Nga vijmë, kush jemi dhe nga po shkojmë?!

Postuar në 28 Shkurt, 2012 04:55
Beqë Cufaj

Me datën 30 janar të vitit 2012, në hyrjen e një qendre tregtare në Prizren të Kosovës, një qytetar shqiptar i kishte hedhur vetes benzinë dhe kishte provuar të vetëdigjej. Për fatin e tij të mirë atë buzëmbrëmje mes shumë njerëzve që kishin qëlluar aty afër ishte edhe një polic i Kosovës, i cili nuk kishte qenë në detyrë, mori guximin të ndërhyjë dhe me këtë t'ia shpëtojë jetën atij njeriu të revoltuar.
Një rastësi interesante është kjo ngjarje sepse pikërisht në janar- dhe atë më 14 të vitit 1968, një student çek me emrin Jan Palach në shenjë proteste ndaj politikës së diktatit sovjetik i pat vënë vetes zjarrin në Pragë, duke shkaktuar kështu protesta masive në Çekosllovakinë e dikurshme dhe në tërë bllokun ish-komunist. "Pranvera e Pragës" edhe sot e kësaj dite është pjesë e historisë së re të njerëzimit. Po në këtë kontekst, hiç më larg se një vit më parë, dhe atë me 4 janar të vitit 2011 shitësi tunizian i perimeve me emrin Mohamed Bouazizi, vdiq në një spital të qytetit Sidi Bouzid, pasi i kishte vënë vetes zjarrin në shenjë proteste ndaj regjimit autokratik në vendin e tij, duke shkaktuar kështu atë që vitin e kaluar e pamë dhe përjetuam si "Pranvera Arabe".
Natyrisht se do të ishte naive poqese themi se asociacioni i ndërlidhjes së vetëdjegieve në janarët e ndarë me dekada të tëra mes Jan Palachut e Mohamed Bouazizit që për pasojë kishin protesta të mëdha popullore, të cilat dridhën deri në themele perandori politike e regjime tiranike do të mundë t'i vishej edhe sprovës së dështuar të qytetarit të Prizrenit të Kosovës. Dilema hipotetike nëse në ato çaste dramatike nuk do të reagonte askush dhe ai do ta digjte veten publikisht, mëpas do të shkaktonte protesta masive në Prizren, Prishtinë dhe qytete e fshatra tjera të Kosovës, duke shkaktuar kështu edhe edhe një "pranverë shqiptare" e cila mëpas do të merrte përmasa ballkanike... është ndoshta e pavend. Sepse ajo do të shënohej dhe emetohej edhe si një lajm i kronikës së gazetave.
Asgjë më tepër.
Shteti më i ri në Europë, Republika e Kosovës, vetëm para një jave, më 17 shkurt, shënoi katërvjetorin e pavarësisë. Brenda kësaj periudhe kohore por edhe asaj që për vite e dekada, për të mos thënë edhe shekuj të tërë, me shqiptarët në përgjithësi dhe ata të Kosovës në veçanti, ngjau, është një histori e gjatë e cila sado patetike që sot mund të tingëllojë do të mund të përshkruhej me fjalët: robëri në çdo kuptim të fjalës, përpjekje për mosnënshtrim, luftë për liri dhe aspirata për t'i takuar familjes normale të popujve e shteteve europiane. Deri këtu asgjë pra që edhe shqiptarët dhe Kosovën do t'i dallonte nga popujt fqinj dhe ata të tjerët rreth tyre.
Sidoqoftë janë vonesat dramatike të cilat ishin pasojë e vizatimit të hartave në Europën Juglindore në fillimshekullin e kaluar në kohërat e shkatërrimit të dy Perandorive: asaj Otomane në njërën anë dhe asaj Austro-Hungareze në anën tjetër që për shqiptarët dhe sidomos Kosovën jo vetëm që dolën të jenë të pavolitshme, por faktikisht ishin fusha të minuara të konflikteve të përgjakshme sidomos mes shqiptarëve dhe serbëve.
Këtu duhet përmendur një fakt esencial të cilin sidomos historiografia dhe përgjithësisht kultura e politika shqiptare jo rrallë e fshehin apo nuk e duan: shqiptarët përgjatë robërisë së tyre shekullore- sidomos në pesëqind vitet e pranisë otomane në Ballkan e deri dikund edhe gjatë kolonizimit serb në 80 vitet e fundit të shekullit të kaluar nuk kanë ngurruar- herë në mënyrë të vetëdijshme e herë jo, t'u përshtaten këtyre regjimeve. Të pranojnë të bashkëjetojnë me robërinë- mbase si të vetmin shteg për mbijetesë. Duke pranuar fenë myslimane, porcione të mëdha të mitologjisë, traditave, gjuhës e kulturës, për pesë shekuj me radhë, aziatike e gati për një shekulll edhe sllave.
