Në Prishtinë u rrëzua qeveria, në Tiranë po synohet rrëzimi i Albinit*

Postuar në 26 Mars, 2020 20:51
Skerdilajd Zaimi

 

Qeveria e Albin Kurtit u rrëzua në Parlamentin e Kosovës, por duket sikur debati kryesor për pasojat e këtij akti po zhvillohet në Tiranë. Kaq shumë e ka provokuar rehatinë publike të Edi Ramës Kurti, saqë nuk po mbetet më kush pa shkruar. Kurti portretizohet si i rrezikshëm, për shtetin, demokracinë, të ardhmen, si aventurier, marksist. Gjithë arsenali i termave të vëna në punë pavarësisht nëse u dihet apo jo kuptimi. 

Të gjithë analistët dhe gazetarët e pushtetit në Tiranë janë lëshuar me të gjithë atë që dinë duke i rënë këmbanave të alarmit se Albinizmi, apo Kurtizmi është bërthamë antiperëndimore në mes shqiptarësh. 
Duhet të themi se Kurti – edhe pse me të ka shumë arsye për të mos qenë fare dakord e madje edhe kundër – ka arritur pa dashur një fitore. 

Vetëm 50 ditë në qeverisjen e Kosovës dhe ai ka tërhequr pas vetes të gjithë armiqësinë e shushunjave mediatiko-politike që nuk po dinë të artikulojnë ndonjë kritikë për të qenë veç sorollatjes me terma dhe epitete të kontesktualizuara fare trashë në atë që e shpallin si interes të Kosovës. Janë po këta që i sheh përditë me shashkat karakteristike çorientuese të cilave u lexohet qoftë autorësia, qoftë porositësi. 

Përveç kësaj fitoreje sasiore që do ta argëtonte këdo për numrin e zhgarravinave inatçore që po dalin në dritë pa arsye të besueshme, Kurti ka të siguruar një fitore tjetër. Dhe këtu nis problemi politik dhe publik për të. Asnjë prej këtyre që sot po shkumëzon kundër tij, sa për inat, e sa për detyrë, nuk barabitet në nivelin e diskursit politik me të. Kështu që çdo lloj publicistike që sot mëton të mitralojë verbalisht pozicionin e tij, është e dështuar sepse nuk ka mjetet dhe kapacitetin për ta bërë këtë. Është kjo arsyeja, pra paaftësia për të përballur drejtpërdrejt, që ka prodhuar në vend të kritikës, sulme dhe mëri personale. 

Ky dallim i Kurtit mes politikanëve të tjerë shqiptarë, është karakteristika e tij dhe akarakteristike në një skenë mbarëshqiptare ku prej vitesh spikat krimineli, marifetçiu, gjysmë i shkolluari, abrashi të cilit nuk i vlen asnjë pasuri, servili, spiuni i ambasadave, deputeti që nuk di të shkruajë pesë radhë, kryeministri që bën pakte me krijin etj.. Ky profil ka rezonuar edhe në Shqipëri. Kurti është parë me simpati në Tiranë e më gjerë, në dallim nga alienë politikë si Thaçi, Haradinaj apo Mustafa, që thjesht nuk kanë valencë politike tej kufijve të vendit të vet. Rugova që mbetet padyshim një politikan i papërsëritshëm për stilin dhe zgjedhjen, mbeti i pakuptuar për shumë kohë. 

Këto cilësi i kanë prishur z. Rama komoditetin e vet publik që konsiston në bindjen vanitoze se në hapësirën shqiptare ai është i veçantë: artist, sportist, me kulturë, intelektual, polemist, aktivist, filoperëndimor. Mund të vazhdohej gjatë me zallmahinë e virtyteteve, që në fund nuk vlejnë sepse z. Rama e përgënjeshtroi shpresën naive të shumëkujt me qeverisjen e tij që është Fatkeqësia e Shqipërisë. Ky mund të jetë pohim që mund të ndajë njerëzit, por ama një gjë e dimë të gjithë në këtë vend: korrupsioni, kriminalizimi kanë arritur përmasa të paprecedenta. Çfarë vlejtën atëherë të gjitha cilësitë e një portreti të rremë? 

Krtika dhe sulmi nuk mjaftojnë. Duhet edhe alternativa. Aty ku Lulzim Basha dështoi në mënyrë spektakolare, Kurti pati sukses. Ne e mbajmë mend sa shqetësim krijoi protesta e studentëve në Tiranë, u spekullua se atë e organizoi Vetëvendosja. Ne kemi parasysh se frika e kryeministrit arriti deri aty saqë edhe për një njeri pa relevancë politike të vërtetë si Ditmir Bushati u arrit deri atysa të thuhej se do aderonte me Vetëvendosjen, duke e shpallur këtë të fundit si armike të PS-së. 

