"Policia bashkëpunon me krimin e organizuar"

Postuar në 29 Prill, 2012 05:10

Policia e Shtetit nuk lufton krimin e organizuar që  është ulur këmbëkryq në Shqipëri.  Ka shumë raste që hetimet ndaj grupeve kriminale në vend, jo vetëm që janë zvarritur, por ekzistojnë dyshime të forta për dekonspirimin e operacioneve nga forcat e policisë. Akuza e rëndë është ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila nëpërmjet letërkëmbimeve me drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit ka shprehur shqetësimin për rezultatet e dobëta të luftës kundër krimit të organizuar si dhe komprometimin e strukturave të policisë. Megjithëse kryeprokurorja Ina Rama kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të drejtuesve të Ministrisë së Brendshme, nga letër-këmbimet që disponon gazeta “Shekulli”, askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për të marrë masa në përmirësimin e situatës, ndërkohë që shifrat e kriminalitetit në vend rriten frikshëm.

Raporti

Policia e Shtetit duket se e ka humbur davanë ndaj luftës së krimit të  organizuar. E kjo  për shkak të kompromentimit të strukturave të saj. Ky është konkluzioni që del nga letërkëmbimi i kryeprokurores Ina Rama me drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe Ministrin e Brendshëm. Në këto raporte, për vitin 2010 dhe 2011  kryeprokurorja ngre shqetësimin për rezultatet qëllimisht të dobëta në luftën kundër krimit të organizuar.  Sipas kryeprokurores moseficença e strukturave të policisë së shtetit ka qenë e qëllimshme dhe nuk ka lidhje me mungesën e strukturave apo dhe mjeteve logjistike. Fillimisht shqetësimi i kryeprokurores është ngritur në korrik të vitit 2010, por e njëjta problematike referohet edhe dy muaj më parë, kjo në bazë të dokumenteve që i disponon gazeta “Shekulli”.  “Nga ana jonë janë krijuar të gjitha hapësirat që  lejon ligji procedural, por hetimet kanë dështuar, janë zvarritur ose në raste më ekstreme kanë lindur dyshimet për dekonspirim nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit.  Jemi të mendimit se ka  një mungesë angazhimi nga ana e strukturave të policisë, e cila nuk lidhet me  mungesën e njerëzve apo mjeteve pasi në vitet e kaluara  me të njëjtat struktura kemi arritur rezultate shumë të larta”-thuhet në raport. Por, përveç konstatimit të mos funksionimit të strukturave të policisë, kryeprokurorja hedh dyshime për mos hetim të qëllimshëm të krimit të organizuar në vend nga Policia e Shtetit. Sipas saj, subjektet ndaj të cilëve janë regjistruar procedime penale u përkasin niveleve  inferiore të krimit të organizuar, me aktivitete kriminale dhe potencial financiar e njerëzor mjaft të kufizuar. “Ky fenomen lidhjet me një punë të dobët  të identifikimit të subjekteve kriminale të rëndësishme në vend. Për pasojë disa prej hetimeve të nisura rezultatet mungojnë dhe nuk ka asnjë perspektivë për të ardhmen”-thuhet në raporti i Prokurorisë së Përgjithshme.  Duke përmendur dhe rastet më flagrantë të dekonspirimit të operacioneve të policisë si dhe referimin e ngjarjeve ordinere si krime të grupeve të organizuara Ina Rama i ka kërkuar ministrit të Brendshëm, aso kohe Lulzim Basha, marrjen e masave urgjente në ndryshimi e situatës. “Duke qenë se me gjithë paraqitjen  nga ana jonë të këtyre problematikave strukturave drejtuese të Policisë së Shtetit, nuk  ka pasur ndonjë ndryshim të ndjeshëm vlerësuam t’ju drejtohemi Juve për këtë informacion të detajuar për të nxitur gjetjen e mekanizmave të duhur të bashkëpunimit ndërinstitucional në nivelet më të larta”,- thuhet në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Lindita Çela, Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.