Rithemelimi i PD, shansi për një parti të djathtë moderne

Partia Demokratike gjendet para një udhëkryqi historik jo vetëm për atë vetë si forcë politike, por për të ardhmen e vendit dhe demok-racinë. Është një moment historik që duhet vlerësuar për vetë rëndësinë që ka konfigurimi i ri i skenës politike në Shqipëri pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
Panorama e zymtë e një force politike të drobitur nga humbja rëndohet edhe më tepër po të kemi parasysh se PD që prej krijimit vuan nga mungesa e theksuar e demokracisë së brendshme, mungesa e lirisë për të shpalosur alternativa. PD duhet ta kishte konsideruar humbjen në këto zgjedhje si normale, sepse pas 8 viteve qeverisje humbja mund të ndodhte, dhe në njëfarë mënyre duhej të gjendej më e përgatitur. Por kjo duket më shumë se një humbje e zakonshme.
Humbja thellohet kur opsionet për krijimin e një fronti opozitar të fortë përballë maxhorancës së ekzagjeruar nga e majta janë të pakta, duke nisur që nga zgjedhja e kryetarit të PD-sa pas dorëheqjes së Sali Berishës, i cili mbeti në krye të saj për më shumë se dy dekada. Për një kohë të gjatë strukturat organizative dhe drejtuese të PD pothuajse nuk kanë funksionuar. Marrëdhëniet nga qendra në bazë kanë qenë një klishe e detajuar saktë, e mirëpërcaktuar, pa asnjë nevojë për të ndërtuar rrugë të reja komunikimi. Për fat të keq, fraksionet brenda partisë pothuajse kanë munguar dhe ata që morën mundimin të largohen, shpejt u kthyen kokulur, të joshur nga pushteti, pa sjellë asnjë ide të re, duke qenë të detyruar të pranojnë paktin e heshtjes, i cili i ktheu ata në zyrtarë të rëndomtë.
II- Por, pavarësisht humbjes së të drejtës për të qeverisur, PD ka shumë punë për të bërë. Kryeministri në largim, Berisha, ka lënë të kuptohet qartë se edhe pse do të jetë një anëtar i thjeshtë i PD, do të asistojë në zgjedhjen e kryetarit të ri, çka do të thotë se ai do të vendosë për liderin e ardhshëm. Historia duket se po përsëritet, por në kahun e kundërt.
Në qershor të viti 1991, Partia Socialiste (ish-PPSH) ishte para një dileme të ngjashme kur i duhej të zgjidhte një kryetar të ri.
Sot, 22 vite më pas, ndodhemi në një tjetër kontekst politik. Shumë ngjarje kanë rrjedhur qysh atëherë, por jo aq shumë sa ta bëjnë të pamundur këtë krahasim.
Le t’i shohim më hollësisht:
Në vitin 1991, PPSH i fitoi të parat zgjedhje pluraliste që zhvilloheshin në Shqipërinë e saposhndërruar nga një sistem totalitar në sistemin e ri pluralist. Zgjedhjet u zhvilluan më 31 mars 1991, ndërsa PD kishte vetëm pak muaj që ishte themeluar, më 12 dhjetor 1990.
PPSH mundi të bëjë disa ndryshime të rëndësishme për kohën. Në listat e kandidatëve për deputetë u përfshi një grup intelektualësh, edhe pse ata kishin qenë afër nomenklaturës, por të papërlyer me mëkatet e sistemit. PPSH ndryshoi programin dhe statutin e saj, qoftë edhe formalisht, por e përshtati me programin e statutin e një partie në kushtet e një sistemi pluralist, e gatshme për të hyrë në garë elektorale. Anëtarësia u mobilizua, pasi partia kërcënohej si kurrë më parë. “Vullnetarët e Enverit” ishte një prej elementeve që ndikuan në mobilizimin e anëtarësisë për të mbrojtur dhe mbajtur në këmbë në këto zgjedhje partinë.
