Pagat e referencës, Bode: Ja pse s’na duhen më

Postuar në 29 Prill, 2012 06:59

Qeveria kishte lajmëruar më parë se do të hiqte pagat e referencës pesë vjet pas aplikimit të tyre duke rritur asokohe ndjeshëm të ardhurat në buxhetin e shtetit, ndërsa tani po ndërmerr hapa konkret për tërheqje. Nisur edhe nga ajo që ka shkruar Ministria e Financave në VKM-në për heqjen dorë nga pagat e referencës, nuk bëhet fjalë për një tërheqje nga dështimi, por pas suksesit të arritur. “Shqip” publikon sot arsyet që bëjnë Boden të heqë dorë nga vendimi i vitit 2007, i cili shkaktoi reagimin e fortë të sipërmarrësve, por edhe të institucioneve financiare ndërkombëtare për rritjen e kostos së biznesit. “Vendimi e ka humbur kuptimin, pasi nuk janë reflektuar ndryshimet e ndodhura ndër vite në nivelin e pagës minimale, bazë kjo për punët e pakualifikuara, si dhe për të reflektuar këto ndryshime në pagat e grupeve të tjera të punonjësve të ndara në vendim sipas funksioneve dhe kualifikimit”, thotë ministri i Financave në relacionin që shoqëron projektin. Kështu, ministria mendon se vendimi e ka arritur qëllimin dhe bizneset janë më pak të prirur tani të deklarojnë punonjësit me paga më të ulta nga ajo që marrin realisht.

Pesë vjet më parë, qeveria vendosi të aplikojë pagat e referencës duke detyruar bizneset që të paguanin kontributet për punonjësit e tyre sipas pagës së përcaktuar me VKM për funksionin e mbajtur dhe jo për pagën që ata i paguanin realisht. Kjo rriti me 70 për qind të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat gjatë vitit të parë.

Bizneset u ankuan për rritje artificiale të kostos. Këto pretendime u bënë më pas pjesë e raporteve të Bankës Botërore (madje edhe sëfundmi), në të cilin shprehej se pagat e referencës ndikonin negativisht tek biznesi. Për më tepër, një vendim i tillë vjen në këtë periudhë, kur aktiviteti i bizneseve është në tregues minimal e konfirmuar kjo nga të dhënat e INSTAT-it si edhe Bankës së Shqipërisë. Por ndryshe nga sa mund të mendohej, Ministria nuk e lidh vendimin as me koston e biznesit dhe as me raportin e BB-së, por me ndërgjegjësimin e sipërmarrësve.

 

S.E.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.