me trafikun e kanabisit në vend. Përfitimet kryesisht në monedhë europiane janë injektuar në ekonomi kryesisht në sektorin e ndërtimit, por zyrtarisht nuk ka ende një raport të saktë se cili është burimi më i madh i monedhës euro në Shqipëri.
Add new comment