INSTAT: Tkurren importet e pajisjeve, bien investimet e bizneseve

Përballë intensifikimit të efekteve të krizës evropiane në ekonominë shqiptare bizneset po tkurrin investimet. Fluksi i tyre besohet të ketë pësuar rënie gjatë pjesës së parë të këtij viti, pavarësisht apelit të përsëritur të Bankës së Shqipërisë për rritje të konsumit dhe investimeve private, si një mënyrë për të vënë në lëvizje motorët e ekonomisë.
Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se importi i makinerive dhe pajisjeve për 6 muajt e parë të 2012-ës rezultojnë në rënie.
Sipas INSTAT-it, në fund të qershorit importi i mallrave kapitale arriti në rreth 47 miliardë lekë, duke pësuar një rënie prej 5.2% krahasuar me një vit më parë.
Në rënie akoma më të thellë janë importet e grupit materiale ndërtimi dhe metale, edhe kjo e dhënë mjaft domethënëse për ecurinë e aktivitetit prodhues dhe ndërtues në vend. Për 6 muajt e parë të këtij viti importet e këtij grupi kishin vlerën e 30.3 miliardë lekëve, me një rënie vjetore prej 29%.
Shifrat e mësipërme dëshmojnë se tashmë biznesi po luan në pozita mbrojtëse dhe po ndërmerr më pak projekte të reja investimi. Të dhënat paraprake për Prodhimin e Brendshëm Bruto treguan se për herë të parë pas 4 vjetësh ekonomia shqiptare regjistron një 3-mujor në tkurrje.
Në vend ka rënë kërkesa, ndërkohë që kriza evropiane vazhdon të jetë e pranishme, faktorë këta që kanë ngjallur pesimizëm te biznesi. Një fakt ky që konfirmohet edhe nga vrojtimet e biznesit dhe konsumatorit, që tregojnë se të gjithë sektorët e ekonomisë po operojnë aktualisht nën kapacitetet e tyre.
Ballkanweb.com
Add new comment