Vrasja e komisarit Lamaj, rrëfimi i dëshmitarit kyç

Zbardhet dëshmia që mban pas hekurave Arben Frrokun, biznesmenin e dyshuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, mbrëmjen e 24 shkurtit 2013. Arben N. i datëlindjes 1971, është marrë në mbrojtje nga shteti, pasi konsiderohet si dëshmitari kyç i ekzekutimit të zyrtarit të lartë të shtetit. Ky dëshmitar, tashmë i mbrojtur, pretendon se ka identifikuar Frrokun në makinën nga e cila u qëllua për vdekje Lamaj. “Gazeta Shqiptare” ka mundur ta sigurojë një kopje të dëshmisë nga dosja hetimore, e cila tashmë i është dorëzuar për gjykim Gjykatës për Krime të Rënda. Pritet që brenda pak ditëve biznesmeni Frroku të ulet në kafazin e hekurt për të dhënë llogari për krimin e rëndë.
Avokati i Frrokut: Rrëfim i fabrikuar, asgjë e vërtetë
Avokatët e biznes menit Arben Frroku e kanë kundërshtuar ashpër dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Për “GSH”, mbrojtësi ligjor Tonin Prendi dha të gjitha argumentet përse e konsiderojnë të pabazë dëshminë e Arben N. dhe përse kanë këmbëngulur para Prokurorisë së Krimeve të Rënda të ripyetet ky dëshmitar. Sipas mbrojtësit Prendi, ky dëshmitar i mbrojtur nga shteti, është i ‘fabrikuar’ dhe nuk deklaron asnjë të vërtetë. Avokati kërkon gjithashtu kryerjen e një ekspertimi hetimor, nga i cili do të përcaktohet vendndodhja e saktë e biznesmenit Frroku, në momentin kur ka ndodhur vrasja e zyrtarit të lartë të policisë.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
Add new comment