Kurti pra dëshmoi se i mbijeton mirë të gjithë mekanizmit manipulues të medias në Shqipëri. Dhe kjo për një arsye tjetër fare më bazike: ai ka bërë gabime, por deri më sot nuk është dyshuar si i korruptuar. Është një dallim themelor në hapësirën shqiptare ku qeverisin hajdutët dhe banditët. Ai nuk e ka rekrutuar bazën e vet nga workshope ambasadash, por e ka krijuar duke krijuar edhe veten. 

Ne duhet të kemi parasysh se qeverisemi në Tiranë nga një frikacak i pashembullt, që e di për shkak të përvojës së vet se çfarë ndodh kur në trutë e njerëzisë nis e shikohesh si i zëvendësueshëm. Si dikush që i ka kaluar koha, si një persona që dihet se çfarë do të thotë që në fjalinë e tretë. Që nga orator shndërrohet në llafazan, nga polemist(po e pranojmë sikur është e vërtetë) në xhandar të fjalimeve të veta, nga reformator në apologjet personash nën hetim dhe të kapur në flagrancë. 

Zëvendësuesit fantazmagorikë si Erjon Veliaj nuk e shqetësojnë z. Rama sepse ai përfaqëson përmbaruesin e punëve të pista që nuk ka profilin e të enit dikuh që sfidon. Zoti Rama i druhet Ditmir Bushatit jo për ndonjë aftësi të veçantë, por vetëm e vetëm se Bushati nuk është njollosur në qeverinë e korrupsionit. Ose nuk është përfolur. Iu tremb Ben Blushit dikur për aftësinë oratorike dhe prezencën mediatike, aftësinë për të mos rënë në banalitete. Por e mposhti për shkak të karakterit politik, të cilin z. Blushi nuk e kishte.

Kurti është politikani i vetëm që barabitet intelektualisht, por sfidon moralisht. Kjo mund të jetë edhe çështje perceptimi, por ne shohim se z. Rama i beson perceptimit më shumë sesa analizës. Ne dimë se ai në emër të këtij perceptimi të rremë i nënshtrohet mediave të caktuara, ndërkohë që si këmbim merr mbulimin dhe heshtjen për skandalet që nuk kanë të sosur. 

Sot që Kurti ra, njerëzit e tij në media nuk dinë se çfarë të thonë veçse ta përgojojnë sjelljen e ish-kryeministrit të Kosovës, por jo të merren me ndonjë nga vendimet e tij. Po flasin për një rrezik që iku, për triumfin e legalitetit dhe shumicës të përfaqësuar nga LDK dhe PDK, për fitoren e Thaçit dhe Mustafës. Po mbrojnë status quonë, atë që bëjnë përherë edhe në Shqipëri. Sepse përndryshe mbeten pa punë, sharës të palodhur që i paguhen prurësit më të parë. 

Kjo nuk e bën Kurtin të imunizuar nga kritikat dhe gabimet. Edhe fajet. Por ajo që ka vlerë të vihet në dukje është fakti se qitja mediatike kundër tij motivohet nga frika e establishmentit politik në Tiranë dhe Prishtinë nga ndryshimi. Ai ndryshim që kërkon përshtatje dhe jo politikë marionetash ku interesi publik quhet i mbrojtur vetëm nëse atë e reciton çiraku i radhës. 

Kjo është një përplasje që nuk mund të frenohet nga askush. As nga kombinati i të keqes që ka emrin Partia Socialiste e Shqipërisë. Ajo është vazhdim i një lufte të vjetër që i bëhet intelektualizmit në mendimin politik shqiptar, intelektualizëm që sa herë shfaqet me atributin themelor, autonominë e të menduarit, sulmohet në front nga poltika tradicionale e hosanasë në konsullata dhe demkat e mediave, që janë damka e kohës që jetojmë. 

*Titulli i ndryshuar

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Nje analize qe vlen per t'u lexuar dhe rilexuar. Bravo redaksia.

Submitted by Selim (not verified) on

C'hyn Rama ne gjithe kete hartim ku ka vetem kashte dhe fare drithe. Kjo eshte nje ceshtje e popullit dhe politikes se Kosoves. Nese Rama do kishte shpenzuar qofte edhe nje fjale per situaten politike ne Kosove mund te thirrej ne kauze. Ju thjesht tregoni se sa e vaket eshte jeta juaj politike pa Ramen.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.