Nga ana tjetër, PD ishte krejt e papërgatitur. Kishte vetëm pak muaj që ishte themeluar dhe strukturat ende nuk ishin ngritur. Vetëm katër muaj kohë për të hyrë në zgjedhje ishin shumë pak. Themeluesit e PD u shpërndanë me urgjencë ku mundën nëpër Shqipëri, në kushte mjaft të vështira, dhe ia dolën të organizohen minimalisht nëpër qytete, duke ngritur strukturat, rreth të cilave afrohej elektorati. Ndërkohë doli në plan të parë edhe konkurrenca për të marrë postin e liderit. Sali Berisha ende nuk ishte zgjedhur si kryetar i partisë. PD kishte kaluar nëpër një sërë mbledhjesh të Komisionit Nismëtar, ku herë zgjidhej Azem Hajdari si kryetar i Komisionit, herë Aleksandër Meksi, dhe procedura kthehej e kthehej, derisa u zgjodh në krye të Komisionit Nismëtar Sali Berisha. Dukej më i duhuri për shkak të specifikave. Si figurë që ishte identifikuar në lëvizjet e dhjetorit, jepte më shumë besim dhe siguri për opozitarët. Sidoqoftë, ky çorientim i organizimit të brendshëm të PD pati ndikimin e tij në betejën elektorale. Fushata e PD u përqendrua kryesisht në qytete, atje ku dhe ishte investuar më shumë në ngritjen e strukturave.
Këto elemente u reflektuan në rezultatin e zgjedhjeve. PPSH fitoi shumicën në Kuvendin e pas zgjedhjeve të 31 marsit. PD fitoi thuajse në çdo qytet, ose në të gjitha qytetet e mëdha, ndërsa PPSH mori shumicën e votave në shkallë vendi. Menjëherë pas krijimit të qeverisë së re, opozita nisi të riorganizohej dhe paralelisht me këtë vazhdonte edhe aksionin politik, duke shtuar dozat e opozitarizmit deri në rrëzimin e qeverisë së PPSH. Kjo e fundit dukej e çorientuar, edhe pse ky ishte një proces i natyrshëm, pasi për herë të parë ata gjendeshin përballë sulmeve opozitare dhe kishin një kundërshtar.
Nga ana tjetër, drejtuesit e PPSH kishin projektuar ndryshimin brenda tyre, duke ditur se e ardhmja e tyre në qeverisje nuk ishte e sigurt, ndaj dhe investimi po shkonte gjithnjë e më shumë drejt riorganizimit dhe njëherësh lënies së pushtetit, pra zgjedhjeve të parakohshme, të cilat opozita demokrate i kishte artikuluar si kërkesë qysh në ditët e para pas zgjedhjeve të 31 marsit. PPSH shpalli Kongresin X të saj në pranverën e vitit 1991. Grupe pune kishin përgatitur programin e ri, statutin, dhe kishin bërë të gjitha ndryshimet e nevojshme për të ndryshuar fytyrën e partisë së vjetër. Elita politike ishte sfida kryesore. Cila do të ishte ajo dhe kush do të ishte përcaktuesi i listës finale? Pa dyshim Ramiz Alia.
Gjetja e pasardhësit ishte sfida e tij. Dhe kështu ndodhi. Dëshmitarë të atij kongresi e kanë pohuar publikisht se Fatos Nano ishte një zgjedhje e Ramiz Alisë. Nuk ishte i pari, natyrisht, pasi Alia kishte ftuar të tjerë intelektualë për t’iu ofruar postin e pasardhësit të partisë së vjetër, bashkë me mbështetjen për vazhdimësinë. Në një situatë specifike, PPSH u shndërrua në PS brenda një nate dhe Ramiz Alia ia doli të përcaktojë elitën e re politike të kësaj partie. Ramiz Alia e drejtoi procesin e (ri)themelimit të PS duke i mbyllur rrugën çdo lloj përpjekjeje që dilte jashtë influencës së tij. Ai rrëzoi kategorikisht tezën me të cilën tentuan të veprojnë një grup intelektualësh brenda PPSH, sipas së cilës ishte e nevojshme shpërndarja e PPSH dhe themelimi i një partie të re, jashtë ndikimit të Alisë dhe nomenklaturës komuniste. Synohej mbledhja e elektoratit të majtë, pra atij të PPSH në një parti të majtë të tipit socialdemokrat perëndimor. Sapo u informua me këtë detaj, Ramiz Alia e zhbëri lëvizjen që drejtohej nga Ismail Lleshi, Kastriot Islami, Moikom Zeqo, Fatos Nano etj., me argumentin: “Ja ku e keni partinë, merreni dhe reformojeni”. Sipas dëshmisë të Ismail Lleshit, PS e humbi në atë moment shansin historik për t’u themeluar si një parti e majtë e tipit perëndimor dhe të ndahej nga e shkuara e saj komuniste. Duke mos ia dalë të kalohej në këtë rrugë, PS i pagoi kostot e së shkuarës gjatë gjithë rrugës së saj në tranzicion.