Sidoqoftë, duhet të kenë qenë disa elemente që si një prej popujve më të ndryshëm (dhe të vjetër) për nga gjuha dhe kultura, kompaktësia etnike, organizimi familjar patriarkal, relievi gjeografik sidomos verior vështirësisht i depërtueshëm dhe i thyeshëm, të cilat bënë që të ruhet gjithnjë një bërthamë e madhe e potencialit kryengritës i cili në kohën e Perandorisë Osmane qe shprehur me fushatën kryengritëse të heroit nacional të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kurse në shekullin e kaluar gjatë konfliktit shqiptaro-serb ishte formimi dhe shpallja e Pavarësisë së shtetit shqiptar- i cili pikërisht më 28 nëntor të këtij viti edhe shënon 100-vjetorin e themelimit të tij në Vlorë të Shqipërisë. Me këtë pavarësim të Shqipërisë në prag të Luftës së Parë Botërore nisi edhe një shtegtim tmerrësisht i gjatë i luftërave dhe një konflikti shqiptaro-serb për gati një shekull me radhë. Konflikt ky i cili edhe sot e kësaj dite ende nuk është futur në sirtarët e historisë sa tragjike aq edhe rënkuese në këtë pjesë të Europës.
Fill pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria dhe ajo pjesë e shqiptarëve në këtë shtet nisën rrugëtimin e tyre të vetmuar me plot të papritura dhe rënie-ngritje historike kurse pjesa e shqiptarëve të Kosovës duhej që më shumë se të pajtohej të provonte që përmes kryengritjeve të vogla kryesisht fshatare t'i rezistonte shtypjes sllave në kuadrin e Monarkisë serbo-kroato-sllovene. Si pjesa më e pazhvilluar e ngrehinës së sllavëve të jugut, Kosova jo vetëm që mezi ecte por ishte edhe një rajon në të cilin sidomos fqinjët e fuqishëm serbë dinin të ushtronin dhunë dhe represalje për të cilat Europa jo vetëm që nuk kishte kohë të merrej por as që i shënonte. Nëse nga xhandarët serbë në vitet 20 e 30 të shekullit të kaluar vriteshin apo digjeshin fshatra të tëra shqiptarësh në Kosovë kjo nuk shihej gjë tjetër pos një ushtrim legal i forcës së ligjit. Prandaj kemi faktin e trishtë që pushtimi nazist në Ballkan sidomos për shqiptarët e Kosovës ishte më tepër se i mirëseardhur. Tek këta, trupat gjermane jo vetëm që gjetën mirëseardhje por edhe aleatë të fortë në Ballkan pasi që si dhuratë morën edhe atë që edhe sot e kësaj dite njihet dhe quhet Shqipëri e madhe.
Hakmarrja e solli hakmarrjen tjetër. Shporrja e nazistëve nga Ballkani dhe fitorja e komunistëve bëri shëndërrimin e monarkisë jugosllave në një shtet socialist më në krye me Josip Broz Titon duke e kthyer kështu Kosovën në një Krahinë Socialiste Autonome në kuadër të Republikës së Serbisë por edhe si njësi në kuadër të Federatës së Jugosllavisë.
Si rajoni më i varfër i shtetit prej 20 milionë banorëve sidomos në 20 vitet e para të regjimit të Titos, Kosova e pati të vështirë të adaptohej në çdo drejtim. Mjafton të përmendet këtu fakti që shumica e shqiptarëve në Kosovë në vitin 1945 nuk dinin shkrim as lexim për të kuptuar nëpër çfarë vështirësish dhe dramash sociale kalonin gjatë kësaj periudhe kohore dhe pas tretjes së ëndrrës për një Shqipëri të përbashkët, vend ky që po ashtu ishte hedhur në gjirin e komunizmit. Në këtë kontekst edhe duhet parë kryengritjet e vogla të lëvizjeve rajonale shqiptare në Kosovë edhe në vitet 50, të cilat policia dhe armata e fuqishme jugosllave nuk e pati të vështirë t'i shuante.
Sidoqoftë, përkundër mosbindjeve dhe sprovave për mosnënshtrim shqiptarët dhe Kosova filluan që dalngadalë të pajtohen me faktin që jeta dhe perspektiva e tyre nuk kishte shteg tjetër pos atij të përqafimit, të pjesshëm, të regjimit të Titos. Pa e humbur kurrë shikimin nga e kaluara e tyre dhe ndarja, Shqipëria dhe mundësitë e shkëputjes nga Jugosllavia ku me gjuhën, kulturën, traditën dhe religjionin e tyre nuk e shihnin veten si pjesë normale të këtij organizimi shtetëror.
Beogradi në krye me Titon për dallim nga monarkët e paraluftës me shqiptarët filloi të sillet më ndryshe. Sprova për integrimin dhe shkollimin e shqiptarëve nuk dështoi. Fëmijët dhe të rinjtë mësonin në gjuhën e tyre amtare. Kurse të rinjtë nga Kosova udhëtonin në Beograd, Sarajevë, Zagreb, Lubjanë e Shkup ku kryenin studimet dhe ktheheshin në Prishtinë për të vazhduar ushtrimin e profesionit të politikanit, mjekut, gazetarit, shkrimtarit apo regjisorit. Gazeta e parë në gjuhën shqipe, edhe pse ideologjike dhe organ i Partisë Komuniste të Jugosllavisë filloi të botohet si javore qysh në vitin 1945. Revista e parë letrare në gjuhën shqipe në Kosovë, "Jeta e Re", u themelua qysh në vitin 1949.
