Tri ditë para zgjedhjeve: Hollande vijon të kryesojë në garën me Sarkozy-në

Tri ditë para zgjedhjeve, sondazhet thonë se Hollande është dy pikë përpara Sarkozy-së (29,5% me 27,5%). Madje, ka sondazhe të tjera që e nxjerrin kandidatin socialist katër pikë përpara (29% me 25%). Rënia e Sarkozy-së shpjegohet me një rritje të kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, së cilës i japin 14-17%, dhe e cila parashikohet të dalë e treta në votimet e raundit të parë, pas dy të mëdhenjve. Ndërsa i katërti llogaritet kandidati tjetër i majtë, Jean-Luc Mélenchon (anketimet i japin 13-15% të votave).
Gjatë gjithë javëve të fundit, Sarkozy ka qenë i dyti në sondazhe, por ekspertët thonë se “nuk duhet fluturuar”. Pse? Janë dhjetë kandidatë në garë. Përveç kësaj, pritet që 30% e elektoratit të abstenojë, e nga ana tjetër është një masë e madhe zgjedhësish që janë të lëkundur, e do të jenë të tillë deri në momentin që do të futen në dhomën e fshehtë të votimit. Një pjesë syresh lëkunden mes kandidatëve që janë të të njëjtit rreshtim; fjala vjen, nuk dinë kë të zgjedhin, Hollande-in apo Mélenchon-in (të majtët), Sarkozy-në apo Le Pen-in (të djathtët), etj. E pastaj, gabimet në sondazhe nuk janë një gjë e rrallë. Në zgjedhjet e vitit 2002 askush nuk e parashikoi dot se Le Pen senior do të dilte para Lionel Jospin-it.
Por kur vjen tek gara në balotazh, ku do të jenë vetëm dy kandidatët e mëdhenj, sondazhet flasin me të njëjtën gjuhë e japin një diferencë të qartë: Fiton Hollande me një diferencë 8-14% të votave.
Re.Pu.
Comments
Do zoti që të fitojë Hllande
<p>Do zoti që të fitojë Hllande boll me Sarkozinë se na kënaqi gjitha shtu dhe zonja Mërkel</p>
Add new comment