Aktivitetet për 100 Vjetorin, rrugët që do të bllokohen në 25 dhe 26 Nëntor

Policia e Tiranës ka hartuar një plan masash për garantimin e mbarëvajtjes së veprimtarive që do të zhvillohen në kryeqytet, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Përmes një njoftimi për mediat, policia e kryeqytetit informon qytetarët se në datat 25 dhe 26 Nëntor do të ketë kufizime të qarkullimit në disa zona, nga ora 19:00 deri në 23:00, për shkak të zhvillimit të provave të Paradës Ushtarake.
“Nuk do të lejohet parkimi dhe lëvizja e mjeteve nga sheshi “Rilindja” deri tek sheshi “Skënderbej”, në segmentin rrugor të rrugës “Bardhok Biba”, të rrugës “Urani Pano”. Nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve nga kryqëzimi i rrugës “Barrikada” me rrugën e “Dibrës”, deri tek sheshi “Skënderbej”, nga kryqëzimi i rrugës “Luigj Gurakuqi” me rrugën e Barrikadave (tek kryqëzimi i 9-katsheve), deri tek sheshi “Skënderbej”. Nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve në segmentin rrugor Kryqëzimi i Bulevardit “Zogu i Parë” me rrugën ‘Fortuzi” deri tek sheshi “Skënderbej“.
Nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve në segmentin rrugor nga kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit’ me Ministrinë e Mbrojtjes deri tek sheshi “Skënderbej”.
Nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve në segmentin rrugor nga kryqëzimi i rrugës së “Kavajës” me rrugën “Kont Urani” deri tek sheshi “Skënderbej”.
Ndërkohë më datë 26 nëntor nga ora 10:00 e në vazhdim do të ketë kufizime të lëvizjes së mjeteve përpara TOB (Teatrit të Operas dhe Baletit) dhe në sheshin “Skënderbej”.
Nga ora 11:00 do ketë kufizim të lëvizjes së mjeteve në rrugën “Xhorxh Ë. Bush” pranë Urës së Tabakëve ku do bëhet ngritja e Flamurit, si dhe vendosja e mozaikut të Flamurit Kombëtar. Do të ketë kufizim të lëvizjes së mjeteve pranë rreth rrotullimit të Doganës në kryqëzim të rrugës së Durrësit me Unazën e Re nga ora 12.00 deri në 14.00 ku do të bëhet emërtimi i sheshit “Shqiponja” dhe vendosja e monumentit (rreth rrotullimi i doganës)”, sqarohet në njoftimin e policisë së Tiranës.
25 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Add new comment