Dhe derisa në të dy Europat kishin filluar lëvizjet e mëdha studentore, në atë perëndimore për më shumë liri dhe ballafaqim me të kaluarën kurse në lindoren "Pranvera e Pragës" më 18 nëntor të vitit 1969 u themelua edhe univeristeti i parë në gjuhën shqipe në Prishtinë. Por përkundër këtyre masave në edukimin e popullatës shqiptare, Kosova kishte kaluar një periudhë tepër të rëndë politike përmes represalieve, shpërnguljeve masive të popullsisë në Turqi, internimit dhe burgosjes së intelektualëve të rinj shqiptarë- të gjitha këto të drejtuara nga shefi i policisë sekrete jugosllave të njohur si OZNA dhe më vonë si UDB-a, të udhëhequra nga njëri prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Titos- serbi Aleksandar Rankoviq.
Kjo periudhë prej mëse 20 vitesh faktikisht në pah kishte njxerrë dy të vërteta që kishin një përfundim të përbashkët: serbët, edhe përkundër veshjes me ideologjinë e komunizmit dhe me këtë edhe barazisë e dinin që shqiptarëve nuk duhej besuar, kurse shqiptarët, ndjeheshin të vërtetuarit se serbët ishin po ata të njejtit- pushtuesit dhe kolonizatorët. Edhe sot e kësaj dite nuk ekzistojnë të dhëna të sakta nëse ishte Kosova dhe shtypja e popullatës së atjeshme civile shkaku për ndarjen e Titos dhe Rankoviqit por fakt është që nga fundi i viteve 60 dhe sidomos në vitet 70 të shekullit të kaluar Kosovës iu rrit shkalla e autonomisë në kuadër të federatës jugosllave. Gjatë kësaj periudhe kohore shqiptarët jo vetëm që kishin gazeta, televizione, shkolla të larta e universitet, gazetarë e shkrimtarë, regjisorë e teatro por ata patën edhe një përfaqësim politik në federatë nga politikanë shqiptarë- luajalë ndaj regjimit, ideologjisë dhe marshalit Tito.
Kjo bëri që të bëhen edhe hapat e parë të hapjeve të kujdesshme të kufinjve mes Kosovës dhe Shqipërisë. Studentë e shkencëtarë, njerëz të kulturës e artit të të dy vendeve vizitoheshin dhe shkëmbenin anasjelltas punët dhe përvojat e tyre. Filma e botime nga Tirana emetoheshin a botoheshin edhe në Prishtinë kurse shkrimtarët shqiptarë të Kosovës më në fund mund të krenoheshin që edhe shteti "amë" i botonte. Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës në Tiranë bile nuk ngurroi që me rastin e Themelimit e Aprovimit të Gjuhës Letrare Shqipe t'i involvonte dhe të ftonte edhe shqiptarët e Prishtinës. Kjo hapje e pjesshme por poaq edhe e kujdesshme mes dy vendeve, pas përqafimit dhe mëpas acarimit që kishin patur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore zgjati deri me vdekjen e Josip Broz Titos më 4 maj të vitit 1980.
Menjëherë pas vdekjes së Titos në hapësirën e Federatës filloi një kapitull i ri në marrëdhëniet mes popujve sllavë të këtij shteti në njërën anë dhe shqiptarëve të Kosovës në anën tjetër. Edhe pse të trajtuar si pakicë në këtë shtet, shqiptarët e Kosovës bashkë me ata të Maqedonisë dhe Malit të Zi e Serbisë së Jugut përnga numri ishin kombi i tretë përnga madhësia pas serbëve e kroatëve... Duke lënë kështu prapa sllovenët, malazezët, muslimanët e Bosnjes e maqedonasit. Shkaqet e protestave dhe sidomos organizatorët e demonstratave të para masive të studentëve shqiptarë në Prishtinën e marsit të vitit 1981 edhe sot e kësaj dite nuk janë qartësuar krejtësisht por ajo që mbahet mend është parolla e famshme me të cilën rrugëve të Prishtinës u kërkua "Republika e Kosovës".
Rezultati i këtyre demonstratave ishte ashpërësimi i gjuhës dhe politikës së Beogradit ndaj Prishtinës dhe shqiptarëve përgjithësisht. Politikanët shqiptarë, pjesë ende të nomenklaturës që Tito kishte lënë prapa, në njëfarë mënyre provonin të balanconin mes interesave të Lidhjes Komuniste dhe prejardhjes së njerëzve, qytetarëve të tyre në Kosovë. Shqipëria e rrëgjuar gjatë sëmundjes së Enver Hoxhës shpejt e mbylli kufirin dhe nuk dëshironte të kishte punë me trazuesit e paqes së ngrirë në Kosovë. Kjo mbyllje vetëm sa u vinte përshtati komunistëve në Jugosllavi të cilët në një mënyrë a tjetrën një prej shkaqeve kryesore të trazirave dhe demonstratave politike e shihnin pikërisht hapjen ndaj Shqipërisë.