Kryetari i ri i PS, Fatos Nano, shpejt u bë shënjestra e PD. Bashkë me retorikën antikomuniste, PD përgatiti edhe akuzën për korrupsion ndaj kryetarit të ri të së majtës, Fatos Nano. Pavarësisht se si i shfrytëzoi PD këto dobësi të kundërshtarëve, Ramiz Alia i kishte lënë së djathtës disa armë të forta për ta sulmuar të majtën, e cila kishte marrë me vete të gjitha mëkatet e paraardhësve. PS nisi të ndahej realisht nga e shkuara komuniste vetëm pesë vite pas ndryshimit të sistemit në Shqipëri.
III- Sot pas 22 vitesh, jemi në një situatë të ngjashme. Sigurisht, nuk është e njëjtë, por ka shumë detaje që vlejnë të krahasohen.
Sali Berisha ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të PD, duke marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë. Por ka deklaruar se do të jetë në krye të procesit të zgjedhjeve të reja në parti. Pra ai do të shoqërojë pasardhësin në rrugën e tij drejt karriges së kryetarit. Ky është një element i ngjashëm me atë të PPSH në vitin 1991, edhe pse jemi në një tjetër kontekst politik. Me sa duket, Berisha ka projektuar Lulzim Bashën si pasardhës të tij, por a është ky procesi i duhur për të zgjedhur kryetarin e ri të PD?
Në rast se Lulzim Basha do të zgjidhet kryetar i PD pa një garë reale brenda kësaj partie, beteja e tij nis me të njëjtat disfavore me të cilat e nisi edhe Fatos Nano 22 vite më parë.
Mbi të rëndojnë dy akuza të forta nga opozita: për korrupsion rreth faturës financiare të Rrugës së Kombit dhe 21 janari, kur ai ishte ministër i Brendshëm. Sigurisht që maxhoranca e majtë do t’i përdorë dhe ripërdorë këto dy akuza sa herë të ketë nevojë, pra sa herë që të gjendet e kërcënuar nga opozita. Cilado qoftë e vërteta mbi përgjegjësitë e Bashës për këto dy çështje, e majta do t’i përdorë ato si kërcënim, qoftë edhe për të prishur imazhin e Lulzim Bashës. Ai do të paragjykohet edhe si i zgjedhuri i Berishës, duke zbehur kontributet e tij reale në politikë.
Pas dy vjetësh janë zgjedhjet lokale dhe Bashës i duhet të jetë më shumë se i suksesshëm për kohën e mbetur në krye të Bashkisë së Tiranës. Kush do ta mbështesë kaq fort Lulzim Bashën në këtë betejë përveç Berishës dhe një rrethi të ngushtë, që mund të përcaktojë zgjedhjen e tij në krye të PD? Sa koheziv është Lulzim Basha brenda PD dhe sa i aftë është ai të mobilizojë strukturat dhe elektoratin e kësaj partie për betejën e radhës?
Duke qëndruar nën hijen e Berishës, atij i mungojnë disa elemente të rëndësishme që mobilizojnë të djathtët. Një ndër to është pikërisht karizma që ka pasur gjithnjë Berisha në këto 23 vite të drejtimit të partisë.
Cilët janë ata drejtues aktualë të PD që do të jenë të gatshëm për ta mbështetur Lulzim Bashën në këtë sfidë të rëndësishme që mund ta marrë përsipër? Nga e kaluara mund të arrijmë në përfundimin se ka shumë pak drejtues që do ta mbështesin pa rezerva. Është pak e vështirë të besojmë se ata do të kenë të njëjtën disiplinë dhe përulje siç kishin para Berishës. Këtë marrëdhënie vështirë se do të mund ta imponojë Basha. Po ashtu, duket e vështirë që Berisha të influencojë mjaftueshëm, duke mos qenë kryetar i PD. Anëtarët e PD kanë një model të caktuar të funksionimit të tyre rreth liderit Berisha, dhe kjo nuk mund të zhbëhet menjëherë.
Pra, zgjedhja e komanduar e Bashës ndoshta nuk do të ishte zgjedhja e duhur, por thjesht një përsëritje e gabimeve të kampit kundërshtar.
A ka një rrugë tjetër e djathta për ta nisur ndryshimin e madh brenda saj? Sigurisht që ka, madje më shumë se një rrugë. Kanë kaluar 23 vite tranzicion dhe përvoja tashmë të ndihmon të gjesh rrugën e duhur. Mjafton të mos bëhen gabimet e së shkuarës, duke iu referuar historisë të së djathtës, por edhe të së majtës.
