Linja me Kosovën, KFW: Pranoni fituesin ose anuloni tenderin

Postuar në 18 Prill, 2012 10:47

Pavarësisht heshtjes së shumicës së medieve kosovare, debati mbi linjën 400 kilovolt me Kosovën po vijon me zhvillime të reja në Shqipëri. Top Channel publikon sot procesverbalin e mbledhjes së zhvilluar më datë 13 mars në Gjermani, pikërisht për ngurrimin e qeverisë për të shpallur fituese kompaninë kroate “Dalekovod”, ku të pranishëm ishin Drejtori i OST-së, Arben Ibro, homologu kosovar Fadil Ismajli dhe përfaqësues të bankës gjermane, KFW.

Në këtë mbledhje, Ibro ka paraqitur argumentet e refuzimit të shpalljes fitues të kroatëve duke i mëshuar kostos financiare. Në lidhje me këtë, përfaqësuesit e KFW-së kanë shpjeguar se kjo nuk bie ndesh me ligjet shqiptare për prokurimet publike pasi sipas tyre, ofertat vlerësohen sipas kushteve të caktuara para zhvillimit të tenderit.

Mësohet se Ibro është kapur edhe tek fakti se OST nuk ishte lajmëruar për shpalljen fituese të kompanisë kroate, por ky pretendim i tij është hedhur poshtë nga kompania konsulente “Intec” duke paraqitur e-mailet e shkëmbyera në lidhje me këtë çështje.

Çështja tjetër për të cilën ka ngritur pretendime kreu i OST-së lidhet me mosaprovimin e raportit final të vlerësimit të tenderit që shpallte fitues kompaninë kroate. Por, KFW mësohet ka thënë se autoritetet shqiptare kanë dhënë aprovimin për tre fazat e vlerësimit të tenderit, paskualifikimin, vlerësimin teknik dhe atë financiar. “Vlerësimi final - vijon KFW - vetëm sa bashkon në një vlerësimet e ndara të tre fazave”, - raporton TCH.

Argumenti i fundit kundërshtues nga OST lidhet me koston e lartë që paraqiste oferta kroate, por sipas KFW-së, çmimi është në nivele të pranueshme për projekte ndërkufitare të tensionit të lartë. Krahas kësaj, sipas bankës, OST kishte renë dakord që më parë për formulën e vlerësimit duke i dhënë më shumë rendësi kriterit teknik se sa atij financiar “dhe rrjedhimisht mund të shpallë fituese një kompani që ndonëse ofron çmim më të larta, ka më shumë garanci teknike”.

Por ajo që i vë vulën të gjithë kësaj tollovije lidhet me kushtet që ndodhet në këto momente qeveria shqiptare. Sipas bankës, me situatën e krijuar, ekzekutivi ka dy rrugëzgjidhje: Ose të pranojë kompaninë fituese, pra atë kroate, ose të anulojë tenderin për të zhvilluar një të dytë, i cili përllogaritet të ketë një kosto rreth 15 milionë euro, vlerë e cila përllogaritet sa dyfishi i diferencës midis çmimeve të ofruara nga kompanitë e përfshira në tender. Kjo kosto është pa përllogaritur kostot shtesë që mund të dalin nga anulimi, nëse kompani kroate hedh qeverinë në gjyq.

Re.Pu

Comments

Submitted by luani (not verified) on

Bodyguard-i i Sales kushedi sa ka marre te ndryshoje fitusin. Dhe eshte shume interesante, per parlamentin Sala zgjodhi me te shtrenjtin, per kete na thote se duhet zgjedhur me i liri...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.