Grupe të vogla marksiste, leniniste e komuniste dhe celula e fraksione me orientime kryesisht të majta në Prishtinë dhe në ndërkohë edhe në diasporën shqiptare të Kosovës në Gjermani, Zvicër, Austri tashmë kishin nisur që haptazi të punonin kundër regjimit jugosllav në njërën anë dhe të shpërndanin idetë për bashkimin e trojeve shqiptare në Ballkan në anën tjetër. Mes intelektualëve të njohur shqiptarë që qysh në vitin 1979 pat ikur nga Kosova në Gjermani ishte edhe gazetari dhe shkrimtari shqiptar Jusuf Gërvalla, i cili më 17 janar të vitit 1982 së bashku me vëllanë Bardhoshin dhe bashkëpunëtorin e tij Kadri Zekën u ekzekutuan në qytezën e Untergrupenbachut në jug të Gjermanisë. Edhe pse kjo vrasje sot e kësaj dite nuk është sqaruar kurrë, askush nuk dyshon që hynte në konton e shërbimeve sekrete jugosllave, të cilat për dekada të tëra kishin ekzekutuar emigrantë politikë, kroatë dhe tashti edhe shqiptarë.
Vrasja e Gërvallës dhe bashkëpunëtorëve të tij vetëm sa e bëri të qartë në Prishtinë që më kthim prapa nuk do të ketë. Liria që deri para demonstratave të 81-it kishte ekzistuar në politikën liberale apo siç atëbotë quhej "socialiste vetëqeverisëse" u shëndërrua në një klimë të rëndë distancimesh dhe denoncimesh politike brendapërbrenda shqiptarëve dhe të cytura nga Beogradi. Çdo gjë kontrollohej: në gazeta, në art, në teatër e film por edhe në letërsi.
Nga ana tjetër, derisa çdo ditë e më tepër ndjehej mungesa e Titos, pakënaqësitë politike shtoheshin si te kroatët ashtu edhe te serbët. Shqiptarët e Kosovës të cilët sidomos në vitet 70' dhe 80' kishin shënuar përparime të dukshme në infrastrukturë, ekonomi, kulturë dhe fillonin që dalngadalë të iknin nga kthetrat e patriarkalizmit dhe familjeve me struktura të mëdha, më nuk i përfillte kush sepse konflikti ishte zhvendosur. Nacionalizmi i liderëve politikë e shpirtëror të popullit më të madh dhe fuqishëm për nga numri, atij serb, tashmë nga qielli i miteve dhe religjionit kishte zbarkuar në Beograd.
Edhe sot e kësaj dite duket e pabesueshme kur kthehet koka prapa dhe shihet që ishin njerëzit e kulturës, letërsisë, publicistikës, teatrit e filmit ata që nisën fletërrufetë e para nacionale e nacionaliste përmes patosit të të qenit viktima qoftë në Luftën e Dytë Botërore ashtu, apo sidomos gjatë udhëheqjes komuniste me herë "kroatin" e "herë" sllovenin Tito në krye.
Duke iu falëndneruar kësaj fryme të rëndë, derisa në themelet e Perandorisë së kuqe komuniste në Europën e Mesme dhe atë Lindore dalngadalë fillonin të lëviznin dhe binin si pjesë të një "puzzle" fëmijësh, në Federatën Jugosllave, politikanët komunistë në shumicën e tyre zgjodhën rrugën tjetër. Atë të urrejtjes, nacionalizmit, shovinizmit dhe përgatitjes për luftërat shkatërruese.
Natyrisht që e tëra duhej të niste me Kosovën.
Pas Memorandumit tashmë të famshëm të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Serbisë, i cili në bërthamë kërkonte shpagimin për viktimizin e serbëve dhe njëkohësisht shtrirjen e tokës, kishës dhe shpirtit serb gjithandej ku ekzistonte edhe një varr serb - në skenë u shfaq një aparatçik komunist me emrin Slobodan Milosheviq, i cili pasi vrau "babain e tij politik" Ivan Stamboliqin, me një shpjetësi meteorike hipi në fronin politik të Beogradit për t'u shndërruar në njërin prej diktatorëve më të tmerrshëm që Europa e pasluftës së Dytë Botërore kishte përjetuar.
Heqja e Autonomisë së Kosovës dhe protestat e shqiptarëve kundër këtij hapi që u përcollën me vrasjen, torturimin dhe burgosjen e qindra e mijëra të rinjve në rajon u krye shpejt dhe pa ndonjë dhembje të madhe. Milosheviqi me aparatin e tij politik dhe ushtarak të trashëguar nga Titoja nisi një prej fushatave më të përgjakshme në Europën e fundshekullit të kaluar duke shkaktuar aq shumë dhembje e vuajtje saqë shikuar nga këndi i sotëm kohor e tëra duket aq absurde saqë zemërimi dhe pikëllimi vetëm sa shtohen.
Negociatat e dështuara për shkëputje paqësore të kombeve tjera në ish-Jugosllavi shkaktuan luftëra të cilat si viktima kryesore i kishin sidomos popullësinë civile. "Blitz" lufta në Slloveni. Përgjakja e Kroacisë në procesin e pavarësisë dhe sidomos lufta në Bosnjë e Hercegovinë ishin përditshmëria e tmerrshme në këtë pjesë të Europës - së cilës iu deshën vite të tëra derisa e kuptoi që pa ndërhyrjen ushtarake të NATO-s zor që do të kthehej paqja në Gadishull. Duhet të ketë qenë kolonat e miliona refugjatëve, shprehjet dhe emrat si "varreza masive", "Vukovari", "Srebrenica" e Sarajeva... ato që e bindën edhe opinionin e gjerë që të përkrahte politikën në aksionet ushtarake kundër forcave të Milosheviqit.
