Ministria e Jashtme Greke: Nuk ekziston çështja çame, nëse ka pakënaqësi drejtohuni gjykatave greke

Athina zyrtare ka deklaruar prerë se për Greqinë nuk ekziston çështja çame. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Gregori Delavekuras, ka deklaruar se kushdo mendon se ka ndonjë problem mund t’i adresohet drejtësisë greke. Madje sipas tij, ministri Dimitris Avramoupolos ia ka bërë të qartë këtë çështje edhe autoriteteve shqiptare.
“Z. Avramopulos e bëri të qartë që nga fillimi i bisedimeve se në Greqi nuk ekzistojnë çështje të tilla; çështje e territoreve etnike dhe në qoftë se dikush e konsideron atë një problem mund të adresohet tek gjykata greke”, ka thënë Delavekuras.
Ky është reagimi i dytë i fortë nga Athina zyrtare pas deklaratës së ministrit të Jashtëm i Greqisë Dimitris Avramopoulos, i cili tha se qëndrimet e Berishës për Shqipërinë e madhe ishin të papranueshme. Ai tha për mediat helene se i kishte kërkuar kryeministrit Berisha, që të tërheqë deklaratat e bëra mbi ‘Shqipërinë Etnike’, duke thënë se deklarata u tërhoq, por me vonesë, pas festimeve të 28 nëntorit. Ndërkohë në ministerialin e NATO-s në Bruksel, Avramopoulos “kërcënoi” Shqipërinë me bllokimin në BE. Ai deklaroi se vendet kandidate për në BE ose NATO duhet të respektojnë parimet dhe vlerat e Europës.
8 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Add new comment