Gjashtë orë peng për drogën, arrestohet speciali i “Beretave të kuqe”

Postuar në 01 Dhjetor, 2012 11:04

Tiranë Një pazar i shkuar keq në trafikun e marijuanës është pasuar me pengmarrjen e një 25-vjeçari, i cili ka qëndruar për 6 orë nën presion. Protagonist i kësaj ngjarjeje është një efektiv i forcave Komando të ushtrisë, i arrestuar tashmë së bashku me dy persona të tjerë për pengmarrjen e të riut nga Farka. Burime zyrtare të policisë i thanë MAPO-s se ngjarja kishte si prapavijë një sasi marijuane të bllokuar, pa mbërritur në destinacion, megjithatë hetimet në këtë drejtim janë ende të paplota. Policia bëri me dije se ka arrestuar Përparim Halilajn, rreshter i forcave speciale të ushtrisë dhe dy vëllezërit nga Paskuqani,  Emiljano dhe Miri Muja, 19 dhe 21 vjeç. Në hetim janë edhe dy shqiptarë të Maqedonisë, të cilët dyshohet se janë pritësit e lëndës narkotike. Policia u ka bllokuar atyre pasaportat, pasi nuk ka në dorë prova që i implikojnë direkt.

Pengmarrja e të riut

Mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 19:30, speciali që mbante “Beretën e Kuqe”, i shoqëruar edhe nga dy vëllezërit Muja, kanë trokitur në shtëpinë e 25-vjeçarit nga Farka, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye sigurie. Ai ka dalë tek porta e shtëpisë, por e ka gjetur veten nën dhunë fizike. Dy persona e futën me forcë atë në pjesën e pasme të një veture “Seat Ibiza”, me ngjyrë të bardhë dhe targa italiane. Më pas, makina u drejtua me shpejtësi në drejtim të Paskuqanit, në një zonë pranë banesave të personave. Menjëherë pas këtij momenti, vëllai i të rrëmbyerit njoftoi policinë dhe hodhi dyshime mbi oficerin e forcave Komando, për shkak të dijenisë së konfliktit që 25-vjeçari kishte me të. Pas verifikimeve policia nisi kërkimet dhe ndjekjen e personave, ndërsa u nisën për kontroll në zonën e Paskuqanit. Të tre personat ua arrestuan dje në orët e para të mëngjesit në Paskuqan, pasi kanë mbajtur për më shumë se gjashtë orë peng 25-vjeçarin nga Farka. Pas kërkimeve të policisë dhe presionit të saj, rrëmbyesit lanë pengun të lirë, por u arrestuan vetëm pak kohë më pas. Policia arriti të ndalonte të dyshuarit, duke iu vënë prangat atyre. Përparim Halilaj, me gradën rreshter, efektiv i forcave speciale “Komando” të Ushtrisë, pjesë e grupimit të “Beretave të Kuqe” u arrestua mëngjesin e të premtes nga policia e Tiranës. Veç tij, policia arrestoi edhe dy vëllezërit Emiljano dhe Miri Muja, si të implikuar në pengmarrje.

Dyshime mbi trafikun e drogës

Gjatë hetimit të kryer, policia mësoi nga i rrëmbyeri se pjesë e pengmarrjes kishin qenë edhe dy shqiptarë të Maqedonisë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur nga policia. Këtyre të fundit, edhe pse nuk janë arrestuar, policia iu ka bllokuar pasaportat me qëllim që ata të mos mund të ikin nga Shqipëria. Policia tha se shkak për rrëmbimin është bërë një ngarkesë droge, marijuanë, e cila ishte nisur në drejtim të Maqedonisë. Droga ishte siguruar nga tre shqiptarët dhe i rrëmbyeri mësohet se kishte qenë ndërmjetësi në rrjetin e trafikut, drejt blerësve në Maqedoni. Policia tha se efektivi i “Komandove” dyshohet se kishte siguruar mallin në Shqipëri, ndërsa po vazhdojnë hetimet për pjesën tjetër të rrjetit. Ende nuk dihet se çka ndodhur me sasinë e drogës dhe vlerën e saj, por policia tha se tashmë po heton edhe këtë krim.

Dashamir Biçaku, Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.