Kosova dhe qytetarët e saj, edhe pse ishin të parët që pësuan nga politika e Milosheviqit, gjatë kohës së luftërave në fjalë, nën udhëheqjen e liderit pacifist, letrarit Ibrahim Rugova, organizuan institucionet e tyre paralele në mënyrë që t'i rezistonin së pari dhunës dhe më pas edhe sprovës së Serbisë për të pranuar shtetin e tyre. Shikuar nga këndi i sotëm, në atë "shtet brenda shteti" që kishte edhe emërtimin lëvizje paqësore ishin dy gjëra pozitive: vazhdimi i edukimit shkollor dhe universitar nëpër ambiente private dhe përçimi ose thënë edhe më mirë ndërkombëtarëzimi i çështjes së shtypjes së shqiptarëve nga regjimi i Milosheviqit.
Të mos harrojmë: një popull i tërë në Europën e viteve 90 sundohej dhe shtypej në mënyrë klasike nga pakica prej jo më shumë se 10 për qind të serbëve të Kosovës, ndihmuar nga forcat policore dhe ushtarake të Beogradit. Thënë edhe më shkoçur: shqiptarët e Kosovës, nga viti 1989 nuk kishin administratë, shkollim, politikë, media, ekonomi as financa, shëndetësi, letërsi, dramë, film... Ose i kishin të gjitha por krejt ato në një organizim, ose thënë më së miri improvizim paralel - mes rrugës dhe kafeneve, shtëpive e apartamenteve private.
Tërë kjo situatë bëri që mijëra e mijëra të rinj e të reja të mos pajtoheshin me atë situatë, prandaj edhe morën rrugën e mërgimit në Europë - Gjermani, Zvicër, Austri, Amerikë.... Ishte pra kjo diasporë ajo që fillonte të ndiqte pikërisht ato ideale të emigrantëve të viteve 70 apo edhe 80 por para së gjithash ishte fuqia e saj materiale ajo që bëri që të funksiononte "shteti paralel". Fondet e ndryshme të qeverive dhe partive politike, udhëtimet e politikanëve shqiptarë për të "ndërgjegjësuar" atë që quhej "opinion botëror" dhe sidomos "perëndimor" bënin që këta njerëz, duke filluar nga dr. Rugova e më poshtë të ndjeheshin vërtet si burrshtetas.
Fakti që sa herë që ktheheshin në Kosovë, duhej të tregonin letërnjoftime e pasaporta serbe nëpër kufinj nuk i bënte aspak të dyshonin që të mos ndjeheshin si pushtetarë. Tekefundit Kosova, Kuvendi i saj paralel qysh në vitin 1991, kishte shpallur Republikën e Kosovës - shtet ky të cilin pos Shqipërisë, e cila e futur dhe nëse doni edhe fundosur në ujërat e turbullta të demokracisë nuk e kishte njohur askush! Një virtualitet i pashoq dhe para së gjithash i paparë në Europë.
Dhe kjo Europë, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe pse besoi që me Konferencën e Daytonit për Bosnjë e Hercegovinën shpresoi dhe mendoi ta kishte përmbyllur kapitullin e përgjakjes dhe tragjedive në këtë pjesë të Eurupës, duket që sidomos pas demonstratave të opozitës serbe në Beograd të vitit 1997, nuk e kishte kuptuar që për Milosheviqin nuk kishte shpëtim tjetër pos të kthehej atje ku edhe para një dekade e kishte nisur karrierën e tij politike: në Kosovë.
Ndërkaq, atje, edhe ashtu, lëvizja pacifiste e udhëhequr nga dr. Rugova, pas disa vitesh kishte filluar që dalëngadalë të humbte në besim. Shqiptarët të cilët ishin ballafaquar me të gjitha problemet e ndryshme, robërinë dhe gjakëderdhjen në ish-shtetin e përbashkët e kishin shëndërruar tashmë në një lloj sporti të çuditshëm. Ikja e mijëra e mijëra të rinjve e familjeve shqiptare nga Kosova, zbulimi dhe vendosja e saçave të antenave satelitore, ku mund të shiheshin telvizionet e ndryshme amerikane, britanike, gjermane, zvicerane apo austriake, jo vetëm që e shtuan dozën e virtualitetit por edhe të shpresave të shqiptarëve që Perëndimi, megjithatë, nuk do t'i linte në kthetrat e tigrit dhe tigrave të tjerë, të cilët nuk mund të mbijetonin ndryshe pos me gjak, luftëra, përndjekje....
Nëse djemtë e rinj shqiptarë, në fillim të viteve 90 ishin në pubertet, tashti, nga stacione trenash, katedra universitetesh, rrugë lirie e demokracie perëndimore e shikonin atdheun e tyre sesi dergjej nën reprezalie të tmerrshme të një regjimi, i cili edhe ashtu ishte i interesuar që sa më shpejt të jetë e mundur të plaste një konflikt i ri që ta shpëtonte kokën nga opozita e udhëhequr nga lideri i saj i ri dhe energjik, Zoran Gjingjiqi, dhe në të njëjtën kohë po ata djem e kishin të vështirë të integroheshin në këto shtete, atëherë s'u mbeti gjë tjetër pos të bënin diçka.
