Bularati, përtej ramizizmit dhe duleizmit

Postuar në 18 Nëntor, 2018 15:48
Leonard Mitro

Përveç një viktime, 35 - vjeçarit Kostandinos Kacifas dhe dramës që përjetoi familja e tij, Bularati prodhoi edhe një ngjarje politike. Rishtare për edukatën tonë nacional-politike. Them për edukatën tonë sepse edhe unë jam pjesëtar i minoritetit etnik grek në Shqipëri dhe ky manifestim nuk erdhi nga hiçi. 

Leximi që po i bën një pjesë e mirë e medias dhe politikës në Shqipëri është i cekët, i pasinqertë dhe në kurriz të lirisë, për të mos thënë zgjatim i megafonëve të pushtetit. Interpretimi është se policia e vrau Kacifën në përmbushje të detyrës, ashtu siç deklaroi kryeministri i Rama pa u tharë ende gjaku i 35 vjeçarit dhe pa pritur përfundimin e hetimeve. 
 
Shtypi dhe opinioni grek po ashtu është në turbullirën e mosnjohjes dhe rikapitalizimit të vëmendjes ndaj minoritetit ose Epirit të Veriut. Ka pikëpyetje të mëdha mbi vrasjen e Kacifas, a mund të ishte shmangur, a është Shqipëria një vend që jep garanci në këtë drejtim për veprime dhe hetime të pandikuara? A ka vullnet për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të analizuar dinamikën e një akti që përfundoi me një viktimë? Kacifas ishte një kriminel i skeduar apo qënie politike e një realiteti të ri në jug të Shqipërisë? 

Ajo që ndodhi në Bularat nuk ishte një rrufe në qiell të hapur, por gllukomë e një terreni të mbarsur në vite. E ndihmuar edhe nga një historiografi që opinioni e ka të adoptuar sipas metodikës Puniste të përpunimit ideologjik mbi grekët dhe Greqinë, ku media dhe pushteti aktual ka një përgjegjësi kriminale. 

Bashkëjetesa etnike mes minoritetit dhe popullsisë shqiptare nuk është një e dhënë historike që komunizmi na e trashëgoi si vlerë të shtuar dhe as të mirëqenë. Sepse këtë nuk mund ta bëjë kurrsesi një sistem diktatorial që mbillte lavdinë e unitetit të plotfuqishëm nga pushkët e drurit deri te bunkerët paranojakë. 

Vitet '90 ekspozuan një ballafaqim tjetër, ku të dyja palët u vunë në provë si për lidhjet njerëzore, ashtu edhe për respektimin e të drejtave shpirtërore, pronësore apo gjithçka tjetër që lidhet me barazinë para ligjit.

Mediat në Shqipëri u përqendruan te thirrjet antishqiptare që u hodhën në Bularat për të stigmatizuar sërish grekët si një rracë nacionalistësh dhe reaksionarësh që provokuan dhe fyen patriotizmin e kulluar shqiptar.

Është e vërtetë se ajo shfaqje që pamë në disa fragmente ishte e padenjë dhe kurrsesi pasojë e një reaksioni apo vokacioni të brendshëm të grekëve të Shqipërisë, por kjo nuk e zhbën thelbin e protestës. Reagimin politik bazuar në një ndërgjegjie më të konsoliduar etnike dhe kundër një elite antidemokratike, që mendon se greku s'ka pse të qahet dhe të dalë nga garancitë enveriste që i ka dhuruar ky shtet. 

Minoriteti grek ka shumë arsye për të qenë i pakënaqur, i fyer, i provokuar apo i indinjuar me qeverinë e zotit Rama, por asnjëherë nuk ka humbur rrugën e arsyes për t'u shfaqur si një turmë e çorientuar, pa kokë dhe mbi të gjitha e infektuar shpirtërisht dhe mendërisht me instikte të një trilleri patriotik, ku dominojnë surrealisht, sopatat, apo purgatorë antropomorfësh. Ama nuk është më as populli që i këndonte Partisë dhe as ai që mund t'i këndojë dhe të duartrokasë Edi Ramën. Ky i fundit nuk ka pse çuditet kur "derrat" dhe "korbat" e turmës i drejtohen me gjuhën që ai flet dhe kupton. Farën e kësaj lloj përballje po e mbjell vetë ky personazh qesharak. Metafora e patriotizmit të tij eshte ajo e nje "derri te kënaqur" perballe "derrave të pakënaqur". Të dyja kategoritë nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht shqiptarët dhe grekët.

Do kishim pritur nga kryeministri i shtetit apo dhe kombit tonë të sillej si kryeministër i të gjithëve, sepse duam apo nuk duam edhe ne grekët e minoritetit jemi pjesë edhe e kombit shqiptar në kuptimin modern të nacionalitetit. Rama dhe jo vetëm  nuk na sheh si të tillë, por na konsideroi si zorrë e padisiplinuar e grekëve të çmendur që ngrihen një ditë të bukur me diell për të sfiduar shtetin e tij demokratik.

Do ishim ndjerë më afër njëri-tjetrit sikur kryeministri i shtet-kombit tonë të ishte i baraslarguar nga etiketimet dhe të ndante bashkë me banorët e minoritetit rëndesën e një ngjarjeje të tillë. Të kuptonim të gjithë bashkë pse mbërritëm këtu dhe a kemi nevojë të reflektojmë. Të kishim të gjithë garanci se hetimet do të zbardhin të vërtetën, edhe nëse në vrasjen e Kacifas ka përgjegjësi të policisë dhe frymëzimit të saj nga frustrimet nacionaliste.

