Zyrtare: Shqiptarët po ikin për shkak të varfërisë dhe papunësisë
Qeveria shqiptare pranon zyrtarisht se arsyet e ikjes së shqiptarëve, pra emigrimit të tyre, janë me natyrë ekonomike: varfëria dhe papunësia. Kjo nënvizohet në një raport të fundit për emigracionin për vitin 2014, që është adoptuar nga ekzekutivi si e dhënë rëferuese për të marrë masa që kjo prirje të adresohet në politika të caktuara. “Gjatë vitit 2013, ekonomia shqiptare shënoi rritje reale prej 1.4%, ndërsa në vitin 2014, rritja ekonomike ishte 1.9%. Gjithashtu, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë në vitin 2013 arriti në 471 mijë lekë.. Gjatë vitit 2013, kontributi kryesor në rritjen ekonomike erdhi nga shërbimet (44.7%), bujqësia (19%), ndërtimi (10.5%) dhe industria (12.5%). Ndërkohë, kontributi i sektorëve në punësim ishte shpërpjesëtimor, sidomos në rastin e bujqësisë dhe shërbimeve.
Papunësia, informaliteti në ekonomi dhe në tregun e punës ushqejnë flukset migratore. Në fund të vitit 2014, papunësia ishte rreth 17.3%, ndërsa papunësia rinore (grupmosha 15–29 vjeç) ishte 32.5%”, shkruan revista “Monitor”. Ndonëse në fillim ky problem u injorua publikisht nga qeveria, duke e lidhur me krizën greke, disa shifra flasin për të kundërtën. “Në vitin 2008, në Greqi kishte 459,390 emigrantë shqiptarë të regjistruar, ndërsa më 1 janar 2014 ata arrijnë në 1,246,500 emigrantë gjithsej. Duke u nisur nga fakti se shqiptarët përbëjnë rreth 65% të emigrantëve, mund të dilet në përfundimin se në Greqi, në këtë kohë, ishin rreth 800 mijë emigrantë shqiptarë të regjistruar. Rritja e numrit të emigrantëve gjatë periudhës 2008–2014 ishte rezultat i flukseve të reja nga Shqipëria, por edhe nga vazhdimi i ritmeve të legalizimit të emigrantëve me qëndrim të parregullt në Greqi”, referon “Monitor”. E njëjta gjëndje, në proporcion paraqitet në vende të tjera europiane, duke bërë kështu si statistikë zyrtare faktin se shqiptarët janë ndër popujt më migratorë. Për të frenuar këtë prirje, e cila bashkë me plakjen e popullsisë përbëjnë kërcënim për ekonominë e vendit dhe stabilitetin e tij në planin afatgjatë, qeveria ka disa rekomandime si: krijimi i vendeve të reja të punës, harmonizim i politkkave migratore me procesin e urbanizimit, integrimit, punësimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së popullsisë së zhvendosur brenda vendit, ndërtim i mekanizmave institucionalë, financiarë, bankarë dhe fiskalë për nxitjen e përdorimit të remitancave si burim investimi e zhvillimi, dekurajim i emigrimit të popullsisë në moshë të re.
Është herët për të thënë nëse këto masa do të zbatohen realisht, apo do të japin efektin e tyre, por me rëndësi është që qeveria ka vendosur të shohë realitetin ashtu siç është e të mos fshihet më pas gishtit me emrin kriza greke. Shqiptarët po ikin dhe ky është fakt. Situata ekonomike nuk është mirë dhe ky është fakt. Klima psikologjike e përgjithshme nuk është e mirë dhe tam tami “do bëjmë shtet” duhet të pushojë së qeni një pallavër demagogjike që lexon si suksese vetëm “rilindjen urbane” apo uniformat e reja të policisë për t’u kthyer në një moto përmes së cilës të gjithë të ndjejnë se ky shtet për hetë të parë është i të gjithëve, jo vetëm i disave.
Add new comment