Vendi ku korrupsioni nuk është lajm

Të fillojmë sikur të ishte një manifest. Një gogol po kalëron nëpër Kosovë, gogoli i korrupsionit! Askush nuk e lexon! Korrupsioni te ne nuk është lajm! Është përditshmëri!
Thuaj dikujt i korruptuar dhe mos e ço më andej. Aq mjafton. Menjëherë e sheh që po i ngjet shkallët në karrierë. Ta akuzosh edhe më rëndë, e bën ministër! E fiton besimin e shtetit!
E, kur vjen puna ta luftosh korrupsionin, ndryshon puna. Shteti ka dilema. Duket krejt i brishtë. Pushtetet janë të ndara – arsyetohen! Edhe kompetencat. Kurrqysh të bëhen të një fjale.
Në luftën kundër korrupsionit edhe ish-luftëtarët janë bërë pacifistë. Nuk çohet dorë në vëlla.
Ndërkohë që krimi e ka kupolën e vet. Aty nuk ka pushtete të ndara. Nganjëherë në tollovinë e përgjithshme është vështirë të dallosh ku fillon shteti i paorganizuar e ku përfundon korrupsioni. Nejse!
Në Gjermani është ndryshe! Edhe presidenti është i ndërrueshëm. Në tri vitet e fundit janë ndërruar dy presidentë. Edhe simboli i bashkimit gjerman, ish-kancelari Kohl, ka dhënë dorëheqje dekada më parë. Për korrupsion. Kjo i ndodhi legjendës, njeriut që e bashkoi kombin e ndarë gjerman.
Por, në Kosovë, njerëzit kanë merita. Në krye të luftës antikorrupsion janë vetë politikanët kryesorë. Sepse shteti janë ata. E ata janë shumë të pasur. Edhe të pushtetshëm. Mund të bëjnë çka të duan. Ata e udhëheqin shtetin më të varfër në Evropë. Le Gjermaninë, ti...! Larg është Gjermania!
Te ne, qeveritarët e luftojnë korrupsionin! Mos qeshni, se seriozisht po flas!
Një politikan i mençur me famë botërore pati thënë: “Nëse do të mos e zgjidhësh një problem, formo komision”. E ne kemi shumë komisione. Secili brenda kompetencave të veta. Sikur janë marrë vesh të mos e ngucin krimin. Tash, edhe shteti po e bën “kupolën”.
Edhe presidentja e vendit, para pak javësh, e formoi këshillin antikorrupsion. Kryeministri tha: “Për ta ndihmuar qeverinë”. Se qeveria nuk po mundet vetë! Qeveria më e mirë e të gjitha kohërave.
- Nuk duan me e zanë, de! A s’po ta rrokë a? – po thoshte qytetari “X”. – Definitivisht s’po ma rrokë!
Thjesht, nuk po duan ta zënë “lepurin”, njeri! E, lepuri po majmet e po i rriten veshët. E qeverisë po i rritet hunda.
Sot, në botën e qytetëruar flitet shumë dhe haptazi për legalizimin e drogës, të prostitucionit dhe shumë dimensioneve të krimit. E kanë ngulfatur shtetin. Se krimi fiton më shumë dhe po e korrupton antikrimin. Kështu, prej krimit të lehtë shndërrohet në krim të rëndë!
Prandaj, mendova se edhe ne duhet të legalizojmë korrupsionin. Se korrupsioni e ka ngulfatur këtë vend. Po korruptohen krejt kështu, duke e luftuar pasuksesshëm korrupsionin.
Ose të nxjerrin ligjin për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme! Prej vitit 2000!
Pa këtë ligj, lufta është krejt e kotë. Një maratonë nëpër institucione! Sikur kriminelët që i kap policia dhe që lirohen menjëherë nga gjykata! Në procedurë të rregullt! Hetimet vazhdojnë, e vazhojnë...!
Por, këta “na e kanë hupë me kos”! Përditë shohim politikanë apo familjarë të tyre që jetojnë nga një rrogë e rrotullojnë miliona! A ju duket edhe ju që diçka nuk shkon në këtë mes?
E, sipas ligjit në fuqi, as nuk guxon t’i thuash se i ka sytë e zinj. Lëre më t’i thuash: Qysh i bëre?! I ka bërë me rrogë! Milionat me rrogë?! A ke fakte se nuk i ka bërë me rrogë?! Dëshmoje!
Me ligje antikorrupsion, milioneri do të duhej të dëshmonte se si i bëri milionat me rrogë! Do të duhej të tregonte origjinën e pasurisë!
