Tani me një leksion mbi (anti)kapitalizmin
Gazeta “Mapo” raporton për botimin nga shtëpia botuese “UET” dhe i ashtuquajturi “Instituti Pashko”, të dy librave me autor Ludwig von Mises: “Politikat ekonomike” dhe “Mentaliteti anti-kapitalist”.
Përtej promovimit të zhurmshëm që është metoda dhe parimi në kësi rastesh, tërheq vëmendjen fakti se librat janë pajisur me një pasthënie nga biznesmeni Samir Mane. Citohet Mane në pasthëniet e veta:
Në gjithë jetën dhe aktivitetin tim në biznes, mësimi më i madh dhe konkluzioni kryesor që kam nxjerrë është se, garantimi i lirive ekonomike e politike, veçanërisht liria e tregut dhe sipërmarrjes, aplikimi i drejtë dhe i saktë i rregullave dhe institucioneve të kapitalizmit janë rruga më e mirë dhe më e sigurtë që një vend të zhvillohet shpejt duke rritur në mënyrë të qëndrueshme mirëqenien dhe cilësinë e jetës. Libri “Mentaliteti antikapitalist” i Ludwig von Mises, bën pjesë në ata libra fondamentalë e të domosdoshëm për t’u lexuar gjerësisht, të cilët kanë forcën dhe qartësinë e mendimit dhe analizës t’i japin një përgjigje të mrekullueshme shkaqeve dhe arsyes së “qëndrimeve anti-kapitaliste” në shoqërinë tonë, si dhe të ndriçojnë mendjet dhe idetë e shumë njerëzve se “kapitalizmi, i kuptuar dhe zbatuar siç duhet, është rruga më e sigurte drejt suksesit, demokracisë dhe mirëqenies për çdo popull apo vend. Ludwig von Mises tregon se në shoqërinë e sotme globale gjithçka është rezultat i ideve. Merita e çdo klase politike, qeverie apo intelektualëve të çdo vendi është lufta ndaj ideve të këqija, ndaj ideve të gabuara në politikat publike
Mbetet e paqartë se nga cila përvojë, shqiptare apo austriake kanë dalë këto përfundime. Mane është një biznesmen i fuqishëm dhe prezent në tregun shqiptar, por për të është aluduar disa herë me akuza si përfitues kontratash shtetërore, shërbimesh publike, me mënyra që pak kanë të bëjnë me leksionet e Mises dhe më tej, me përfundimet që vetë Mane - nga ky lexim i veprave të autorit në fjalë – u rekomandon lexuesve.
Shqipëria edhe këtë vit mori nota negative për klimën e biznesit dhe siç dihet, garancia e sipërmarrësve në një vend si ky yni, varet shumë nga raportet me qeverinë e radhës. Raporte që përcaktojnë ngritjen e shpejtë, shkëlqimin dhe fuqizimin e shumë biznesmenëve. Nga ky rregull nuk përjashtohet askush dhe për këtë shtypi shqiptar ka shkruar boll. Shmangia e moralizimit është kërkesa më modeste dhe një ekzigjencë etike fare elementare për biznesmenët shqiptarë të kësaj periudhe që ende nuk quhet kapitalizëm.
http://www.mapo.al/2017/09/me-pasthenie-nga-samir-mane-uet-sjell-ne-shqi...
Comments
Po te ishin aplikuar ato
Po te ishin aplikuar ato rregulla Zamiri nuk do te ishte bere milioner e nuk do te ishte pjese e oligarkise mafjoze por nje tregtar i thjeshte si shume te tjere.
Add new comment