E vërteta është se PD ka shansin e madh që të zgjedhë rrugën e duhur në këtë udhëkryq, larg paragjykimeve të së kaluarës apo përllogaritjeve të rëndomta të politikës shqiptare.
IV- Ajo çka i duhet PD në këto momente është pak më shumë idealizëm dhe vizion. Është momenti kur Partia Demokratike dhe e djathta duhet të ndërtojnë muzeun e tyre, të shkëputen rrënjësisht nga e kaluara dhe të ndërtojnë një program opozitar, ashtu siç do të kishin ndërtuar një program qeverisës në rast fitoreje. Opozita është po aq e vlerësuar dhe e dobishme për popullin shqiptar dhe për vetë PD, sa edhe qeverisja.
Është momenti që PD të riformulojë programin e saj për t’u shprehur përfundimisht qartë mbi çështjen e pronave, jashtë klientelizmit dhe populizmit. Është momenti që PD të mos i llogarisë ish-të përndjekurit politikë si vota të sigurta dhe asgjë më tepër. Tani që nuk duhen shpërblyer më militantët, e djathta është më e lirë se kurrë për të riformuluar qëndrimin e saj rreth këtyre çështjeve nevralgjike që do ta qartësonin njëherë e mirë drejt pikësynimit që duhet të ketë një forcë vërtet e djathtë. Shkaqet e humbjes së thellë nuk duhen gjetur te një njeri i vetëm, as te puna e dobët gjatë fushatës apo programi, por kryesisht te shkalla e lartë e korrupsionit, pra mungesa e konkurrencës gjithkund, që përfshiu pothuajse gjithë drejtuesit e PD dhe zyrtarët e saj.
Para këtij udhëkryqi, ky është momenti më i mirë për të afruar rreth PD profesionistë dhe intelektualë që e duan vërtet demokracinë dhe sistemin e vlerësimit mbi merita, ndryshe nga praktikat e dekorimit të militantëve. Atributet antikomuniste, që me të drejtë PD i mori pas rrëzimit të regjimit, nuk janë të mjaftueshme për të konkurruar në skenën politike pas 22 vitesh. Sot elitat politike kanë kritere të tjera për t’u përzgjedhur, dhe është e nevojshme që e djathta reale të përfaqësohet nga të djathtët nëpërmjet filozofisë së djathtë, dhe jo doktrinave.
Para se të zgjidhet me shpejtësi kryetari i ri i PD, do të ishte shumë e dobishme për PD projektimi i një gare të hapur për këtë post, ndoshta një periudhë të paktën 6-mujore, ku PD mund të ketë një kryesi të përzgjedhur dhe secilit nga pretendentët për kreun e PD t’i krijohet mundësi të prezantojë idetë, potencialin dhe projeksionin e tij për PD, si partia kryesore e së djathtës. Në këtë mënyrë shumë intelektualë vërtet të djathtë dhe jo nga ata që thirren për peticione mediatike, do të jepnin kontributin e tyre për të rindërtuar një forcë të re dhe demokratike që mund ta vendoste në vështirësi maxhorancën e majtë që në zgjedhjet e ardhshme. Një proces i hapur mund ta unifikojë përsëri të djathtën, madje mund ta bëjë më të fortë, ndryshe nga një proces i mbyllur përjashtues. Në këtë mënyrë, Partia Demokratike do të jetë përsëri në gjendje për ta bindur popullin shqiptar se e djathta ka kapacitetet e saj, ka programin e saj, ka alternativën e saj dhe demokracinë e saj. Dhe rreth saj me siguri do të afrohen individë jo vetëm me potenciale intelektuale, por edhe njerëz të lirë, që duan të anëtarësohen në një parti liberale, për të cilën aspiruan qysh në vitin 1990. Gara e Lulzim Bashës duhet të kalojë në këto etapa, dhe nëse ndodh, ai me siguri do të marrë përmasat e liderit të nevojshëm për PD, do të jetë i gjithëpranuar, koheziv brenda partisë, i gatshëm ta udhëheqë në betejat e ardhshme elektorale.
Panorama
Comments
Nese PD don te behet me te

