Berisha sfidon ndërkombëtarët; këta i turren opozitës

Postuar në 25 Korrik, 2011 13:16
Alfred Kola

Plani i trumpetuar me të madhe dhe i shpallur si më i miri për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri me mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 8 maj ishte tollumbacja më e madhe në serinë e dështimeve nga ndërkombëtarët për të zgjidhur ngërçin që ka mbërthyer vendin për më shumë se dy vjet. Thirrjeve të zyrtarëve evropianë dhe amerikanë për një proces të ndershëm Berisha iu përgjigj me një lëvizje të shpejtë në sfidë të plotë të të gjitha rekomandimeve të BE-së dhe SHBA-ve dhe duke thyer çdo ligj e standard, drejtpërdrejtë në televizion dhe me ndihmën e KQZ-së, bëri kandidatin e tij kukull kryetar bashkie të kryeqytetit. Çfarë pasoi farsën zgjedhore më spektakolare në historinë e post-komunizmit ishte reagimi i patolerueshëm letargjik i BE-së dhe SHBA-ve. Kur gjithkush priste një denoncim të prerë të parregullsive, të ndjekur më pas me ndëshkime të rënda për kryeministrin shqiptar, komuniteti ndërkombëtar iu shmang përgjegjësisë si garantues i zgjedhjeve dhe iu kthye ritualit të mërzitshëm për kompromis, dialog e integrim, që kryesisht duket se i drejtohen opozitës.

Deri tani kjo nuk kishte bërë vaki asgjëkund dhe, ta  themi hapur, BE-ja nuk ndalon së na surprizuari. Ndërsa fshikullon Llukashenkon në Bjellorusi për veprime autoritare dhe manipulime zgjedhjesh për të qëndruar në pushtet, komuniteti ndërkombëtar e trajton Berishën si një të përkëdhelur dhe hapur fajëson dhe sulmon opozitën. Vrasjet politike, vjedhjet e zgjedhjeve, plumbat ndaj protestuesve dhe shumë veprime te tjera diktatoriale nga ana e kryeministrit duket se nuk i shqetësojnë krerët në të dy anët e Atlantikut, misioni i të cilëve për të shkatërruar opozitën dhe zgjatur sundimin e Berishës po bëhet i qartë si drita e diellit. Shqipëria është i vetmi vend në botë ku opozita fajësohet për situatën politike, gjyqësore dhe ekonomike dhe qeveria që manaxhon vendin, merr vendime dhe ndjek politika shfajësohet nga çdo përgjegjësi. Ky qëndrim po shkon shumë larg dhe ka zemëruar një pjesë te madhe të njerëzve që ndihen të fyer, sepse po e kuptojnë që komuniteti ndërkombëtar ua ka me të futur. Deklaratat e zyrtarëve evropianë dhe amerikanë pas zgjedhjeve dhe “parada e modës” së ambasadorëve provuan vetëm një fakt të pakundërshtueshëm, se Bashkimi Evropian po vepron si një OJQ dhe jo si institucioni që pretendon se është. Qëndrimet e qeverive perëndimore  ndaj krizës në dy vitet e fundit ngrenë pyetjen themelore, nëse ata me të vërtetë dëshirojnë një Shqipëri demokratike dhe të zhvilluar ekonomikisht. Përgjigja ndaj kësaj pyetje është: Jo. Ka një numër arsyesh përse një Shqipëri e zhvilluar nuk është e dëshirueshme në qarqet politike të Europës dhe SHBA-ve, analiza e të cilave është jashtë fushës së këtij artikulli, por ne kemi të drejtën të bëjmë një tjetër pyetje: Ata mund të mos duan një Shqipëri të zhvilluar, por ne po. Atëherë kush vendos? Sigurisht që ne vendosim, sepse vendi është i yni dhe është ardhmja jonë në rrezik. Nëse ne nuk luftojmë sot, atëherë fëmijët tanë mund të mos kenë atdhe dhe të ardhme nesër. Ka ardhur koha t’u themi troç zotërinjve ndërkombëtarë “Mjaft Më!”, se ata duhet ta marrin situatën në Shqipëri shumë seriozisht dhe t’i thonë gjërat siç janë, ashtu si ambasadori danez në Tiranë me të drejtë bëri thirrje.  Ata duhet ta njohin faktin se Berisha nuk do të largohet kurrë nga pushteti në mënyrë demokratike dhe nuk do të lejojë të mbahen zgjedhje të ndershme që të mundësojnë kalimin paqësor të pushtetit. Historia politike e njëzet viteve të fundit e ka provuar këtë fakt katërcipërisht. Kështu konfrontimi është i pashmangshëm dhe mund të evitohet vetëm nëse Berisha detyrohet të largohet me aksion ndërkombëtar. Qasja e tanishme ndaj krizës dhe sulmet e hapura ndaj opozitës nuk janë mënyra e duhur për të qetësuar gjakrat. Përkundrazi, është një mënyrë e sigurt për ta shtyrë vendin në një luftë të përgjakshme civile që do të ndizte flakë Ballkanin dhe Europën, e shtyrë edhe nga një faktor tjetër vendimtar: varfëria ekstreme e masave të popullsisë përballë luksit të pamerituar të rrethit politik afër kryeministrit. E kuptoj se ky skenar është i frikshëm, por është vështirë të provohet së është i gabuar. Fatkeqësia e vërtetë është se shqiptarët do paguajnë me gjak tekat e disa politikanëve evropiano-lindorë me pak eksperiencë në demokraci dhe fjalëve që qarkullojnë për lidhjet e tyre me biznese të dyshimta që operojnë në Shqipëri.