Është po aq e vërtetë se arkmorti, në vend të një kortezhi të heshtur për djalin plangprishës të bularatasve apo minoritarëve, u shfrytëzua edhe për axhenda të caktuara politike. Disa të ardhura me autobusë nga Athina, ku në vallen e mortit nuk munguan edhe skilet e regjura të etnofolkut politik si Vangjel Dule me shokë. 

Hijena të tilla politike u mblodhën rreth mortit dhe Kacifa ndoshta pa e ditur u dha shansin, të dalin sërish në televizor për të kapur disa vota në emër të Flamurit. Atij flamuri që ky zotëri ka tundur prej vitesh, nga Saranda në Lezhë e ndoshta edhe më lart, për të mbajtur të hapur qepënin personal të atdhetarizmit. 

Vangjel Dule ka kohë që nuk përfaqëson më minoritetin, madje nuk e ka përfaqësuar asnjëherë, ai thjesht ka qenë dhe është në biznesin e tij personal, duke mbajtur në xhep vulën e një partie që tradhëtoi interesat e minoritetit. 

Ka qenë ky personazh që është hedhur nga njëri prehër në tjetrin, sa te zoti Rama aq edhe të Lulzim Basha. I talentuar më së shumti për të importuar votat sa andej këndej, me bastion çuditërisht zonën e bregut dhe jo minoritetin etnik. Në këtë vakum të madh të përfaqësimit politik që ka minoriteti padyshim që ka përgjegjësi direkte edhe Athina, me përkëdheljet në vite ndaj kanakarit të saj Vangjel. 

Ikja nga e vërteta që është kthyer në sport kombëtar për këtë vend nuk i shërben të ardhmes së përbashkët, vetëm sa shtyn në kohë përsëritjen e një tjetër Bularati. 

Comments

Submitted by Andreas (not verified) on

Minoritari i pare qe degjoj te distancoje bregun nga minoriteti!! Po e paske personale me duket se gjithe artikullin e paske shkruar ne funksion te 4 paragrafeve te findit.

Submitted by lmitro on

Nuk me lidh asnje interes me zoterine ne fjale qe te kem diçka personale. Nuk distancohem nga cilido që eshte apo ndihet grek, ajo që thashe eshte se zoti Dule ka patur me shume mbështetje elektorale ne zonën e Bregut sesa ne zonën e Vurgut dhe Dropullit. Gjithsesi nuk ishte ky thelbi i artikullit. 

Submitted by Andreas (not verified) on

Artikulli ka nje thelb te lexueshem qarte deri tek 5 paragrafet e fundit. Aty çuditerisht mer nje kthese te forte per tu futur ne ate rrugen ku perfundojne te gjitha shkrimet e shtypit shqiptar qe trajtojne tematiken greko-shqiptare.

Submitted by lmitro on

Ky eshte interpretimi juaj. Zoteria ne fjale nuk eshte i veçuar nga ngjarja dhe as e fshehu protagonizmin si perfaqesues i nje partie politike. Se çfare ekspertize i keni bere ju tematikes shqiptaro-greke, jeni i lire ta publikoni.

Submitted by Andreas (not verified) on

Po, patjeter qe eshte interpretimi im. Nuk po komentoj qendrime te ndonje grupi te caktuar dhe as pretendoj te perfaqesoj ndonje te tille. Sa per zoterine ne fjale, ai eshte realisht perfaqesues i nje partie politike, i asaj te Minoritetit etnik grek dhe si i tille, nuk pashe ndonje protagonizem te pajustifikuar per rolin e nje perfaqesusesi te tille ne nje ngjarje te tille.
Po te thuash qe "nuk eshte i veçuar nga ngjarja"?!! Kemi te bejme me nje vrasje dhe me duket pak teper i guximshem ky afirmim nga ana juaj. Ndoshta me i guximshem edhe se teorirat e atij gazetarit shqiptar qe bente autipsira ne distance dhe fliste per skenare vetevrasjeje me dy plumba. Dhe akoma me i guximshem se ajo qe lexohet son ne shtypin grek per urdherin e vrasjes te ardhur direkt nga Sander Lleshi. Edhe pse kjo e fundit, mua nuk e di pse, po nuk me skandalizon edhe aq!?

Submitted by Taras (not verified) on

Beje mire tiu rikujtoje shqiptareve dhe vetem tende se si policia "rraciste" greke nuk ekzekutoi terroristin shqiptar ne 1999 nga Burrell kur ai mori peng civilet e thjesht ne autobus nga Greqia dhe, u lejua nga autoritetet greke te kaloj ne Shqiperi. Biles iu dha edhe shuma e parave qe so kerkonte...
Greket "rraciste" nuk e vrane si keta trimat tane. Por ja qe kur burrelsi hyri ne Shqiperi trimat syshqiponja skipetare e vrane, biles ia vodhen edhe parate qe policia greke ia pat dhene.

Kjo ngjarje nuk u permend ne mediat tona si kontrast me rastin e rd ndjerit K Kacifas qe shpirti i rente ne Paqe.

Submitted by Andreas (not verified) on

Mos shko aq larg ne kohe. Mjafton te ikim dy muaj pas ne kohe kur ai vertete i çmenduri nga Vlora, VRAU tete vete, perfshi dhe femije te vegjel. I vrau me buke ne goje! Policia e ndoqi per ore te tera, e lokalizoi, i shkruante ne facebook, i vuri familjaret ti flisnin ne telefon per ta bindur te dorezohej. Dhe si perfundim e kapi te gjalle. Pra VRAU TETE PERSONA, nuk qelloi ne ajer dhe policia e pati durimin te bente ate qe duhej bere! Kaçifas nuk vrau njeri! Po polizia e vrau brenda dy oresh!!! Kaq besoj mjafton! Per mua natyrisht.

Submitted by Taras (not verified) on

Plotesisht te drejte per sa permend me siper.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.