Ismail Qemali në kërkim të aleatëve për shtetin e ri

Postuar në 28 Nëntor, 2013 08:31
Paskal Milo

Jeta e personaliteteve politike është komplekse, me ngjitjet e uljet e saj, me meritat e gabimet, me të mirat e të këqijat. Asnjë prej tyre, qofshin edhe nga më të mëdhenjtë në historinë e njerëzimit, nuk mund të pretendohet se kanë qenë gjithnjë e në të gjitha veprimet pozitivë, objektivë e të paanshëm. Vetë mendja njerëzore është një galaktikë fenomenesh e ndjesish të pashpjegueshme, vetë personaliteti i njeriut që jeton në një mjedis të caktuar shoqëror ka reflektime e perceptime të ndryshme rreth tij, por edhe ndikime nga interesa nga më të larmishëm: personalë, familjarë, fisnorë e kombëtarë. Vlerësimi i një personaliteti politik në mënyrë realiste e objektive në tërësinë e tij bëhet vetëm nga një largësi relative e viteve, jashtë presionit të emocioneve e interesave të çastit, atëherë kur koha i ka fashitur pasionet dhe kur brezi që ka bërë historinë e momentit nuk jeton më ose të paktën është i pafuqishëm të ndikojë në gjykimin dhe interpretimin e ngjarjeve sa më afër të vërtetës. Nga ky rregull i përgjithshëm në të kuptuarit e të shkruarit të historisë nuk bëjnë përjashtim as edhe personalitetet e aktorët kryesorë të historisë shqiptare në tërësi e të asaj të shtetit të pavarur shqiptar në veçanti. Janë një galeri personazhesh një pjesë e të cilëve është trajtuar në një dritë glorifikuese e romantike, duke u përpjekur për t’u fshehur mëkatet e gabimet e një pjesë tjetër që u është rënduar emri e historia me akuza e gjëra të pandodhura, që u janë mohuar punët e dobishme e u është hedhur baltë pa e merituar. Shpesh është e vështirë të ndahet ku fillojnë meritat e ku përfundojnë gabimet. Por, kur flitet për personalitete të rëndësishme të historisë, pesha e rëndesës në vlerësimin e tyre të përgjithshëm qëndron në aktin ose veprimet madhore që ata kanë kryer, pozitive ose negative. Elementet e dorës së dytë e rastësore nuk mund të përcaktojnë notën që historia vendos në kujtesën e kombit.Në historinë shqiptare të Luftës së Parë Botërore ka një ndërthurje të çuditshme karakteresh, qëndrimesh e veprimesh, që në një gjykim individual ka vlera të çmuara njerëzore e atdhetare, por në një gjykim të marrëdhënieve ose të sjelljes me një person ose grup tjetër njerëzish vlerësimi zbehet ose lë një shije të hidhur. Ka një dinamikë kaotike brenda vetë personaliteteve shqiptare që i hedh nga një orientim në një tjetër, që nga aleatë e partnerë të respektueshëm i bënë kundërshtarë e dashakeqës gojështhurur, e më keq akoma, shërbëtorë pa dinjitet te të huajt. Këto kanë ndodhur gati 100 vjet më parë, por jo më pak ndodhin edhe tani. Në këtë kontekst e mjedis politik e social i kaloi vitet e fundit të jetës së tij edhe Ismail Qemali. Ato përkuan me periudhën e Luftës, ku ai i detyruar nga rrethanat u end nga një shtet në tjetrin për të mos u kthyer më me këmbët e veta në Shqipërinë që la pas. U largua nga Vlora diku nga fillimi i gushtit 1914. Iku i pakënaqur nga paaftësia e Princ Vidit dhe nga mosbesimi që ky i fundit ushqente ndaj tij. Por u largua, edhe pse kundërshtarët e tij të njohur e akuzuan jo për herë të parë se mbante qëndrime që favorizonin politikën greke në Shqipëri. Shkoi në Romë, ku në mesin e muajit gusht u takua me San Xhulianon, që i shfaqi pikëpamjet e tij për situatën në Shqipëri dhe për paaftësinë e Princ Vidit. I ripërsëriti ministrit të Jashtëm italian konceptin e tij të gabuar të qeverisjes kantonale të Shqipërisë, të cilin ministri i Jashtëm i Vjenës, Berhtold ishte gati ta pranonte si të keqen më të vogël, por që nuk i shmangte rreziqet, veçanërisht për Shqipërinë e Jugut. Ismail Qemali vazhdoi të interesohej për zhvillimet në Shqipëri dhe ishte i shqetësuar për përhapjen e lëvizjes rebele në drejtim të jugut të vendit dhe për rrezikun e rënies së qytetit të Vlorës në duart e kryengritësve fanatikë. Këta të fundit i kishin paraqitur kryetarit të Bashkisë së Vlorës disa kushte për të hyrë në mënyrë paqësore