Timing-u, ishte perfekt. Shqiptarët e rinj nga shtetet perëndimore me ato pak Deutsch Mark-a dhe dollarë amerikanë që kishin mundur të mbledhnin kishin zbritur në Shqipërinë e rrëgjuar nga regjimi autokratik i dr. Sali Berishës, në Tiranë në vitin 1996-97. Shfaqja e asaj që u quajt si Ushtria Çlirimtare të Kosovës (UÇK) qysh në vitin 1997, shkaktoi edhe vatrat e para të krizave të vogla në rajone të ndryshme të Kosovës.
Përgjigjja e makinerisë luftarake të Milosheviqit ishte e pamëshirshme. Edhe një luftë e re. Ballkani sërish digjej dhe këso radhe ishte vatra e fundit e konfliktit.
Sjellja brutale e forcave të Milosheviqit në fshatrat e Drenicës e Dukagjinit, bëri që të mos shihej rrugë tjetër pos të bëhen përpjekje për edhe një ndërmjetësim mes palëve në konflikt. Konferenca e Ramboulliet-së në Francë, në të cilën morën pjesë tërë spektri politik shqiptar i Kosovës, në njërën anë, dhe përfaqësuesit e Milosheviqit në anën tjetër, me fuqitë perëndimore si ndërmjetësuese në mes nuk solli asgjë. Këtu, Perëndimit nuk i mbeti rrugë tjetër pos të merrte vendim që të ndërhynte me një fushatë ajrore kundër forcave të Milosheviqit në Serbi dhe Kosovë. Në vitin 1999, në fundshekullin e kaluar, Europa ishte futur në një luftë të re, e cila sa ndau opinionin aq edhe solli tragjedi të mëdha e të pafundme.
Filozofi i njohur gjerman Juergen Habermas, në diskursin e diskutimeve të ashpra që mbretëronin për intervenimin e NATO-s në Kosovë, e pati quajtur atë edhe "Intervenimi i së drejtës humanitare". Në shenjë hakmarrjeje ndaj kësaj fushate të Perëndimit, Milosheviqi me forcat e tij përndjekën rreth 1 milion shqiptarë nga Kosova. Vranë e masakruan më shumë se 10.000 qytetarë shqiptarë kurse opinioni perëndimor, duke parë tërë këtë dramë tashmë ishte përcaktuar dhe donte fundin e kësaj tragjedie. Pas 78 ditësh lufte ajrore, Milosheviqi e pranoi disfatën dhe u tërhoq nga Kosova me forcat e tij. Dhe jo vetëm me to. Shumë serbë por edhe pjesëtarë pakicash tjera ikën bashkë me ushtrinë nga frika e hakmarrjes së shqiptarëve, të cilët në qershor të vitit 1999 u kthyen në Kosovën e lirë.
Frika e serbëve dhe pjesëtarëve të pakicave tjera doli të mos ishte edhe e paarsyeshme. Hakmarrjet e shqiptarëve ishin mëse brutale. Bashkësia ndërkombëtare, forcat e NATO-s dhe misioni më i madh në historinë e OKB-së, në bazë të një rezolute të KS të OKB-së, i quajtur edhe UNMIK, ishin mes dy zjarresh: shqiptarët i përjetonin ata si çlirimtarë, kurse serbët si pushtues. Dhe ndërkombëtarët në këtë mes ishin që të garantonin kthimin e të përndjekurve, por edhe të mbronin të drejtat e serbëve e pakicave tjera. Dramat që Kosova e traumatizuar përjetoi në muajt dhe vitet e pasluftës ishin të panumërta.
Kësaj duhet shtuar edhe faktin që në vend kishin zbritur edhe me qindra organizata humanitare, të cilat vetes i kishin vënë për qëllim që të ndihmonin me çka e si të mundnin. Prej atyre që mbronin kafshët deri tek organizata që qytetarëve të Kosovës do t'i ndihmonin të rindërtonin shtëpitë e tyre të shkatërruara, gjenin të afërmit e tyre të zhdukur apo edhe çminonin fushat e mbushura me municione e mina lufte. Pa lënë anash këtu nuk mundemi as faktin që pjesëtarët e UÇK-së të cilët me ndihmën e NATO-s tashmë nga malet kishin zbritur në qytete, postulatin e tyre të mëparshëm që do "të vdesin për atdheun" e kishin shëndërruar në diçka tjetër: grabit dhe plaçkit sa të mundesh.
Së paku ky perceptim u krijua për UÇK-në apo grupe të caktuara të saj. Kjo me një mori faktorësh tjerë kishin bërë që partitë e dala nga ky formacion ushtarak, në zgjedhjet e para të organizuara në Kosovë, të pësonin një debakël total kundruall pacifistit Ibrahim Rugova, i cili pas luftës nga shumë miq ndërkombëtarë nuk shihej që mund të kthehej i fortë në skenën politike. Ndodhi e kundërta. Rugova me partinë e tij mori pushtetin dhe në bashkëpunim me OKB-në organizoi institucionet e përkohshme qeverisëse, të cilat u morën me nisjen e një jete të re - nga zeroja.
