Obama: Rusia është duke cënuar sovranitetin e Ukrainës.

Postuar në 02 Mars, 2014 05:37

Presidenti Barak Obama zhvilloi një bisedë telefonike 90 minutëshe me Presidentin rus Vladimir Putin për të shprehur shqetësimin e thellë të Shtëpisë së Bardhë lidhur me zhvillimet në Ukrainë.

Zyrtarët thonë se zoti Obama i tha Presidentit rus se Rusia është në dhunim të qartë të sovranitetit ukrainas dhe ligjit ndërkombëtar.

Presidenti amerikan tha se Shtetet e Bashkuara po pezullojnë planet për pjesëmarrje në takimin ekonomik të G-8 në Soçi.

Agjenci ruse të lajmeve thonë se zoti Putin i tha Presidentit Obama se Moska rezervon të drejtën  për të mbrojtur rusët në Ukrainë nëse ka zhvillime të dhunshme në Krime ose në Ukrainën lindore.

Zoti Obama tha se mënyra e duhur për të zgjidhur këtë çështje është përmes dialogut të drejtpërdrejtë me qeverinë ukrainase dhe përmes ndërmjetësuesve ndërkombëtarë.
Kombet e Bashkuara thonë se është koha që mendjet e ftohta të dëgjohen në Ukrainë, ndërkohë që ligjvënësit rusë miratuan kërkesën e Presidentit Putin për të dërguar trupa në Krime.

Ambasadori ukrainas Yuriy Sergeyev tha dje para Këshillit të Sigurimit se 15 mijë trupa ruse janë në Krime me pretekstin për të mbrojtur shtetasit rusë. Ai tha se Ukraina po u bën thirrje Kombeve të Bashkuara të bëjnë ç’është e mundur për të ndalur atë që e cilësoi si agresion kundër Ukrainës.

Ambasadori rus Vitali Churkin fajësoi Perëndimin se ndezi tensionet në Ukrainë duke mbështetur protestat kundër Presidentit Janukoviç. Ai tha se Rusia do të dijë përse marrëveshja e muajit të kaluar mes opozitës dhe zotit Janukoviç për një qeveri koalicioni nuk u vu në zbatim. Ai tha se Ukraina duhet t’i kthehet kësaj marrëveshjeje dhe të mënjanojë elementët radikalë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.