në qytet: heqjen e Princ Vidit, thirrjen e një Asambleje të Përgjithshme në Shijak dhe ngritjen e flamurit turk. Përmes konsullit italian Lori, kryetari i Bashkisë i Vlorës, më 25 gusht kërkoi urgjent mendimin e Ismail Qemalit. Përgjigjja e Ismail Qemalit më 29 gusht ishte se ai i pranonte disa kushte: të kthehej në Vlorë, të merrte përsipër qeverisjen e vendit, të mos njiheshin përfaqësuesit e qeverisë qendrore të Durrësit, por të pranoheshin të gjitha angazhimet që rridhnin nga Konferenca e Londrës, e cila garantonte pavarësinë kombëtare dhe integritetin territorial të vendit. Atë që nuk pranoi ai, ishte ngritja e flamurit turk në Vlorë. Pa flamurin kombëtar u përgjigj Ismail Qemali “vendi do të humbte simbolin e pavarësisë së tij dhe do të bëhej menjëherë pre e fqinjëve”. Muajt e vjeshtës, Ismail Qemali me sa duket i ka kaluar në Itali. Vdekja e San Xhulianos, me të cilin kishte krijuar një lidhje të afërt, ndikoi në kontaktet e tij me autoritetet italiane. Ai nuk është pajtuar me pushtimin e ishullit të Sazanit në tetor nga Italia, por as edhe me zbarkimin e forcave italiane në Vlorë në fund të dhjetorit 1914. Italianët nuk e përdorën dot e, për rrjedhojë, as edhe nuk e ndihmuan për të përballuar vështirësitë financiare në të cilat ndodhej. Ai kërkoi mbështetjen e Vjenës, që kishte shërbyer si frenuese deri në këtë kohë e synimeve italiane në Shqipëri. Por as ajo nuk e ndihmoi në zbatimin e një projekti politik që ai kishte paraqitur te ambasadori austro-hungarez Makio në Romë, për t’u rikthyer në Shqipëri së bashku me Ferid Pashë Vlorën, kushëririn e tij e ish- kryeministër i Perandorisë Osmane, për të ndërtuar një qeveri kombëtare që do të synonte të kontrollonte e të neutralizonte lëvizjen rebele fanatike të Shqipërisë së mesme. Berhtoldi i shprehu Makio-s dyshimin për Ismail Qemalin dhe e udhëzoi që në mesin e nëntorit 1914 që t’i përcillte atij mesazhin se “ne nuk jemi të disponuar para mbarimit të Luftës, prej së cilës varet edhe fati i Shqipërisë, që të ndërmarrim ndonjë iniciativë për të bërë veprime atje, por të cilat ne, megjithatë, do t’i bënim vetëm në marrëveshje me Italinë.” Fillimi i janarit 1915 e gjeti Ismail Qemalin në kryeqytetin e Austrisë, ku me siguri është pritur edhe nga Berhtoldi. Por ai nuk e dinte se Vjena ishte në bisedime të fshehta me Romën edhe për copëtimin e Shqipërisë për ta tërhequr Italinë në anën e Boshtit Qendror. Nuk ishte më i mirëpritur as në qarqet e larta austriake, ndaj edhe iu sugjerua se “në situatën politike të sotme nuk shihet oportun, as ndonjë aksion në Shqipëri, por as edhe një qëndrim më i gjatë i tij në Vjenë…” Kuptohej, Ismail Qemali nuk pëlqehej më në Vjenë, dëshmi kjo që është në kundërshtim me akuzën që i kanë bërë kundërshtarët e tij dhe qarqe politike italiane e franceze se ai ka qenë në shërbim të austro-hungarezëve. Madje, edhe lutjen e tij për një ndihmë materiale për të e për familjen e tij që të kapërcente kohët e vështira që po kalonin e për të shlyer disa borxhe në Itali, autoritetet austriake e trajtuan me mospërfillje duke i akorduar një shumë modeste dhe duke e justifikuar se “ka shkuar në shtete armiq”. I refuzuar e i dyshuar në Vjenë e në Romë, I. Qemali u rikthye në Itali, në qytetin San Remo. Këtë e provon fare qartë një shkresë që ministri i Jashtëm italian, Sonino, i dërgoi në 9 janar 1915 ministrit të Brendshëm për të survejuar në mënyrë të fshehtë e për të parë nëse I.Qemali mbante marrëdhënie me persona të dyshuar. Pasi ka marrë informacionet e para në 3 prill nga autoritetet lokale të nënprefekturës së San Remos për kontrollin e korrespondencës e të njerëzve që ka takuar I.Qemali me të birin, më 9 prill Ministria e Punëve të Jashtme përsëri i kërkoi Ministrisë së Brendshme që shërbimet sekrete të vazhdonin survejimin e tij, sepse ai dyshohej për spiunazh në favor të Austrisë. Sonino paralajmëronte autoritetet rajonale se duhej të kishin parasysh tendencën e tij për të shfrytëzuar situatën e vështirë politike në të cilën ndodhej Shqipëria