Nese PD don te behet me te vertete e djathte, nese don te behet parti kombetare dhe jo veriore, ku te perfshihen si nga Shqiperia e Mesme, Bregu, Juglindja etj.. ajo duhet te divorcohet me plagen e madhe te vjedhjes se pronave dhe te mos vleresimit te te persekutuareve politike. Ajo duhet te beje menjehere nje projket ligj per zgjidhjne e problemit te pronave dhe nje per lustracion per duke vene ne fokusin e saj keto dy ceshtje madhore. Per sa kohe qe prona vazhdon te mos kthehet tek i zoti dhe te jete burim korrupsioni per gjykatesit, qeverine dhe parlamentaret, per sa kohe qe vazhdojne krimbat komuniste dhe spiune e gjykatese te diktatures vazhdojne te militijne ne dy partite kryesore dhge ne cdo qelize te qeverisjes, ky vend nuk ka shpetim.

Me ne fund nje artikull

Me ne fund nje artikull postzgjedhor qe flet me kembe ne toke.

Zgjedhjet e dhane veriktin e tyre dhe le te sherbejne per rradhore te dosjeve ne KQZ.

Duhet kuptuar se pa nje opozite nuk ka demokraci. Nuk duhet mburrur se Shqiperia u ngjyros roze apo mavi, por duhet menduar per te ardhmen e ketij vendi qe po vuan akoma ne pelenat e tranzicionit te tejzgjatur.

PD duhet te ndahet nga e kaluara dhe te ndaje njehere e mire te gjithe shkaktaret qe shkaktuan humbjen.

Partia Demokratike, për fat

Partia Demokratike, për fat të keq, ka kohë që i ka humbur shpresat për t’u bërë me të vërtetë demokratike, përfaqësuese e së djathtës dhe e përparimit. Sali Berisha e ka përvehtësuar atë ashtu siç nuk ka ndodhur ndonjëherë. Nuk mund të gjendet asnjë shembull i “privatizimit” të një partie nga një individ në historinë moderne, si ky i PD-së.

Një rithemelim I saj është i pamundur. Në të tani, përveç kryetarit te plotfuqishëm fisit , nuk ka mbetur kërkush. Pjesa më e madhe e anëtarëve e mbajnë teserën ashtu si gjithkush nga ne mban në shtëpi gjëra të pavlera e nuk i flak. Një pjesë tjetër, është ajo e sahanlëpirësve, që I kanë parë hajrin të bërtiturit nëpër mitingje për Saliun (dhe tani derdhin lot) pa dhënë asnjë lloj tjetër kontributi në parti. Ata që bëjnë pjesë këtu, me të parë se sahani është zbrazur, do fillojnë të nuhasin për ndonjë sahan tjetër. Ka dhe nga ata anëtarë të PD (këta janë më të paktët, që kanë qenë anëtarë të asaj partie, duke qenë se ndjeheshin me të vërtetë demokratë. Këta janë më të zhgënjyerit, më të pastëritit, më të pafajshmit në pjesën ë disfatës së partisë, por edhe më të pa fuqishmit për të vepruar.Faji I tyre është se nuk kanë patur aq zë sa duhej për të kundërshtuar ose kanë qenë pasivë dhe e kanë lënë PD-në të marrë të tatëpjetën. Alternativa e tyre e vetme është të lenë këtë PD dhe të përpiqen të gjejnjë një tjetër parti, që do jetë e afërt me idealet e tyre.

PD, po shkon drejt fundit të saj të palavdishëm për shkak të uzurpatorit. S’do vonojë dhe do shohim në të vetëm pjestarë të fisit të plakut Mere, që duke patur një sy nga porta, mezi presin një shenjë të dobësimit të tij për t’ja mbathur e për të gëzuar ç’pasuri kanë vënë.

Më e mira gjë që mund të bëhet është themelimi I një partie të re demokratike (si FRD, psh), që të këtë për qëllim riorganizimin e së djathës së vëtrtetë shqiptare, e cila, sado që është perpjekur, nuk ka mundur deri tani, të shpëtojë nga përndjëkja e komunistëve.

Add new comment