Lirak Bejko nuk u vetëflijua për 5 kacidhe...

Postuar në 17 Nëntor, 2013 17:30
Eduard Zaloshnja

Nëpërmjet një deklarate për media, Kryetari i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, Skënder Tufa, kërkoi të shtunën nga kryeministri Rama që të mbajë premtimin për zhdëmtimin e tyre për vitet e burgut politik që kanë vuajtur në kohën e diktaturës komuniste. Duke theksuar se gjendja e të përndjekurve ka mbetur e njëjtë si në qeverinë e shkuar, Tufa theksoi se qeveria aktuale të paktën duhet të prononcohet për këtë problem, tani që po hartohet projekt-buxheti për vitin e ardhshëm.

Kjo deklaratë vjen fill pasi qeveria akordoi një fond prej 500 mijë lekësh (rreth 5000 dollarë) për familjen e të vetëflijuarit Lirak Bejko -- një gjest i lavdërueshëm ky, por krejt i pamjaftueshëm. Sepse Liraku nuk u vetëdogj në atë mënyrë aq tragjike thjesht që familja e tij të merrte 5 kacidhe.

Liraku u vetëdogj sepse shteti shqiptar e kishte injurouar për 21 vjet ligjin që shpallte pafajsinë për të burgosurit politikë të diktaturës, si dhe të drejtat që rridhnin prej asaj pafajsie (ligji 7514 i datës 30-09-1991). Liraku u vetëdogj sepse, për burgosjen e padrejtë, të burgosurve politikë nuk u ishte dhënë kompensim në bazë të nenit 44 të Kushtetutës dhe të nenit 57 të Kodit Penal, ndërkohë që ky kompensim u ishte dhënë krerëve të nomenklaturës komuniste në fund të viteve ’90. Liraku u vetëdogj sepse nuk mund të pranonte që këstet e dëmshpërblimit të viteve të burgut t'u jepeshin si lëmoshë me pikatore. Së fundi, Liraku u vetëdogj sepse nuk mund ta duronte më injorimin e plotë që u bëri kërkesave të tij dhe të shokëve të tij Kryeministri i vendit, i cili, para se të vinte në pushtet, kishte premtuar se do të siguronte dëmshpërblimin e plotë të të burgosurve politikë brenda 4 vjetësh.

Sot një kryeministër tjetër është në krye të qeverisë dhe të burgosurit politikë që u ngujuan në grevën e urisë me Lirak Bejkon po i kujtojnë atij se të gjitha arsyet që e çuan Lirakun në vetflijim janë ende aktuale. Po i kujtojnë atij fjalët e thëna para se të vinte në pushtet, kur shkonte në grevën e urisë dhe premtonte një dëmshpërblim dinjitoz e një trajtim me status të veçantë për të burgosurit politikë. Po i kujtojnë atij se gjendja e të burgosurve politikë po rëndohet nga dita në ditë dhe po vdesin një nga një, siç vdiq nga kanceri Shpëtim Karamuça, me të cilin Rama bëri një foto të reklamuar me bujë në FaceBook-un e tij në ditët e nxehta të grevës së urisë.

Por a ka mundësi shteti shqiptar t’i zhbëjë të gjitha padrejtësitë që u ka bërë shtetasve në periudhën 1944-1990? Sigurisht që nuk ka, të paktën aktualisht. Sepse dhjetra mijërave familjeve u është marrë pa të drejtë prona e pasuria, dhe mijëra të tjera janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Dhe të gjitha ato familje, në bazë të Kushtetutës, duhen kompensuar.

Sidoqoftë, nuk ka të drejtë më të madhe të shkelur se sa e drejta e jetës dhe e lirisë – një e drejtë që iu hoq barbarisht të pushkatuarve dhe të burgosurve politikë në periudhën 1944-1990. Ndoshta shteti shqiptar nuk ka sot mundësi t’u japë dëmshpërblim të gjithë trashëgimtarëve të tyre, por të paktën duhet të dëmshpërblejë plotësisht ish të burgosurit që ende janë gjallë, si dhe bijtë e bijat e atyre që u pushkatuan për bindje politike. Për këtë u vetëflijua Liraku, jo për lëmoshën prej 5 kacidhesh të Ramës...

Shënim: Bashkëngjitur është kopja e deklaratës origjinale të fillimit të grevës së urisë së të burgosurve politikë, firmosur para një viti nga të ndjerët Lirak Bejko e Shpëtim Karamuça, si dhe nga grevistë të tjerë që ende janë gjallë...

Comments

Submitted by Qafir Arnaut (not verified) on

<p>More, po keta ish-te burgosurit politike me duket se kishin kerkuar si kompensim nje prej hidrocentaleve te medhenj. Me sa duket duan qe sejcili qytetar ti paguaj ata cdo muaj me faturen e dritave. Ndoshta do ish zgjidhje e mire, se ben vaki paguheshin dritat me shume?</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.