Dera nga hynë neonazistët në parlamentin gjerman
Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel dhe shumë të tjerë i karakterizojnë si neo-nazistë, ndonëse zyrtarisht i përmendin si përfaqësues të ekstremit të djathtë. Bëhet fjalë për nacionalistët e AFD (Alternativa për Gjermaninë) që kanë thyer tabunë dhe do të përfaqësohen në parlamentin gjerman për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Lëvizja anti-islamike dhe anti-emigracion u themelua katër vjet më parë dhe me rreth 13% të votave, përgatitet të zërë 86-89 vende në dhomën e ulët. Bashkë-kryetarja e alternativës së ekstremit të djathtë Frauke Petry përdori një citim nga Mahatma Gandhi për të komentuar në Tëitter fitoren historike të partisë së saj. "Fillimisht të injorojnë, pastaj qeshin me ty, më vonë të luftojnë, por ti fiton në fund”.
AFD është refuzuar nga të gjitha partitë e tjera politike, të cilat e kanë quajtur një "turp për Gjermaninë" dhe për këtë arsye nuk ka asnjë shans që ajo të marrë pjesë në ndonjë skemë qeverisjeje. Gjermania për shkak të kaluarës së saj naziste, mbeti për një kohë të gjatë një nga vendet e pakta evropiane që nuk përjetoi rritje të nacionalizmit, si fqinjët franceze, holandeze dhe austriake.
Por AFD, pavarësisht luftës vëllavrasëse në elitën drejtuese arriti të shfrytëzojë pakënaqësinë që shkaktoi në një pjesë të shoqërisë gjermane fluksi i lartë i azilkërkuesve përgjatë 2015 dhe 2016. Gjatë fushatës AFD kishte prani masive në mediat sociale dhe përdori një agjenci reklamash që kishte bashkëpunuar me Donald Trump në të kaluarën.
Add new comment