Zonjës Bregu, për informacion

Ju dëgjova të enjten (5 dhjetor 2013) të flisni dy herë për arsimin dhe shkollën, zonja Bregu. Së pari, folët për analfabetizmin funksional; herën e dytë, u ankuat në Kuvend se po keqtrajtohen mësuesit dhe drejtuesit e shkollave. Folët si deputete, e zgjedhur për të përfaqësuar. Keni, kështu, gjithë të drejtat të informoheni dhe të kërkoni t’ju sqarojnë për sa shihni të arsyeshme. Prandaj, fillimisht, më duhet t’u informoj; sakaq, mbetem i gatshëm t’ju qartësoj gjithë sa do të quani të arsyeshme.
A. Një muaj më parë, specialistët e MAS-it, monitoruan organizimin dhe funksionimin e 13 drejtorive arsimore rajonale. Përfundimet iu bënë të njohura çdo institucioni, duke lënë kohën e nevojshme për observacionet e mundshme. Për dobësi të provuara në punë, u propozua “zgjidhja e menjëhershme e kontratës” me 59 persona (12 drejtorë dhe 47 specialistë), por vetëm 5 syresh kundërshtuan aspekte periferike të raporteve, pa sjellë prova që justifikonin pretendimet.
Nëse do të ishit pjesë e ekipeve monitoruese, ju do të konstatonit se struktura e DAR-it nuk ishte koordinuar si duhet me strukturën e ministrisë dhe me institucionet qendrore të varësisë. Drejtuesit nuk kishin zbatuar procedura konkurrimi për punonjësit e punësuar në DAR, duke shkelur parimin e barazisë për kandidatët. Nuk funksiononin komisionet e vlerësimit të punonjësve; nuk kishte vlerësim mbi bazë të arritjeve personale. Shumë përgjegjës sektorësh dhe specialistë nuk kishin nivelin arsimor në përputhje me kërkesat e vendit të punës; nuk kishin certifikatat për njohjen e gjuhëve të huaja apo të programeve kompjuterike; mungonin vendimet e emërimit, sikundër kishte specialistë pa dosje. Në DAR Gjirokastër, mësuesja e letërsisë paguhej si inxhiniere ndërtimi, ndërsa në DAR – Tiranë Qark, inxhinierja mekanike punonte në sektorin e kurrikulës dhe cilësisë(!). Specialistët, ose nuk kishin produkt ose punonin tërësisht jashtë funksioneve. Shembull ishin juristët, të cilët keqpërdoreshin. Emërimi i 119 mësuesve vetëm në 26 shkolla të monitoruara mbi normën e përcaktuar në Udhëzimin përkatës ka prodhuar pasoja të rënda financiare për buxhetin e shtetit. Vendimet e drejtorëve, në shumicën e rasteve, ishin të paargumentuara dhe nuk shoqëroheshin me relacionet shpjeguese. Ata kishin përqendruar të gjitha kompetencat në duart e tyre, duke ngushtuar shumë fushat e veprimit të specialistëve. Midis sektorëve të DAR-eve nuk kishte bashkërendim të punës, gjë që kishte penguar zgjidhjen në kohë dhe me cilësinë e duhur të detyrave dhe shërbimeve në ndihmë të shkollave. Nuk kishte sistem të vlerësimit të performancës së punonjësve në nivel DAR-i dhe të drejtuesve të institucioneve varëse etj., etj.
Si deputete, ju mund të informoheni më hollësisht përmes 13 raporteve të monitorimit, që mund t’i kërkoni, sikundër çdo i interesuar tjetër, në MAS ose në DAR-et përkatëse.
B. Në intervalin 26 nëntor – 4 dhjetor, një ekip me specialistë të MAS-it dhe të DAR Tiranë monitoroi të gjitha drejtoritë e shkollave të qytetit Tiranë, sa i takon zbatimit të kërkesave të udhëzimit për mbledhjen dhe administrimin e dhurimeve që u bëhen shkollave nga prindërit. Për sa u konstatua, ju dhe cilido i interesuar tjetër mund të informoheni në MAS, në DAR ose në drejtoritë e shkollave. Gjithsesi, paraprakisht, ju informoj si vijon.
Përgjithësisht, u konstatua se kërkesat drejtuar prindërve të nxënësve të shkollës për dhurime nuk shqyrtohen në mbledhjen e këshillit të mësuesve. Kontributet nga prindërit mblidhen përpara se të evidentohen nevojat që kanë mësuesit për të përmirësuar elemente të procesit të nxënies. Madje, drejtoria e shkollës “S. Tafaj”, ka sanksionuar në rregulloren e shkollës si detyrim për prindin, atë që udhëzimi e përcakton thjesht e vetëm kontribut vullnetar të tyre(!). Kontributet nga prindërit e nxënësve përdoren për nevoja që duhen plotësuar nga njësitë bazë të qeverisjes vendore dhe institucione të tjera, që e kanë për detyrë. Nuk përgatitet nga këshilli i mësuesve lista me emërtimin, njësinë, sasinë e materialeve ose shërbimet, si dhe vlerën totale për të cilat kërkohen dhurime nga prindërit. Kjo listë nuk miratohet nga bordi i shkollës. Nuk merret vendimi përfundimtar me votim të hapur për materialet ose shërbimet për të cilat do të kërkohen dhurimet. Në shumë shkolla, vlerat monetare mbahen nga drejtuesit, ose mësuesit e caktuar prej tyre, pa i derdhur ato në llogaritë bankare. Asnjë drejtori shkolle nuk raporton në DAR apo bordin e shkollës për përdorimin e kontributeve të prindërve. Të gjitha këto cenojnë apo tjetërsojnë përcaktimet e Udhëzimit Nr.29, datë 25.09.2007.
