A ja vlen ky projekt për këndin e lojërave?
Çfarë po ndodh te Parku i Liqenit në Tiranë? Kjo pyetje deri më tani ka vetëm një përgjigje të besueshme dhe atë po e japin protestuesit: te Parku i Liqenti Artificial të Tiranës po hidhet beton, po cenohen hapësirat e gjelbra, edhe kështu të reduktuara në kulm, për të sajuar një mjedis argëtues për fëmijët. Një mjedis që po sheh betoniere, makina të mëdha etj, aty ku të gjithë qytetarët e Tiranës kishin strehuar jo vetëm shpresën se Liqeni do të mbetej të paktën i paprekur, por edhe shpresën se te kjo klasë politike ka mbetur një fije arsyeje, vizioni, apo të paktën logjike. Ja që nuk është kështu. Madje përkundrazi. Betoni ka si kosto edhe dhunën policore, e gatshme përherë në muzg dhe sapo bie drita, njësoj si prishja e Kishës në Dhërmi. Dhe siç po duken punët, kjo e dhunës natën, duhet të jetë një temë debati më vete, pasi ajo është simptomatike për një pushtet që ka skllavëruar veten tek imazhi që ka ngritur, në vend të parimeve, apo të paktën një programi.
Meqenëse fjala nuk bën më punë në një vend me pushtet si ky i yni, lufta për Liqenin, për shpëtimin e tij nga dënimi me beton, pra me vdekje, është kthyer në në luftë pamjesh, fotografish. Aty ku kryetari i Bashkisë, përditë, me kamerat gati del e thotë se “nuk i lëmë fëmijët pa mjedise ku të lozin”, aty protestuesit publikojnë foto të llaçit dhe betoniereve. Aty ku Bashkia flet për projekt me materiale si ashkla druri etj., protestuesit përgjigjen me ndonjë dokument që provon se mjedisi i sipërpërmendur nuk ka leje mjedisore. Por për këto kryetari i Bashkisë dhe ata që i bëjnë hosana nuk ka asnjë përgjigje. Për të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri ngjan gjithsesi e çuditshme që një palë politike, pra pushteti të sakrifikojë kaq shumë nga imazhi i vet, për të cilin vuan e përgjërohet, të investohet kaq shumë për një...kënd lojërash. Dhe ngjan po kaq e çuditshme, që të ketë protestues, apo edhe opozitë që çirren me ditë të tëra, pse Bashkia do të ndërtojë një kënd lojërash. Mungesa e dokumentacionit dhe lejes mjedisore ka nxitur dyshimin se diçka tjetër qëndron pas Këndit të Lojërave, që është as më shumë e as më pak një njollë talljeje për qytetarët të cilëve u mjafton gjelbërimi.
E gjithë kjo zallamahi do të ishte zgjidhur shumë kollaj nëse ky i famshmi kënd do të ishte debatuar hapur që në fillim, me një projekt konkret dhe të qartë. Për të mos lënë qfotë edhe një rrugë të vetem për dyshim si ky këtu p.sh: http://www.rilindjademokratike.com/index.php?option=com_content&view=article&id=23723:2016-03-25-23-00-39&catid=58:lajme-kyce.
Nëse e lëmë përballjen politike dhe i hedhim sytë mënyrës konkrete si po ndërhyhet në një zonë kaq të dashur për të gjithë qytetarët, sërish duart duhen vënë në kokë. Njësoj si për projektin e hyrjes në Parkun e Liqenit, betonimi dhe prerja e pemëve(shiko fotot) nuk kanë asgjë të përbashkët me nevojën që gjelbërimin ta kthesh në vlerë të shtuar për argëtim. Tirana është një vend me zona muzeale të reduktuara, edhe zona të gjelbëra, ndërkohë që fqinjët tanë, Greqia p.sh kanë shumë më tepër pasuri në këtë drejtim. Gjatë verës u raportua një lajm për ndërhyrje pa leje te zona pas Galerisë së Arteve, aty ku sot Kryetari i Bashkisë ka ideuar një re metalike të një artisti japonez. Dhe askush nuk reagonte derisa problemi doli në media. Këtu çështja nuk po evidenton vetëm linjat e shkurtra të pushtetit, apo interesat e tij, por edhe një varfëri idesh dhe mendimesh që pikërisht pse janë të tilla paraqesin rrezik. Një shembull ilustrues, sesi mund të harmonizohet zona e ruajtur me investimin mund të ishte kjo në Nicopolis të Greqisë(shiko fotot), ku investimi privat e ka ruajtur gjelbërimin. Sigurisht ky është një krahasim që shkon më shumë për projektin e Ministrisë së Kulturës për dhënien me qira të objekteve që janë monument kulture, e që qysh tani po shihen me dyshimin se kërcënohen nga investime të paracaktuara dhe pa kriter. Imagjinojmë sesi do të vepronte p.sh Kryetari i Bashkisë së Tiranës me Nicopolin dhe duke parë çfarë po ndodh në Tiranë, ngjan si ngushëllim fakti që Nicopolis nuk i mbeti Shqipërisë me pushtetarë si Erjon Veliaj!!!
Për t’u kthyer te rasti i Liqenit, projekti i Bashkisë, përveçse me mangësi në dokumentacion, nuk ofron asgjë cilësore në këmbim të betonizimit që po e shoqëron me dhunë. E vetmja vlerë e kësaj harbutërie të pushtetit është se po kultivon ndjenjën e protestës dhe se çdo ndërhyrje e mëvonëshme, ciladoqoftë fasada që serviret, do të jetë me shumë kosto. Pavarësisht se cilat do të jenë lojërat e opozitës dhe biznesmenëve pranë saj.
Add new comment