Ose thënë edhe më mirë nga një minus a mungesë prej dy dekadash. Partia e Rugovës natyrisht që kishte pushtetin "paralel" gjatë dekadës së viteve 90' dhe korrupsioni nuk ishte nocion as sport i panjohur për ta. Nëse kësaj i shtojmë edhe mosnjohuritë dhe avanturizmin e misionarëve të OKB-së, atëherë terreni ishte më tepër se i përshtatshëm që në këtë frymë pikërisht vjedhja dhe përfitimi nga fondet e Perëndimit të bëheshin një e mirë e përbashkët - për shumë misionarë të OKB-së dhe politikanë të Kosovës.
Por, kjo nuk kishte edhe shumë rëndësi sepse politika e shtynte së tepërmi patosin dhe ritin e luftës heroike. Për ta thirrur në ndihmë thënien e Thomas Bernhard: "Nuk ka asgjë për të lavdëruar, asgjë për të mallkuar, asgjë për të akuzuar, por shumëçka është qesharake, kur njeriu mendon në vdekjen"... atëherë për politikanët shqiptarë dhe ndihmaçarët perëndimorë popullata shqiptare duhej ushqyer medialisht dhe politikisht, që kryesorja është që keni shpëtuar dhe jeni të lirë... dhe tashti tjerat bëhen dalëngadalë.
Shoku kulturor që në Kosovë ndodhi me praninë masive të Misionit të OKB-së, Bashkimit Europian dhe lloj-lloj organizatash ishte i madh. Vëmendja nga Ballkani nuk hiqej edhe përkundër 11 Shtatorit, fushatave dhe luftërave të reja në Afganistan, Irak e gjetiu në botë. Ishin dhe deri dikund janë ende ato plagë të mëdha të hapura përgjatë shekujve ato që ndikuan dhe për fat të keq ndikojnë që kjo pjesë e Europës të shikohet me vëmendje dhe frikë - përballë konflikteve të reja të mundshme. Shumica shqiptare në Kosovë, tashmë ishte dëshpëruar me lirinë, siç edhe u kishte ngjarë shumë e shumë popujve të tjerë përgjatë historisë së tyre.
Zhgënjimi ishte i dyfishtë: në bashkësinë ndërkombëtare e cila derdhte qindra miliona dollarë për "misionin" dhe "misionet" e saj por nuk ishte në gjendje që vendin ta furnizonte edhe me rrymë elektrike e lëre më me nevoja tjera por ky zhgënjim po aq ishte i drejtuar edhe ndaj politikanëve vendorë. Në këtë frymë edhe ngjau ajo që sot në historinë e Kosovës së re njihet edhe si "protestat e Marsit" të vitit 2004. Vetëm pesë vjet pas çlirimit, Kosova filloi sërish të digjej dhe ishin pjesëtarët e pakicave, sidomos populli serb i Kosovës, ai që pësoi më së shumti gjatë këtyre konflikteve.
Kjo zgjoi vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare, fuqive perëndimore që Kosova ende ishte aty dhe duhej bërë diçka që Prishtina e Beogradi duhej të uleshin në tryezën e bisedimeve për të zgjidhur çështjen e Statusit të Kosovës. Milosheviqi tashmë ishte dërguar në Hagë, Gjingjiqi ishte vrarë në mënyrë brutale në shenjë hakmarrjeje ndaj politikës së tij të hapjes ndaj Perëndimit e edhe fqinjëve por këto fakte nuk do të thoshin aspak që bisedimet shqiptaro- serbe do të ishin të lehta.
Me ndërmjetësimin e ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari si dhe diplomatit e njërit prej njohësve më të mirë të Ballkanit, Albert Rohan, në Vjenë, për gadi dy vjet rresht u mbajtën bisedimet maratonike mes Prishtinës e Beogradit, të cilat sollën tek vetëm një rezultat i mundshëm bazuar në propozimin e Presidentit Ahtisaari: Pavarësinë e Kosovës. Edhe pse me një mbikëqyrje të shkallës së lartë, me të drejta të theksuara vetëqeverisjeje e autonomie për serbët e Kosovës, shqiptarët e pranuan këtë kompromis me shpresën që më në fund edhe ndërkombëtarisht do të shkëputeshin nga Serbia.
Ashtu edhe ndodhi. Më 17 shkurt të vitit 2008, në një të diel, Kuvendi i Kosovës, në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, shtetet kryesore të Bashkimit Europian dhe SHBA, shpalli Pavarësinë e Republikës së Kosovës duke kështu një prej konflikteve më të përgjakshme në Europë. Natyrisht që Serbia dhe Beogradi nuk e kanë njohur dhe s'do ta njohin këtë pavarësi. Problemet mes Serbisë dhe Kosovës ende vazhdojnë të jenë të pranishme sidomos në pjesën veriore të vendit dhe bisedimet mes Prishtinës e Beogradit me ndërmjetësimin e Brukselit, për të gjetur një zgjidhje për këto probleme janë duke vazhduar. Me shpresën që do të gjendet një zgjidhje.
Por edhe me presionin që të gjithë ata - përfshirë këtu edhe Republikën e Serbisë edhe atë të Kosovës, mund të bëhen pjesë e familjes europiane vetëm nëse përmbushin kriteret demokratike për një gjë të këtillë. Në këtë mes kemi paradoksin që si për politikën e Beogradit ashtu edhe atë të Prishtinës, konflikti në kufirin mes Kosovës e Serbisë është i mirëseardhur. Sepse populli - ai shqiptar dhe ai serb ushqehen më lehtë me konflite të ngrira sesa qeverisje të mirë!