Janë marrë në punë roja. Pagesa e tyre bëhet me lekë në dorë, nën kufirin e parashikuar nga VKM-ja përkatëse. Në këtë aspekt, nuk ka kontrata sipas përcaktimeve të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë; pagesa bëhet në kundërshtim me VKM për përcaktimin e pagës minimale; nuk mbahet tatimi mbi të ardhurat në kundërshtim me ligjin për tatimin mbi të ardhurat; punonjësit ndihmës nuk janë përfshirë në skemën e sigurimit shoqëror.
Në këto kushte, për 43 drejtues është propozuar masa disiplinore “shkëputje e menjëhershme e kontratës”; ndërsa, 23 drejtuesve të tjerë u është tërhequr vërejtje. Jemi në pritje të observimeve të rastit, të cilat mund t’i keni dhe ju, nëse do t’i dëshironi.
Si deputete, ju e kuptoni lehtë se, duke mos shqyrtuar në këshillin e mësuesve kërkesat drejtuar prindërve për dhurime, drejtoritë e shkollave kanë cenuar rëndë thelbin e kësaj politike arsimore që synon të mbështetë mësuesit në realizimin e ideve dhe të projekteve për përmirësimin e arritjeve të nxënësve. Sakaq, cenimi i kërkesave të Udhëzimit Nr.29, datë 25.09.2007 u ka hapur rrugën vendimeve subjektive të drejtuesve të shkollave. Sikundër lë hapur shtegun për abuzime tjetërsimi i kërkesave të Ligjit Nr. 7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; të Ligjit Nr. 7703 datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSh” i ndryshuar; të Ligjit Nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, shoqëruar me mungesën e raportimit të drejtorit të shkollës me shkresë të posaçme në DAR Tiranë.
Si deputete dhe mentore e trupës pedagogjike, sikundër ju pashë të enjten, do të bëni mirë të tejkaloni retorikën e dëmshme bajate të 20 viteve që shkuan. Le të përpiqemi më shumë t’i ndihmojmë drejtuesit dhe mësuesit të kuptojnë e të zbatojnë gjithë sa keni miratuar ju e kolegët tuaj deputetë. Që të kuptojnë dhe zbatojnë, kështu, idetë bashkëkohore rreth nxënies dhe arsimit bashkëkohor, që i konsiderojnë mësuesit organizatorë të procesit dhe ndihmës të nxënësve, ndërsa shkollat mjedise miqësore për nxënësit dhe qendra komunitare për të interesuarit e tjerë.
Ndoshta, vlen më shumë të heshtni sesa të akuzoni, pa qenë e informuar.
SHQIP*
Comments
Ajo mendonë se meqënse i ka
<p>Ajo mendonë se meqënse i ka emëruar partija e Zeqos kanë të drejtën e plotë fuqishme që të rinë aty deri sa të dalin në pemsion pa çka se nuk e meritojnë se janë zgjedhur të tillë batakçijnë pa ka aritur në këtë gjëndje si arsimi si ekonomia si dhe shoqëria të gjitha këto janë të lidhura si një zinxhirë</p>
Per Zotin o Pullumb Karameta
<p>Per Zotin o Pullumb Karameta po e shofim edhe si po emrohen drejtoret e rinj te DAReve, me konkurse ku piket me te shumta i jepen zerit "Pjesmarres aktiv ne fushaten elektorale te PS". Pra s'ka nevoje te japesh me sqarime o shoku Pullumb, se e verteta eshte ne drite te Diellit.......</p>
mos i bjer ne qafe pellumbit
<p>mos i bjer ne qafe pellumbit or daje se aty ku rri ai nuk nuk bie kurre dielli</p>
zotni pllumi "rri ku nuk bie
<p>zotni pllumi "rri ku nuk bie dielli", por ama shkon nga fryn era e xhepat i ka me flamur te gatshem plot. Parate e prinderve administrohen vetem nga bordi i tyre, sipas kerkesave qe ka drejtoria. Ato perdoren vetem me vendime bordi dhe nen administrimin e tij. Per pretekste mund te gjeshe sa te duash, se ju qe keshilloni ministren sot keni boll historira bordesh e allishverishesh dje.</p>
Add new comment