Fakti që ekipi zyrtar i BE-së që merret me Shqipërinë përbëhet kryesisht nga evropiano-lindorë të origjinës sllave që ndoshta veprojnë në bazë të lidhjeve të vjetra të përkatësive etnike është një tjetër dëshmi që provon përse Shqipëria qëllimisht mbahet prapa vendeve të tjera në procesin e vendosjes së shtetit ligjor dhe integrimit evropian. Bashkëpunimi i plotë i kryeministrit kundër interesave kombëtare të vendit i jep atij mbrojtje ndërkombëtare dhe dorë të lirë në vend për të shtypur këdo e gjithçka që i pret rrugën e pangopësisë për ta vendosur vendin nën zotërimin e familjes së tij.

Pas kësaj analize duket se pritet shumë pak ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar. Pyetja është se çfarë do të bëjnë shqiptarët për të ndërtuar një vend të denjë për fëmijët e tyre dhe një të ardhme për ta në këtë vend. U takon atyre ta thonë fjalën e fundit, por diçka nuk duhet harruar kurrë: Liria nuk dhurohet, por fitohet. Dhe për të fituar lirinë që kemi ëndërruar kaq gjatë le ta nisim si fillim duke mos dëgjuar më ndërkombëtarët. Le t’i injorojmë ashtu siç kanë bërë ata me ne kaq vite!

Këtë shkrim e gjeni dhe anglisht në rubrikën “Global View” të këtij website-i.

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

"Fakti që ekipi zyrtar i BE-së që merret me Shqipërinë përbëhet kryesisht nga evropiano-lindorë të origjinës sllave që ndoshta veprojnë në bazë të lidhjeve të vjetra të përkatësive etnike"

Keto teori konspirative ku fajtori del greko-sllavo-turko etj. etj. qe i gjen pafund ne mediat shqiptare, nuk jane te denja per rreshtat ku shkruhen.

Submitted by Anonim (not verified) on

Duket se eshte thjesht nje aludim. Nuk eshte konspiracion por ama eshte fakt dhe nuk eshte se ndihmon shume shqiptaret

Submitted by Anonim (not verified) on

Duket se eshte nje aludim per te bashkuar te gjitha pjeset. Nuk flitet per konspiracion, por ama eshte fakt qe duket se nuk i favorizon shqiptaret

Submitted by Anonim (not verified) on

eshte politike politike politike dhe vetem politik asgje tjeter nuk behet vetem fjale

Submitted by Anonim (not verified) on

Bash pse jane sllave or Alfred ata duhet te ishin me Edi RAMA,se ate parti qe ka Edi RAMA sot ,sllavet e krijuan.E mos kujto se e kane harruar kete gje ata.Po Edi Rama,ne asnje rrethane dhe ne te gjitha rrethanat nuk eshte per t'u perkrahur.Dhe ata bejne ate qe duhet bere.Ramen e boni lanet edhe KOKEDHIMA e ti pret ta perkrahin te tjeret.

Submitted by Anonim (not verified) on

zoti nano, e kam vënë re disa herë, që jeni shprehur që ambasadorët shfajësohen për ndodhi shqiptare duke thënë (quote) 'kështu bëhet në shqipëri'. kur tua thonë herë tjetër pyetini: a është arsye kjo lloj sjelljeje, që ne shqiptarët të mos jemi në be?

Submitted by Anonim (not verified) on

Ne BE nuk shkohet me qeverisjen e amabasadoreve. Ambasadori ka nje detyre qe nuk duhet ta tejkaloje. Edhe ne Kosove, e cla eshte protektorat, ambasadoret nuk kane kaq pushtet. Integrimi eshte nje loje e rrezikshme. E para vjen shteti ligjor, pastaj shohim e bejme. Kush nuk e kupton eshte ai qe e mban Shqiperine prapa liste

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.