Në fakt, të deklarohet origjina e pasurisë është një problem i thjeshtë. Nuk është problem akademik sikur origjina e njeriut apo a ka jetë në planetet tjera.
Në krejt botën ka hajni edhe korrupsion! Por ka edhe luftë të suksesshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për t’u çuditur është se te ne nuk ka vullnet të rregullohet as baza ligjore. Apo nuk është për t’u çuditur?
Nuk ka ligj që i obligon zyrtarët e shtetit, dhe jo vetëm ata, të dëshmojnë origjinën e pasurisë së tyre. Ata janë të paprekshëm.
Dëshmojeni, thoshte shpesh në TV një politikan i rrethuar me shumë avokatë, të cilët marrin para të majme për t’i zbuluar krejt zbrazëtirat në ligje. Shteti nuk ka fuqi të dëshmojë asgjë, përpos pafuqisë së vet!
Dhjetëra afera fillojnë me zhurmë dhe mbyllen pa rezultate. Po i dhe zor, veç bëhesh horë. Deri në katragjysh të ndjekin për të të gjetur një “vegëz”!
Ne vetë s’po mundemi! Por,si duket, edhe të huajt janë lodhur me ne. Thonë: “Për vete e kanë”!
Edhe disa nga të huajt, qysh po duket, “e kanë për vete”. Po ruhen të mos krijojnë valë të mëdha, se mos po i “shplojnë” edhe rrënjët e veta.
Duket se ka një konsensus që kjo të tolerohet dhe dalëngadalë pasuria e paligjshme të legalizohet përmes formave të ndryshme të manipulimit me ligjin dhe me qytetarët. Kush e di cila do të ishte rruga më e mirë. Për këtë ka dilema edhe në nivel akademik, edhe në atë politik. Shoqëria e barazisë ekonomike ka dalë të jetë mit. Ka mbijetuar vetëm shteti social!
Pasuria askund nuk është krijuar me burrni! Por, me kohën i mbulohen rrënjët çdo lisi i cili mbijeton! Kështu po rezononte një qytetar gati vetëmevete! Askush s’e dëgjonte! Po festonin për një tender!
Zhvillimi i deritashëm, sidomos i shoqërive perëndimore, ka dëshmuar se mund të arrihet një shoqëri me drejtësi të theksuar sociale. Përmes lirisë e humanizmit. Dhe ligjit i cili i garanton këto!
Por, te ne është ndryshe. Nuk po “dhezë”! Kupolat janë bashkuar. Ndoshta duhet çelur rrugë të re.
Ndoshta duhet të legalizohet korrupsioni! Ndoshta kjo është më lehtë sesa të nxirret një ligj për konfiskimin e pasurisë së krijuar në rrugë të paligjshme. Legalizojeni, pra! Ose ndaleni! Rrugë të mesme nuk ka. Por, duket se shteti është bërë për frymëmarrje artificiale! Kurrkush nuk po do t’i...!
E qytetarët? Këtu janë edhe qytetarët! Por, nuk ka qytetari! Ka vetëm qytete dhe qytetarë! Pa qytetari! Qytete që nuk funksionojnë! Sikur shteti!
Merreni me mend! Veç për një gjysmë milioni euro kredi, me kamatë më të ulët! Për kaq iku presidenti gjerman. Një “flamë” e zakonshme ballkanike! Tanët nuk “fëlliqen” për aq pak! Kanë marre!
Por, Kosova është ndryshe! Ai që ka “merita” ngutet t’i konvertojë në euro! Përmes pushtetit!
Një karikaturë po qarkullon nëpër facebook: një grabitës i maskuar i drejton revolen një zotërie dhe i kërkon kuletën. “Ke kujdes!” – i thotë zotëria, “unë jam një politikan shumë i fuqishëm dhe me ndikim”!
“E, atëherë, m’i kthe paratë e mia!”, i thotë grabitësi, duke hequr maskën.
Kush është grabitësi i vërtetë në këtë tregim? Në fakt, kjo pyetje duket krejt e logjikshme, sidomos kur e krahason me skenën reale të krimit. E lëmë anash krejt se kjo është edhe një pyetje etike!
A po ju duket një nyjë e madhe, e ngatërruar dhe e pazgjidhshme? Nuk po ju duket?! Ashtu është!
Quhet “Nyjë Gordiane”!
Nuk zgjidhet!
Duhet prerë!
Marrë nga Zëri
Add new comment