Dekorimet dhe "argumenti" i pensionit si fije bari e kryeministrit
Ndonëse u bënë përpjekje për ta konsideruar zhurmën për dekorimet si injorancë, apo si një bori që i bihet sa herë ka nevojë ndonjë parti, sot, kryeministri në vetë të parë është detyruar të kërkojë falje. Dhe e ka bërë këtë nga qyteti i Shkodrës, meqenëse sensibiliteti më i madh erdhi nga komuniteti katolik françeskan për dekorimin e Shyqyri Çokut, hetues i At Zef Pllumit. “U kërkoj ndjesë At Zef Pllumit dhe Sami Repishtit, profesorit të nderuar, për dekorimin e tortueruesit të tyre. Unë jam po aq i befasuar sa të gjithë shqiptarët nga ky lajm. E kërkoj ndjesën për të gjithë, jo se kemi gabuar me dashje. Kërkoj ndjesë të detyrueshme. Dekorimi i torturuesit nuk nisi vjet, por shumë vite më parë. Ministria e Mbrojtjes bëri një veprim mekanik. E nxori vendimin për dhënien e këtyre medaljeve duke iu referuar kategorisë së parë, që është përcaktuar me ligj shumë kohë më parë”, tha Edi Rama. Kjo nuk është hera e parë që zotëria kërkon falje, e bëri edhe për ndryshimet kushtetuese. Mirëpo të kërkosh falje nuk të bën as ndryshe dhe as djalë të mirë. Sidomos kur këtij “incidenti” me dekorimin i shton nga pas këtë alibi: “Berisha është kapur pas medaljes, por e ka paguar torturuesin për 25 vjet me pension. Këto janë akuza monstruoze për të trazuar gjakun e atyre që kanë vuajtur persekutimet”, vijoi Rama që shtoi se Berisha ka mbajtur me pension edhe Nexhmije Hoxhën.
Po a kanë lidhje këto dy gjëra? Dekorata është një vlerësim mbi kritere përzgjedhëse, kurse për pensionin do të duhet të sugjerohet një mënyrë ligjore sesi mundet që dikujt që ka punuar në shtet, për llogari të shtetit t’ia presësh atë? Si? Pensioni nuk është vlerësim si dekorata, por detyrim që rrjedh nga një kontratë e cila nuk zhbëhet me ndryshimin e sistemit. Përndryshe me mendje të tilla, pas rrëzimit të qeverisë aktuale, me hir apo me pahir, mund të konsiderohet normale që kryeministri i pari të mos marrë asgjë. Fundja opozita e cilëson si kumbar të drogës dhe garant të krimit. Përse vallë do të duhet të paguhet ky nesër? Vetëm shtet nuk ka në artikulimin e kësi tezave.
Comments
Kur shkruhet "fije bari", me
Kur shkruhet "fije bari", me shkon mendja tek i madhi Uollt Uitman. Gjeni ndonje fjale tjeter, se pastaj do ngaterrohet Rama me librin e Uitmanit, dhe Shyqyri Coku, polici, do te behet hero i poezive te tija, dhe Repishti dhe at Zefi, si heronjte negative. Tung, Muc djali.
Add new comment