Rreziku i “të parëve për lajmin e fundit”

Cila është e përbashkëta e Vaçe Zelës dhe e Paul McCartney? Sigurisht që janë të dy këngëtarë. Por tani, ata i bashkon edhe një rastësi fatkeqe. Të dy këngëtarët, mediat i deklaruan të vdekur në të gjallë. Në vitin 1969 revista “Life” hapej me titullin e bujshëm “ Paul McCartney is dead”. Sipas një thashethemnaje, këngëtari britanik kishte vdekur më 1966 gjatë një aksidenti me makinë dhe, anëtarë e Beatles, për ta ruajtur suksesin e grupit, e kishin zëvendësuar atë me një sozi. Merret me mend se ç’gjah u kishte rënë në dorë gazetave të asaj kohe…!!! Merret me mend se me ç’shpejtësi e bluajtën mediat prènë e tyre. 45 vite më pas, një këngëtare e famshme shqiptare, me vendbanim në Zvicër, shpallet e vdekur nga një televizion, i cili rend me shpejtësi për të qenë “i pari për lajmin e fundit”. Merret me mend se me ç’shpejtësi duhet të rendësh për lajmin e fundit, kur ky lajm është me të vërtetë lajmi i fundit për jetën e një individi. E sidomos kur individi në fjalë është artistja e famshme Vaçe Zela! Fatkeqësisht, Vaçe Zela e sëmurë, nuk mundi ta bënte dot atë që kolegu i saj artist bëri para 10 vjetësh në Britani. Në albumin muzikor të vitit 1993, “Paul is alive”, Paul McCartney parodizon elementet që gjoja konfirmonin lajmin e asaj kohe mbi vdekjen e artistit. Si rregull, të parët për lajmin e fundit nuk kanë kohë për pyetje të esëllta, tipike për gazetarë profesionistë: a është i vërtetë ky lajm, prandaj janë edhe të parët që bien në grackën e atij makthi gazetaresk që njihet me emrin “hoax” dhe që nënkupton akte të qëllimshme mashtrimi me impakt të gjerë publik. Ju kujtohet ajo shkolla e seksit në Vjenë të Austrisë, Austrian International School of Sex? Ishte një “hoax” i mirëfilltë i një grupimi me emrin BirdBase i cili, me aksione të tilla teston pika të dobëta të sistemit politik, mediatik, e social. Shakaja serioze me hapjen e “shkollës së seksit” në Vjenë, u bë për të vënë në lojë paaftësinë e politikanëve austriakë për të reformuar sistemin e pensioneve. Sipas fjalëve të zëdhënëses së këtij grupimi, “zgjidhja do të ishte një shkollë seksi. Meqë politikanët nuk po bëjnë asgjë, atëherë le të bëjmë më shumë seks për të lindur akoma më shumë fëmijë”. Indirekt, hoax-et vënë gishtin në një plagë të pambyllur (shme?) të realitetit mediatik shqiptar: mënyrën e pakujdesshme e të papërgjegjshme, me të cilën mediat trajtojnë informacionet dhe plogështinë e tyre për të verifikuar burimet e informacionit. Në misionin zanafillor të medias – informimin me profesionalizëm të publikut – rendja frenetike për të qenë i pari për lajmin e fundit, nuk është domosdoshmërisht virtyti primar. Shpejtësia (sidomos e medias) vret! Jo vetëm individin e pambrojtur, por sidomos besueshmërinë e gazetarisë.
Nga Gazeta "Mapo"
Comments
ekzistoka akoma kjo gazeta
<p>ekzistoka akoma kjo gazeta mapo?</p>
Jo vetem ekziston, por
<p>Jo vetem ekziston, por parathenien e 'gazetes' e qendis Muç Nano i Habsburgeve. Kuptohet Muçi e kryen kete veprimtari elitare nen monitorimin e korifejve te shkolles se Cikagos dhe teorive liberale qe frymezuan boten mbare dhe e shnderruan vendin tone nga nje superfuqi Atomike ne nje Superfuqi Argitike. </p>
Kjo teme nuk duhet adresuar
<p> </p><p>Kjo teme nuk duhet adresuar thjesht dhe vetem me nje debat etik por duhet shoqeruar me nje pakete ligjore me gjoba sh te majme per mediat qe i lejojne vetes aventura te tilla</p>
Add new comment