Parashikime të zymta të FMN-së për ekonominë greke

Postuar në 17 Korrik, 2012 04:55

“Rimëkëmbja ekonomike globale është ende në rrezik dhe vendet e Eurozonës mbeten në një situatë të pasigurt”. 

Ka qenë ky rezultati i raportit më të fundit të FMN, sipas të cilit, një përgjigje e vonuar ose e pamjaftueshme e liderëve europianë ndaj krizës, do të vononte edhe më tej rigjallërimin ekonomik. 

Tepër të zymta janë parashikimet e FMN-së për Greqinë veçanërisht në lidhje me borxhin. 

1. Deficiti për vitin 2012 parashikohet në masën 7% dhe për vitin 2013 në masën 2,7% 

2. Në vitin 2012, borxhi do të rritet në 162,9% të PBB-së, ndërsa në vitin 2013 do të vazhdojë rritjen e tij deri në 171%. 

3. Deficiti primar i buxhetit këtë vit do të arrijë në 4 miliard euro, në vend të 2 miliard euro, që është parashikimi fillestar i memorandumit. 

Në raport theksohet nevoja për masa të menjëhershme, në mënyrë që të korrigjohen devijimet specifike financiare dhe të përballohet rreziku i “lodhjes” së reformave. 

“Situata mbetet fluide në Greqi. Recesioni dhe pabarazitë në zbatimin e reformave kanë rënduar të ardhurat publike dhe mund të çojnë në dështimin e programit”, thuhet në raport. 

Greqi, vazhdon puna për shkurtimet me vlerë 11,7 miliardë euro 
Ndërkohë në Greqi vazhdon puna dhe takimet për finalizimin e shkurtimeve me vlerë 11.7 miliardë euro për 2 vitet e ardhshme. Sot finalizohet plani fillestar për reduktimin e shpenzimeve, pas takimeve të njëpasnjëshme të ministrit të financave, Janis Sturnaras, me ministra të kabinetit Samaras, që implikohen në hartimin e programit të ri afatmesëm. Sturnaras do të takohet në mesditë me kryeministrin Antonis Samaras, ndërsa më vonë, pasdite, në një takim të udhëheqjes politike të ministrisë së financave dhe ekspertëve, pritet të bphet një vlerësim i parë mbi totalin e masave. 
Linjat përfundimtare do të përcaktohen të mërkurën, në takimin e tre liderëve të partive pjesëmarrëse në koalicionin qeveritar, ku synimi është të bëhet një përllogaritje analitike e kostos së të gjitha ndërhyrjeve, deri më 24 korrik, kur do të fillojnë negociatat me Trojkën. 

Konfiskime në rast se nuk paguhet taksa e pasurive 
Konfiskime do të ketë për qytetarët që nuk do të paguajnë taksën e posaçme të pasurisë së patundshme, për 2012-n, e cila dhe sivjet vjen bashkë me faturën e energjisë elektrike. Faturat e para- së bashku me këstin e parë të taksës, pritet të vijnë në datat 28-29 korrik. Taksa do të paguhet në 5 këste dymujore. Në rast pamundësie për shlyerjen e taksës, nuk parashikohet, ndërprerje e rymës, sepse kjo masë u konsiderua antikushtetuese nga Këshilli i Shtetit, por ndërkaq do të informohet Financa, e cila në vazhdim do të ketë kompetencë për konfiskim page, pensioni dhe pasurie. 

 

Anila Jole

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.