Zelenskiy, heroi i Perëndimit në një lojë lufte
Aktori i mirënjohur Sean Penn ka deklaruar në një intervistë për CNN se nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy nuk do të lejohet të flasë gjatë transmetimit të ceremonisë së Oscar, ai do ta shkatërrojë trofeun e vet.
Nuk ka asgjë më të madhe sesa Akademia të mundësojë që ai të flasë me të gjithë ne
është shprehur ai.
Është një episod i polarizimit të madh që po sjell konflikti në Ukrainë, për të cilin flitet shumë, por pak dihet për rrënjët e tij.
Penn është vetë me origjinë hebreje, lituano-ruse dhe angazhimi i tij ka një shpjegim edhe sentimental përpos pikëpamjeve të veta. Çështja është si të pajtosh mobilizimin e dikujt, me kërkesa ultimative si këto që kanë diçka teatrale në vetvete.
Angazhimi i njerëzve të tillë ka kohë që ka fituar vizibilitet, por ai nuk ka sjellë asgjë më shumë sesa thellim të ndarjeve ekzistuese. P.sh aktori Alec Baldwin e ktheu në kauzë thuajse personale ditore ridikulizimin e Donald Trump, por vështirë të thuash se solli ndonjë gjë përderisa Trump është presidenti që mori më shumë vota në humbje. Sot ShBA nuk është më e mirë.
Robert De Niro po ashtu u shfaq në një rol të tillë, madje me gjuhë direkte, ndërkohë që për tema të tjera mbahet heshtje. P.sh aktori Mel Gibson thuajse është përjashtuar nga skena për qëndrimet e veta publike përmes të cilave ai flet për një dominim hebrejsh në Hollywood dhe solidariteti me të për pak provokoi një stigmë edhe ndaj aktorit tjetër, Gary Oldman.
Oliver Stone është thuajse një i përjashtuar për shkak të angazhimit të tij përkrah qëndrimeve të Putin dhe përpjekjes për krijimin e një narrative alternative për pushtetin.
Këta njerëz po investojnë prej vitesh kredibilittin e tyre në një kinema të një lloji të ri ndoshta ku luajnë producentin: kino-mediateka e angazhimit publik në kërkim të heronjve realë dhe krijimin e antiheronjve. Zelenskiy është tashmë heroi i ri i Perëndimit që e ka marrë Nobelin edhe pa e dashur. Dhe është hero par exellence pse është aktor me profesion, të cilit ia ngarkoi rolin Historia.
I gjithë ky mjedis artistësh të njohur po intoksikon veten me qëndrime radikale, të cilat me të vërtetë që në thelb janë kundër luftës dhe për ruajtjen e një kuadri të drejtash dhe lirish që kërcënohen vazhdimisht, por që komunikohen në një kontekst të shkëputur nga realiteti. Në fund të fundi Akademia mund të dënojë luftën në Ukrainë, ndonëse ajo p.sh mundet të ketë dhënë çmime edhe për heronj amerikanë në Irak apo Afganistan. Por vështirë se kjo gjë do të sjellë ndonjë përmirësim në atë që është çështja kryesore përtej konfliktit: konsensusi dhe nevoja për një marrëveshje të re për paqen dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Historia dhe bota mund të shihen objektivisht edhe me sy “joperëndimorë”, sidomos nëse në kohën tonë Perëndimi të provojë të paktën njëherë përultësinë ndaj gabimeve dhe përgjegjësive që ka, që mandej të konsiderohet diçka më shumë sesa një agresor që vijon ta shohë globin si hapësirë kolonizimi.
s.zaimi
Comments
www.dorianrada@yahoo.com
Ne fakt "perulesia ndaj gabimeve" eshte virtyti thelbesor i Perendimit. Me shume cdo gje tjeter, aftesia per te kritikuar vetveten e ben perendimin Perendim. Ky opinioni juaj ndaj qendrimit te disa aktoreve per ceshtje politike, me kujton nje sociolog tonin (E.Mertiri) i cili kritikonte ashper Hollivudin, per propagande, duke sjelle si shembuj serine e filmave me protagonist Chuck Norris... gjithe duke harruar, se keto jane filma te kategorive te ulta, pas asnjelloj pretendimi; perndryshe, filmat me te mire, nga regjisoret me te njohur, qe jane bere per luften ne Vietnam, jane te gjithe tejet kritike; shume prej tyre te vleresuar me shume cmime, ne te gjithe boten. Nuk po flas ketu, per gjithe ata shkrimtare, filozofe, shkencetare, intelektuale , madje edhe politikane perendimore qe kritikojne , shpeshhere shume ashper, Perendimin e tyre. Askund tjeter nuk e veren nje fenomen te tille. Argumenti, te cilin jo rralle e verej ne mendje shqiposh, se vec Perendimit ka edhe qyteterime dhe kultura te tjera, qe na u dashkan respektuar pikerisht pse jane te tilla ( a thua se kjo vecantesi, na qenkesh arsye ne vetvete per respekt), eshte naivitet i atij niveli, qe na kujton per te saten here, se pse jemi keta qe jemi, dhe pse jemi kaq larg sa jemi nga ata (perendimoret) qe duam te jemi.
Add new comment