për qëllime egoiste e personale dhe duhej të kishin në vëmendje “intrigat dhe manovrat në kundërshtim me drejtimet e veprimit tonë në Shqipëri”. Dëshmitë dokumentare tregojnë se Ismail Qemali nga gjysma e prillit të vitit 1915 ka qenë në Francë e ka qëndruar aty gati deri në verë të 1918. Politika zyrtare franceze e lidhur me Esat Pashën nuk e shihte me simpati Ismail Qemalin, përkundrazi, bënte të sajat qëndrimet që i servireshin nga kundërshtarët e tij. Në nëntor 1915 në Ke D’ Orsej ekzistonte mendimi se e kaluara dhe karakteri i tij nuk jepnin asnjë garanci dhe se ndaj tij duhej treguar kujdes dhe se do të ishte një favor i madh që ai të lejohej të gëzonte mikpritjen franceze. Për fat të keq, edhe disa njerëz që kishin fituar statusin e miqve të Shqipërisë, por që me ose pa dashje ishin ngatërruar në vorbullën shqiptare të rivaliteteve e armiqësive personale, ndonëse në dukje para Ismail Qemalit shfaqeshin si miq të tij, në fakt e paragjykonin e flisnin keq ndaj tij. Obri Herbert, siç edhe është përmendur, kishte marrëdhënie miqësore me shumë shqiptarë, por dihej se ai kishte marrëdhënie të veçanta me Mehmet Konicën, i cili duke iu referuar përgojimeve për ish-kryetarin e parë të qeverisë së parë të shtetit të pavarur shqiptar, thoshte në atë kohë se “Ismaili i vjetër mund të ketë shitur këdo dhe gjithçka, por ai është më shumë burrë shteti në një gisht sesa gjithë të tjerët”. Dihej që vëllezërit Mehmet e Faik Konica nuk ishin dashamirës të plakut të Vlorës, por e keqja ishte se ata me opinionet e tyre, por edhe të disa të tjerëve ndikonin negativisht te të huajt, ku Ismail Qemali trokiste në emër të çështjes kombëtare. Kjo vërtetonte më së miri thënien e famshme të vetë Faik Konicës, se armiku më i madh i Shqipërisë janë vetë shqiptarët. I ndikuar më tepër nga këto opinione sesa nga vetë marrëdhëniet e pakta që Obri Herbert ka pasur me Ismail Qemalin, ai në 14 nëntor 1915 e akuzonte atë pasi ishin takuar në Paris se ishte duke thurur intriga me politikanët francezë, se ka marrë para nga shumë anë, se ishte i korruptuar dhe, akoma më keq, në korrik 1917 e cilësonte atë “maskara i vjetër”. Por në të njëjtën kohë e quante të panevojshme që të armiqësoheshe me të, se do të ishte gabim të refuzohej për të pasur marrëdhënie me të, sepse simpatitë për të ekzistonin, dhe se në qoftë se ai nuk ndihmonte, ai ishte shumë i aftë për të bërë dëm. Këto opinione negative e shoqëruan atë gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Francë. Disa miq të tij, italianë e francezë, përfshirë edhe markezin Xhuzepe Anxhelo Aurineta që pretendonte fronin mbretëror në Shqipëri e ndihmuan për të mbijetuar në Francë së bashku me familjen e tij. Por autoritetet franceze ishin lidhur me Esat Pashën dhe Ismail Qemali as nuk mund të ulej në nivelin e tij dhe as nuk mund të kthehej në një instrument të verbër e pa dinjitet, në shërbim të francezëve. Kryeministri francez nuk u kënaq nga përgjigjja e Ismail Qemalit prandaj refuzoi ta mbështeste atë, duke e quajtur të padobishme ta bënte atë një “pensionist francez”. Qëndrimi jo miqësor i qeverisë franceze e bëri I.Qemalin të mendojë për largimin nga Franca dhe vendosjen e tij në Zvicër ku kishte një koloni atdhetare shqiptare shumë aktive. Por qeveria franceze dhe ajo italiane e penguan largimin e tij nga Franca duke i refuzuar vizën. Konsulli i përgjithshëm italian në Marsejë, B. Spetia, në shtator 1916 i bëri një raport të gjerë Ministrisë së Brendshme italiane në të cilën e paraqiste pozitën e I.Qemalit e të familjes së tij në një gjendje mizerjeje dhe bënte thirrje se nuk ishte njerëzore të vdisnin urie. Konsulli e cilësonte jo humane që ky burrë në emigracion pengohet të kthehet në vendin e tij për të vetmin dyshim (filoaustriak-P.M) që edhe sikur të ishte legjitim, nuk mund të trajtohej më keq sesa një keqbërës ose një i dënuar. Në fund konsulli i përgjithshëm italian u kërkonte eprorëve të tij që Ismail Qemalit t’i caktohej një shumë modeste për të jetuar qoftë edhe në Francë…

