Nuk jemi në vitin 1914

Postuar në 27 Nëntor, 2013 08:53
Timothy Garton Ash

Duke shënuar 100-vjetorin e vitit 1914, kjo në mënyrë favorizuese do të jetë në kontrast me udhëheqjen e butë dhe konfuze, nën të cilën Europa u zhyt në Luftën e Parë Botërore. Para zgjedhjeve të ardhshme në muajin maj, për Parlamentin Europian, aksioni i vendosur i dyshes franko-gjermane dhe oratoria frymëzuese, do t’i tërheqë prapa partitë anti Bashkimit Europian, që po fitojnë terren në shumë vende europiane. Tani për realitetin. Ne madje nuk do ta kemi qeverinë e re gjermane të formuar deri para Krishtlindjes. Në negociatat për koalicionin gjerman, që mendohet se do të përfundojnë javën e ardhshme, çështjet europiane po trajtohen sipas asaj “prit për të”. Për këtë çështje është formuar një nëngrup pune për financat, që quhet “Rregullimi i Bankave, Europa, Euro”. Për tri partitë gjermane pjesëmarrëse, Unionin Demokristian të Angela Merkelit, Unionin Socialkristian të Bavarisë dhe socialdemokratët opozitarë, çështje e nxehtë janë ato vendase. Rroga minimale, politika e energjisë, shtetësia e dyfishtë, pagesa e propozuar për autostradat, të gjitha këto kalkulohet se janë diçka më tepër se ardhmëria e kontinentit. Politikanët gjermanë e dinë se çka realisht është interesante për t’i shitur politikat e partive të tyre te votuesit për zgjedhjet e ardhshme. Derisa gjermanët e zakonshëm futen në rrjedhat e blerjeve për Krishtlindje, shumica nuk ndjejnë vështirësi për krizën e euros. Papunësia e të rinjve është afro 8% në Gjermani, ndërsa në Spanjë është 56%. Është vështirë të paramendohet se sa larg dhe sa urgjente është ndjesia e njeriut në metronë e Berlinit për krizën në Europë. Por, për dallim nga kolegu i tij në Madrid, ai në Berlin, me rastin e daljes nga metroja, nuk i gjen mbeturinat e kalbura në rrugë. Pasi të formohet koalicioni i qeverisë gjermane, politika e saj europiane, do të jetë produkt i kompromiseve ndërmjet tri departamenteve të shtetit, kancelarja federale dominante, ministria e financave dhe ministria e jashtme, që ndërmjet tyre do të jenë të ndara politikisht, ndërmjet demokristianëve dhe socialdemokratëve. Fuqia hezituese udhëheqëse europiane do të duhet të bëjë kompromise të mëtejshme me Francën, e cila ka pikëpamje të ndryshme për disa çështje kryesore. Franca ka, po ashtu, presidentin e butë, François Hollande, i cili po dështon ta reformojë vendin e tij; të mos flasim për ndihmë dhënë ndokujt tjetër. Çifti gjermano-francez, gjithnjë e më i moshuar dhe gjithnjë e më i pabarabartë, që në janar e ka shënuar përvjetorin e artë të martesës me një pesimizëm, duhet t’i marrë parasysh shqetësimet e partnerëve të vlefshëm siç është Polonia, dhe po ashtu, propozimet që vijnë nga institucionet europiane. Nga kjo orkestër jofunksionale do të dalë thirrja e mprehtë që do t’i godasë skeptikët e të gjitha vendeve në thembër dhe do t’i mobilizojë europianët për të votuar për Europën. Kjo është qesharake.  Si rezultat, pjesërisht, kjo do të jetë fushata më interesante europiane zgjedhore që prej zgjedhjeve direkte për Parlamentin Europian në vitin 1979, për të gjithë në Europë. Termi “populist” është i përbashkët për të gjithë ata që e kundërshtojnë idenë e Bashkimit Europian, por nuk e përmban në vetvete diversitetin e tyre. Me gjithë mosrespektin për partinë Pavarësia të Britanisë dhe Aleancën për Gjermaninë, që është anti-europiane, është krejtësisht e gabueshme për t’i futur në një thes të njëjtë, me Agimin e Artë neofashist në Greqi, partinë Jobbvik në Hungari, ose Frontin Kombëtar të Francës. Dy prej liderëve të tyre më të aftë, Marine Le Pen nga Fronti Kombëtar Francez dhe Geert Wilders nga partia e Lirisë në Holandë, kanë filluar të përpiqen për t’i bashkuar partitë përkatëse. Gjatë një dreke në një restorant elegant në Paris, zoti Wilders tha se “sot është fillimi i çlirimit nga elita europiane, nga përbindëshi në Bruksel”. Le Pen tha se “partitë patriotike” dëshirojnë “ta kthejnë lirinë te populli ynë”, e jo që të jenë “të detyruar që buxhetet e tyre t’u nënshtrohen” liderëve në Bruksel. Në Vjenë, katër parti të tjera, Paria e Lirë e Austrisë, Demokratët e Suedisë, Liga Veriore e Italisë dhe Belangu flaman, iu bashkuan valsit me lideren e Frontit Kombëtar Francez, Le Pen. Pra, suksesi i këtyre partive, së paku mund t’i mobilizojë gjeneratat e reja të europianëve për t’i mbrojtur arritjet, që ata i konsiderojnë të garantuara. Nuk jemi në vitin 1914, por 100 vjet më vonë, Europa përsëri do të jetojë në kohëra interesante.

 

Nga Gazeta "Mapo" 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.