Kosova, katër vjet pas kësaj pavarësie, është larg përmbushjes së këtyre kritereve. Shteti i ri, edhe pse shpalljen e Pavarësisë së bashku me miqtë ndërkombëtarë e menaxhoi si e më mirë... pas saj filloi të futet në kthetrat e fuqishme të korrupsionit, krimit të organizuar, vjedhjes së votës së lirë, keqmenaxhimit të buxhetit shtëtor e kështu me radhë e kështu me radhë.
Përkundër asaj që pavarësinë e vendit është duke e mbikëqyrur misioni më i madh në historinë e Bashkimit Europian në fushën e drejtësisë, Kosova vazhdon të shihet dhe ndjehet si një fushë e lirë në drejtësi. Nuk ka gjyqe ose ato gjyqe që ekzistojnë vazhdojnë të jenë të korruptuara dhe ndikuara politikisht. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të gjithë popujt e rajonit mund të udhëtojnë në Europë pa viza, por kjo nuk vlen edhe për qytetarët e Kosovës. Dhe këtu duhet të jemi të qartë. Nëse 20 vjetët e fundit të shekullit të kaluar ishin aq të rënda, dhjetë vjetët e angazhimit të OKB-së një gati se një kaos total, faza ose koha pas pavarësisë së shtetit të ri të Kosovës, shqiptarët i ka vënë në dilemën dhe vështirësinë e tyre esenciale prejse dinë për veten e tyre.
Ata, shqiptarët e Kosovës duhet të ballafaqohen me vetveten dhe ta shohin realitetin drejt në sy. Për të qenë pjesë e familjes së popujve të civilizuar europianë e perëndimorë duhet të heqin qafet klientelizmin politik, ekonomiko-financiar dhe kulturor. Kjo gjë nuk po ngjet. Varfëria e dukshme - Kosova për kokë banori ka bruto-produktin social me një mesatare afrikane, korrupsioni i shtrirë në të gjitha fushat dhe shtresat e shoqërisë, imazhi katastrofal që shteti i ri e ka në Europë dhe gjithandej në botë, kanë bërë që njerëzit, qytetarët e vendit të mos e shohin të ardhmen e tyre me optimizëm.
Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jetojnë dhe shijojnë një realitet virtual, i cili u mundësohet përmes kutive magjike të televizorit, internetit dhe gazetave e ëndërrave e idealeve të ndrydhura për të qenë pjesë e Europës. Pakënaqësia është e madhe por revoltë ndaj klasës politike të korruptuar dhe shantazhuar nga ndërkombëtarët për shkak të korrupsionit dhe për hir të ruajtjes së sigurisë, ende nuk ka.
Vazhdohet të jetohet me shpresën e ndrydhur për ditë e jetë më të mirë.
Për t'u kthyer te personazhi ynë fillestar në këtë trajtesë duhet edhe ta shpjegojmë shkakun që atë e kishte shtyer që më datën 30 janar në protestën personale kishte provuar të vetëdigjej: sepse Qendra Tregtare kishte refuzuar t'ia pranonte që ky të kthente një televizor të modelit "Plazma", të cilin e kishte blerë vetëm para disa ditëve. I dëshpëruar deri në pakufi ai s'kishte parë rrugë tjetër të protestonte pos atij veprimi, i cili u evitua në çastin e fundit të mos përfundonte në një tragjedi.
Problemi që Kosovën e pret do të jetë ky: çfarë, çfarë do të ngjajë nëse një ditë shqiptarët e Kosovës do ta kuptojnë që realiteti virtual nuk është gjë tjetër pos një (vetë)mashtrim, i cili në asnjë mënyrë nuk plotëson as nevojat më elementare të ekzistencës dhe të qenit pjesë e civilizimit dhe mentalitetit perëndimor, europian.
(Ky është fjalimi që Beqë Cufaj ka mbajtur të premten në mbrëmje në gjuhën gjermane, në kuadër të prezantimit "Die Besten aus dem Osten: Kosovo 10" (Më të mirët nga Lindja: Kosova 10) në "Volkstheater" (Teatri Popullor) të Vjenës në Austri).

Comments

Submitted by Paul Tedeschini... (not verified) on

<p>E lexova me shme vemendje dhe interese kete fjalim, i cili konklundon keshtu:<em>&nbsp;</em></p><p><em>&quot;...Problemi që Kosovën e pret do të jetë ky: çfarë, <strong>çfarë do të ngjajë nëse një ditë shqiptarët e Kosovës do ta kuptojnë që realiteti virtual nuk është gjë tjetër pos një (vetë)mashtrim,</strong> i cili në asnjë mënyrë nuk plotëson as nevojat më elementare të ekzistencës dhe të qenit pjesë e civilizimit dhe mentalitetit perëndimor, europian.&quot;</em></p><p>Simbas mendimit tim nuk asht<strong><em> &quot;realiteti virtuel&nbsp;shkaku.....&quot;</em></strong> , por asht<em> <strong>&quot;mentaliteti orjentel shkaku......&quot;.</strong></em></p>

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Pergezime per autorin per kete tekst te mrekullueshem dhe para se gjithash te distancuar... Dicka tjeter nga mocalet tona patetike shqiptare...</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.