Nga Gazeta "Panorama"

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

ke te drejte miku yt pseudo komunist gjeti aleat ilalin qe pershkruhet tek orange confetti ku spinja juaj pasi kerkoj sqarime i solli tek fakultetit juaj orange confetti per tie zgjidhu puzl-in she per te rihapur akuzen per tradheti ndaj spiuneve tuaj haleate qe kontrollojne jetet e njerezve me metoda NSAik o paskal ik o te shitur ju jeni kusare te gjithe

Submitted by Diferenca pa Moral (not verified) on

Zoti Milo, eshte person me te cilin ia vlesh te bisedosh, madje edhe te argumentohesh.

Por zoti Milo vuan nga nje handikap i pashpjegueshme ne parjen e studimin e historise: edhe ne kete shkrim, bje ne sy qe pa i etiketuar vete Milo, e shtyn lexuesin te etiketoj te permendurit ne shkrim.

Fan Noli e Ismail Qemali e Faik Konica e Esat Pasha e Francezet e greket e turqit e Austriaket e Italianet...jane ata qe jane, por kujt i duhet psh ndonje sharje apo meri vetiake e Nolit a Konices ndaj Ismail Qemalit?!

Vete Milo, ne hyrje te shkrimit thone se te gjithe jane kompleks, por duhen marre e vendosur ne situate te gjere gjitheperfshirese qe te anashkalohen pjese anesore, dhe te mbeten thelbet e figurave te permendura. Por, shkrimi ehste plote me paragjykime apo peshperitje e meri te vogla qe si "gishti" i vendosur mu para syve, duket si peme dhe nuk te lejon te shikosh pyllin!

Ajo qe bashkon fugurat e mesiperpermendura eshte cfare ben tere jeten per kete vend, dhe dobesite e permendura i bejne me njerezore.

Dhe, kryesorja, askush te mos bej pertgjithesime te llojit: ja ne shqiptaret, keshtu kemi qene gjithnje!

Keshtu jane NJEREZIT, ne gjithe boten.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.