Athina i përgjigjet Bushatit: Çështje çame nuk ekziston, bashkëpunëtorët e nazizmit u larguan njëherë e mirë me pushtuesit

Postuar në 29 Maj, 2016 12:01

Athina zyrtare lëshon një sinjal të qartë ndaj Tiranës dhe veçantërisht ministrit Bushati në prag të vizitës së homologut të tij Nikos Kotzias në kryeqytetin shqiptar. Mediat greke kanë cituar sot zyrtarë të qeverisë Tsipras t'i vënë embargo çdo parapërgatitje të palës shqiptare për të diskutuar mbi çështjen çame. "Çështje çame nuk ekziston" dhe "referimi në mënyrë të përsëritur nga autoritetet zyrtare shqiptare i një çështjeje të paqenë, vetëm marrëdhënieve dypalëshe nuk u shërben". Kështu janë shprehur burime të Ministrisë së Jashtme greke teksa kanë komentuar deklaratat e ministrit shqiptar, Ditmir Bushati në intervistën e dhënë për "Top Channel", ku kryediplomati shqiptar e ka raportuar këtë çështje si pjesë së axhendës së diskutimeve.

Sipas të njëjtave burime, Greqia i qëndron bindjes se gjatë Luftës së Dytë Botërore "çamët që bashkëpunuan me nazistët u larguan njëherë e mirë bashkë me pushtuesin"(http://mobile.in.gr/Article.aspx?Id=1500080560).

Ministri i jashtëm grek Kotzias vjen në Tiranë në 6 dhe në 7 qershor me një paketë propozimesh që do të zëvendësojnë traktatin e miqësisë mes dy vendeve nënshkruar 20 vjet më parë. Pala greke synon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për kufirin detar,  zbatimin e marrëveshjes për varrezat e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës së Dytë Botërore, zgjidhjen e problemeve të pronësisë në të dyja anët e kufirit dhe respektimin e të drejtave të minoritetit grek.

Që prej ardhjes në pushtet të Aleancës për Shqipërinë Europiane marrëdhëniet mes dy vendeve kanë njohur pikën më të ulët, për shkak të qëndrimit kokëfortë të qeverisë së majtë lidhur me kufirin detar. Për këtë çështje ministri Bushati ka nxitur edhe një hetim, që deri më tani nuk u ka dhënë përgjigje pretendimeve të Ministrisë se Jashtme. Në 3 vjet të detyrës si kryeministër Edi Rama nuk e ka vizituar asnjëherë zyrtarisht Athinën, veç takimeve formale me ish-kryeministrin Samaras apo homologun Tsipras në tryezat rajonale. Rama nuk ishte i pranishëm as në fillimin e punimeve për shtrirjen e tubacioneve të gazsjellësit TAP, ndonëse siç raportojnë mediat greke ai ka patur ftesë nga kryeministri grek për të qenë i pranishëm në ceremoni. Po ashtu kryeministri Tsipras ka anulluar dy herë vizitën e programuar në Shqipëri pa dhënë arsye të qënësishme.

Ritheksimi i çështjes çame vjen në një kohë kur brenda mazhorancës projektohen aleanca që mund të çojnë në ndarjen e PS nga LSI dhe në këtë kontekst merr kuptim edhe kërcënimi i PDIU për të riparë marrëveshjen e bashkëqeverisjes me Partinë Socialiste.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.